Intervista

Sot çelet në një nga sallat e Arkivit Qendror të Shtetit një ekspozitë shumë interesante dhe unike, që do të vazhdojë të qëndrojë e hapur një muaj rresht, që sipas organizatorit të saj, z. Jorgo Jakumi, sjell një vlerë kulturore mes të dy popujve


Përse e organizoni këtë ekspozitë?


Sepse vëzhguam se në publikun shqiptar është pothuajse e panjohur ekzistenca dhe funksionimi i një shërbimi të frytshëm të shtetit, siç është Arkivi Qendror i shtetit shqiptar.


Juve si Fondacion Grek i Kulturës, për çfarë ju intereson kjo?


Na intereson, pasi boshti qendror i veprimtarisë sonë është afrimi i dy qytetërimeve tona, me studimin dhe dëshmitë e përbashkëta të trashëgimisë së dy qytetërimeve tona, siç janë ato që ekzistojnë në Arkivin tuaj Shtetëror...


Ku i keni parë ju “trashëgimitë qytetare të përbashkëta”, midis dy popujve tanë dhe sidomos brenda Arkivit Qendror të Shqipërisë?


Rrënjët e njëjta i kam parë në të kaluarën tonë të përbashkët historike, gjatë kohës së Bizantit dhe Perandorisë Otomane, atëherë kur grekët dhe shqiptarët ishin “qytetarë romakë” (të Perandorisë Bizantine) ose milet i romëve (si “raja” kristianë të Perandorisë Otomane). Madje këtë e ndesha edhe në thesaret e kodikëve.


Po çfarë të përbashkëta kemi pasur ne si popuj atëherë, si nënshtetas perandorish?


Kishim qytetërimin e përbashkët greko-romak, kishim besim të njëjtë kristian, kulturë të njëjtë greko-romake, kishim marrëdhënie shoqërore të përbashkëta, pothuajse nga e njëjta rrënjë pasuri kulturore.


Grekët dhe shqiptarët, si dhe shumë popuj të tjerë ballkanas kanë dhe “përdorin” pasuri të përbashkëta kulturore. Për këtë do të flasë edhe ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine”...


A mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj ekspozite?


Nëse do të vizitoni Arkivin Qendror të shtetit shqiptar, (dhe jo vetëm për ekspozitën që fillon dhe do të vazhdojë deri më 4 qershor 2010), do të vëzhgoni se atje ruhen dhe përdoren në mënyrë shkencore shumë burime historike të shkruara, ku dëshmohen të vërteta për rrjedhën historike, arritjet kulturore dhe kushtet shoqëroro-ekonomike të jetës së popullit që jeton në trojet e Shqipërisë së sotme. Burime të tilla janë dorëshkrimet bizantine, librat pasbizantinë, dorëshkrimet e kodeve, dokumentet otomane, firmanet e sulltanëve, shkrimet diplomatike të shek. XIX e XX, vargëzime kishtare dhe udhëzime, të dhëna të çfarëdo lloji, të cilat janë burime të pashtershme e të pamohueshme, prej të cilave rrjedhin të dhëna për historinë e këtij vendi. Mirëpo, pasi më parë kanë qenë ekspozuar shkrimet otomane në Arkivin Qendror të shtetit shqiptar, tashmë i erdhi radha shkrimeve bizantine. Ndoshta më vonë do të ekspozohen edhe librat që u botuan në Voskopojë gjatë shek. XVIII.


Arkivisti z. Sokol çunga mbaron specializimin pasuniversitar në Greqi dhe është pothuajse gati të botojë Kodikun Monastiriak të Kolikondasit, domethënë të monastirit të Shën Kozmait. Pata nderin të bashkëpunoj me të riun arkivist të shkrimeve të vjetra dhe të informohesha drejtpërdrejt për gjendjen shoqërore, ekonomike, zakonore, kishtare, ideologjike dhe të tjera që mbizotëronin në Myzeqenë e dy shekujve më parë, për mësimin e fëmijëve, për martesat dhe lidhjet tregtare, për standardin e jetesës në kushtet shqiptare të epokës së atëhershme.


Mirë, le të kalojmë tani në një tjetër fushë. Me cilët bashkëpunuat për të realizuar këtë ekspozitë?


Me grekë dhe sidomos shqiptarë. Më së pari me drejtoreshën e arkivit, znj. Nevila Nikaj, një njeri i mrekullueshëm, një shkencëtare e radhëve të para, një shpirt i hapur me horizonte të gjera. Ajo pa se propozimi ynë për të bërë një ekspozitë me dorëshkrime bizantine (si kohë më parë ato otomane) i bashkohej një politike hapjeje të arkivit për publikun shqiptar. Dhe pranoi me dëshirë të madhe, kaq të madhe sa të bëjë Kryeministrin e vendit, profesor Sali Berishën të mbështesë këtë ekspozitë.


Mendoni se është e lehtë për publikun shqiptar të kuptojë materialin e shërbyer në një ekspozitë të këtij niveli shkencor?


Po, sepse morëm masat më parë: botuam “Katalogun shkencor të temave” për shkencëtarët, por për pjesën tjetër të publikut të kulturuar botuam “Material informues për historinë e shkrimeve, të arkivit dhe kodeve në pergamene”, në një gjuhë më të thjeshtë e të kuptueshme, në mënyrë që të fitojnë edhe vizitorët jo shkencëtarë specialistë. Për sa i përket nxënësve të rritur dhe studentëve, botuam një “Broshurë edukative” të veçantë, ku me një formë loje dhe mësimi metodik, pa tejzgjatje shkencore i fusim të rinjtë tanë në të fshehtat e shkrimeve bizantine. Në fund, për të gjithë ata qarkulluam edhe një “Udhëzues shëtitës nëpër hapësirat e ekspozitës”, tepër praktik ku i tregojmë vizitorëve si duhet të lëvizin (me trup dhe mendje) në ekspozitë, në mënyrë që kur të largohen të kenë fituar më së tepërmi.


Dhe çfarë përfitimi dëshironi të keni ju, si grekë, nga një përpjekje e tillë shumëmujore?


T'ju japim të drejtë juve, shqiptarëve të komunikimit e të kuptueshmërisë, që besoni bashkë me ne, se atë që nuk e zgjidh diplomacia dhe udhëheqja politike e të dy popujve, mundet më lehtë ta zgjidhë qytetërimi dhe rrënjët e njëjta kulturore të të dy popujve tanë. Vjet aktorja e adhurueshme Margarita Xhepa më pat thënë: “Na lejoni ne artistëve të bëjmë punën tonë dhe do të shihni si bien muret e dyshimit midis nesh”. Këtë dëshmuam edhe me “Ditët e kinematografisë greke” në Tiranë, nën kujdesin e të shumëvlerësuarit në Greqi dhe në Ballkan të Bujar Alimanit, këtë treguan vjet artistët shqiptarë që, duke marrë pjesë në një shfaqje teatrale mbarëballkanike, erdhën këtu dhe luajtën përballë 900 shqiptarëve baladën “Konstandini dhe Doruntina”, këtë do të tregojë edhe Mikel Kalemi, të cilin shumë do të deshëm të mbështesnim për të ngritur në skenën teatrale mitin popullor të grekëve dhe shqiptarëve për flijimin e gruas së kryendërtuesit të kalasë (“Kalaja e Rozafës” dhe paralelisht “Urën e Artës”). Gjithashtu maestron Edmond Doko, i cili përpara disa muajsh drejtonte orkestrën simfonike të Operës, të përbërë prej njëqind muzikantësh, duke realizuar një shfaqe për herë të parë në botë, koncertin simfonik të Teodorakis, “Epitafin”. Si edhe Zhani Cikon që përgatit shfaqjen e baletit “Zorba” të Teodorakis, dekanin e Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, i cili qëndroi i pari në punimet treditore që u realizuan për Jani Ricon, si dhe shefin e Departamentit të Gjuhëve Sllavo-Ballkanike z. Avni Xhelili, që me kaq rezultat drejton funksionimin e degës së gjuhës greke në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Tiranës, piktorin Naxhi Bakalli, Alush Shimën, Ema Andrean, Mirela Mitron, Vasil Tolen, Spiro Gjonin, Gjergj Sinanin, Vladimir Myrtezajin, Roza Anagnostin, Andon Koçon, Llambro Rucin, Thanas Paskalin, Niko Kacalidhan, Irena Toçin dhe të tjerë, me të cilët kemi bashkëpunuar. Njerëz prej të cilëve presim atë çka bëjnë, të bëhen urë e qytetërimit nëpërmjet kulturës për të dy popujt.








#