Alarmi se jemi futur në një periudhë të emergjencës së demokracisë do të thotë që shtyllat, kolonat e jetës demokratike kanë dhënë shenjë se janë krisur. Thënë ndryshe: principet, mbi të cilat funksionojnë strukturat bazë të një shteti të vërtetë dhe normal - për të mos përmendur termat disi spitullaqë që tingëllojnë tërësisht spekulativë në realitetin shqiptar: demokraci liberale, demokraci funksionale etj., - janë bërë lesh arapi, ndoshta si asnjëherë më parë në këta. Marrëdhëniet pozitë-opozitë, marrëdhëniet e qytetarëve me strukturat e shtetit të "shërbesave", marrëdhëniet e anëtarësisë së partive (dhe të militantëve, për pasojë); marrëdhëniet me institucionet kryesore të demokracisë: ligjet themelore, kodet, zgjedhjet etj., kanë shkuar në pikë të hallit.



Le t‘u afrohemi nga ky këndvështrim dukurive të fundit të skenës politike: përgatitja e listave të zgjedhjeve, mangësitë evidente tashmë të vërejtura të Kodit të Ri Zgjedhor, dhe pavarësisht të gjithave, zbatimi i tij. Pakënaqësia e një sërë figurash, pavarësisht problemeve jo të vogla që mbartin në karrierën e tyre politike, ndaj renditjeve, përfshirjeve apo mospërfshirjeve në lista, zbuluan qartazi para opinionit publik se partitë nuk funksionojnë si të tilla, pra si parti politike. Ato dëshmuan, - posaçërisht Partia Socialiste, - se janë shndërruar në qendra pazaresh të pista ku, përveç devocionit ndaj numrave "NJË", jo pa rëndësi duket se janë edhe pagesat apo aferat e përbashkëta me kryetarin. Nuk ka nevojë të hysh në brendësi të partive për të kuptuar se në procesin e kandidim-rikandidimit, përveç klanizmit politik, qartësisht ka manipuluar paraja dhe kartelet e krijuara nga vetë partitë përmes strukturave shtetërore që kanë në dispozicion, kuptohet. Bash për këtë arsye, asnjëra nga partitë e mëdha nuk respektoi, së paku formalisht, as statutet e veta. As parimet e thjeshta sikundër është përfillja e mendimit të anëtarësisë dhe e strukturave të partive, aq sa ato ekzistojnë, për të mos shkuar pastaj te të ashtuquajturit borde qytetare, të cilët, ashtu sikundër u krijuan, po ashtu u shkrinë. Në dukje të parë kjo është hiçmosgjë, por, sikundër thonë librat dhe eksperiencat e atyre vendeve të cilëve duam t‘u afrohemi (nën sloganin: "Ne ec në rrokopujë, ata vrapo në autostrada!") respektimi i rregullave dhe standardeve demokratike në jetën e një partie, janë thjesht dhe vetëm një detyrim moral, por dëshmojnë seriozitetin e forcës politike në raport me ligjet nesër, kur është në pushtet. Është një moment sprove, thënë ndryshe. Dhe është ku e ku më i prekshëm dhe më i rëndësishëm për partitë e opozitës ky raport, i cili nesër është jetik për qeverisjen "e mirë".



Nga ana tjetër, mosrespektimi as i afateve kohore që përcakton ligji dhe Kodi Zgjedhor, është një provë tjetër se tash partitë, - më saktë dy partitë e mëdha që dukshëm janë marrë vesh në ndarjen e fetave të tortës, - janë mbi gjithçka dhe nuk përfillin asgjë. As Kodet, që në mënyrë bizantine i kanë bërë "sipas standardeve evropiane". Nuk respektojnë 30 përqindëshin e përfaqësimit të grave, megjithatë nxjerrin ca gra të frikshme nëpër ekrane. Nuk respektojnë anëtarësinë, megjithatë shkojnë derë më derë dhe flasin broçkulla.



Dhe prapa këtyre "dukjeve" qëndrojnë sëmundjet reale të funksionimit të demokracisë, ashtu siç qëndron tuberkulozi te kolla. Le të përpiqemi e t‘u hedhim një sy këtyre sëmundjeve deformuese, sikundër janë mungesa e transparencës, e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, roli i deformuar prej shërbëtori i mediave, mungesa evidente e respektimit të mendimit të ndryshëm, ajo e respektimit të minoriteteve të të gjitha llojeve, përballimi i trashëgimisë negative klanore përmes aktivizimit të strukturave e kështu me radhë.





Partitë-klane



Qartësisht sot nga partitokracia kemi kaluar tek kryetarokracia. Nëse deri dje e kemi konsideruar si një të metë të madhe partitokracinë, e cila është e rrezikshme në ndërtimin e një shteti funksional, pasi zëvendëson aftësitë profesionale me përkatësinë politike dhe përgjegjësinë publike me militantizmin, tash, në vend që të shkonim drejt partive elektorale, dolëm te kryetarokracia. Ka një dilemë edhe sot e gjithë ditën edhe në politikën botërore në lidhje me rolin e individit dhe të raporteve të tij me strukturat dhe mirëfunksionimin, por ai ka tjetër kahje: bëhet fjalë për liderë që i testojnë idetë e tyre në popull dhe i certifikojnë ato në struktura të specializuara. Kurse këtu te ne ndodh njëlloj si në lojërat tona popullore: jam i pari, kam kalanë dhe bëj ç‘të dua me të. Pashallëk, me një fjalë. Ata që merren në thellësi me politikë vërejnë se pikërisht tek identifikimi i liderit (liderzinjtë, thuaj!) me partinë, pra anashkalimi i strukturave dhe vendosja e vullnetit të liderit mbi gjithçka, hedh themele ngrehina e shëmtuar, por solide (së paku për një farë kohe) e diktaturës. Që të jemi më të kuptueshëm: fillimisht Enveri u identifikua me partinë. Pastaj, meqenëse në mënyrë perfide e identifikoi partinë me atdheun, me historinë, me jetën e njerëzve, me të ardhmen, u identifikua sine qua non me atdheun dhe të gjitha ato që përbejnë jetën dhe historinë e tij. Kështu mbetej që ose të pranoje të identifikoheshe edhe ti, ose të shuheshe nëpër kampe përqendrimi, i përjashtuar. Që kjo është një dukuri e njohur për Partinë Demokratike, rrallë ka shqiptarë që nuk e di, por që "liberal" si Edi Rama këtë do të implementonte edhe në PS, shumëkujt nuk i pat shkuar ndër mend.



Që të jemi edhe më të kuptueshëm po ju tregoj një histori të thjeshtë. Një miku im ka mbaruar shkëlqyeshëm studimet diku nga fundi i diktaturës për filozofi dhe pluralizmi e zuri mësues në qytetin e tij të lindjes. Ishte 25 vjeç dhe kuptohet që lehtësisht mund të rreshtohej në cilëndo parti. Hyri në PS dhe u bë shpejt kryetar i saj. Kontribuoi në këtë parti për tetëmbëdhjetë vjet. Mori edhe detyra e funksione edhe në rang kombëtar. Unë që kam qenë në qytetin e tij të lindjes kam vënë re lehtë se respektohej si nga të majtët edhe nga të djathtët. Bindjet e tij në një moment ranë ndesh me ato të Ramës, pikërisht për sa i përket respektimit të rregullave të funksionimit të partisë. Tani ai është "jashtë". E do PS, nuk e do të vjetruar, por mjafton që kryetari të mos e ketë në rrethin e "miqve" të tij dhe ai është jashtë, sepse Rama u identifikua me partinë. Nëse nesër qëllon që Rama të marrë drejtimin e shtetit, atij i bie që ta lërë Shqipërinë, pasi, në logjikën më të thjeshtë, Rama do të identifikohet me Shqipërinë. A nuk e tha Jozefina se rruga Durrës-Morin e kishte emrin Sali Berisha? Nesër kanalet kulluese do të kenë emrin Edi Rama? Ja ku të shpien partitë-klane.





Gjasme Parlament



Në një analizë të sipërfaqshme të jetës parlamentare të këtyre katër vjetëve nuk është e vështirë të vëresh se keqfunksionimi i Parlamentit është një nga dukuritë më problematike të jetës politike të vendit. Posaçërisht po qe se mban parasysh faktin se jetojmë (pretendojmë) në një republikë parlamentare, kjo dukuri dëshmon për një sëmundje të thellë të mbarë jetës së vendit. Parlamenti u zotërua në një shkallë të madhe nga bilbilat e raketuket dhe nga marrëveshjet e fshehta siç ishin ndryshimet kushtetuese apo ligje të ndryshme "konsensuale" deri te Kodi Elektoral. Duke pasur parasysh se në një republikë parlamentare, nga njëra zgjedhje në tjetrën, lufta politike zhvendoset në Parlament, kjo nuk është e vërtetë për Shqipërinë. Shefi i opozitës, Rama, duke qenë se nuk ishte vetë atje, e tërhoqi median dhe vëmendjen publike nëpër fshatra skërka e ngjarje të paqena. Ishte paaftësi e tij për t‘u marrë me politikë të vërtetë? Ishte hakmarrje? Ai kishte mundësi që ta rikuperonte këtë - mjaftonte që një deputet të jepte dorëheqjen dhe ai të votohej e të hynte në Parlament, - por nuk e bëri në emër të "kontratës me qytetarët e Tiranës". Të gjithë patën besuar se në zgjedhjet e reja ai do të kandidonte dhe kësisoj Parlamentit do t‘i kthehej - së paku formalisht, - dinjiteti dhe roli në një shoqëri parlamentare. Mirëpo ai nuk kandidoi. Shumëkush e shpjegoi këtë me frikën e humbjes. Të tjerë me karakterin prej frikacaku. Mund të jenë të vërteta, por mbeten spekulime. Për ne e rëndësishme është se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, edhe Parlamenti i ri ka për të qenë i anashkaluar sa kohë shefi njërës prej partive kryesore nuk është pjesë e tij. Ne nuk mund ta besojmë spekulimin se pas kësaj në të vërtetë fshihet dëshira e hershme e një aventurozi që ka të ngjashëm vetëm Hitlerin në historinë moderne.





Gjasme shoqëri civile



Që në Shqipëri ka shumë gjëra prej gjasme (në dialekte të tjera do të thoshin me demek), kjo është evidente, por gjendja prej medemek shoqërie civile, është teje problematike për një shoqëri në tranzicion si kjo e jona. Bashkuar kjo me manipulimin e mediave dhe me politizimin e gjyqësorit, shndërrohet në një simptomë vdekjeje për demokracinë. Nëse u shton të gjitha këtyre shkallën e lartë të korrupsionit, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të marrësh pjesë në funeralin e kësaj demokracie. Këtu nuk e kam fjalën për disa aktorë të shoqërisë civile apo të gjyqësorit që pranuan të bëhen pjesë e listave të partive, pasi në një shoqëri demokratike ky është një akt që dëshmon se partitë dëshirojnë t‘i kapërcejnë suazat e ngushta të militantizmit dhe dëshirojnë kësisoj të bëhen më përfaqësuese, por tek inekzistenca e kësaj të ashtuquajture shoqëri civile. Me dhjetëra milionë euro shpenzohen në vit nga "ndërkombëtarët" që kjo shoqëri civile të rritet, forcohet dhe të bëhet përfaqësuese e interesave të publikut përballë abuzimeve të mundshme të administratorëve, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Shoqëria jonë civile heshti përballë marrëveshjes së shëmtuar për ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, heshti për Kodin Zgjedhor, heshti për mungesën totale të transparencës në përpilim e listave të kandidatëve (në të vërtetë, me ligjin e ri, nuk janë të gjithë kandidatë, preferencialët e dy kryetarëve tashmë janë pashmangshmërisht deputetë), heshtën në kushtet e mungesës së kritereve për përcaktimin e këtyre kandidatëve. Heshti për tragjedinë e Gërdecit dhe për korrupsionin galopant në Bashkinë e Tiranës. A vjen kjo thjesht dhe vetëm nga fuqia korruptuese e pushtetit politik? Nuk e besoj. Nëse do të kishim një shoqëri të shëndetshme civile, ajo nuk do të kishte "heshtur" para këtyre dukurive që në thelb e bëjnë përfundimisht të pamundur jetën e saj. Përpos se në shërbim të politikës.





Gjasme transparencë



Që transparenca është një domosdoshmëri për funksionimin e një shoqërie demokratike, kjo nuk ka dyshim. Që ne kemi ngritur lloj-lloj komitetesh që ta garantojmë këtë transparencë, edhe kjo është e vërtetë. Mirëpo në shoqëri bizantine, të cilave komunizmi u ka përcëlluar edhe tentakulat e fundit të revoltës, edhe tesutin e fundit të të qenit social, kjo mbetet thjesht një lojë hilanjozësh. Aq më tepër në një shoqëri ku rreth 70 për qind e pasurisë kombëtare dhe e asaj personale është jashtë regjistrave, për ç‘transparencë mund të bëhet fjalë? Dukuria e re e kësaj radhe është se në procesin paraelektoral, u hoq dorë edhe nga të shtirurit sikur po bëjmë transparencë. Sot shqiptarët nuk e dinë as për kë votojnë, nuk e dinë kujt do t‘i kërkojnë llogari nesër, nuk e dinë në ka shkollë apo jo kandidati në fjalë, nuk e dinë nëse është i martuar, ka dy gra apo është homoseksual (dhe unë nuk vuaj nga homophobia). Paturpësia u ngjit kështu një shkallë më lart. Në emër të bashkëbisedimeve me popullin, ikëm edhe një hapësirë më larg tij.



Në të vërtetë, ashtu sikundër nuk e dinë se sa oktan është benzina që i hedhin makinës, sikundër nuk e dinë se sa peshon buka që blenë, me ç‘grurë bëhet, sa e kanë interesin e kredisë, pse bie e ngrihet leku, a ka krizë ky vend e kështu me radhë një sërë pyetjesh që u shkulin trurin shqiptarëve çdo natë.



Dhe emergjenca demokratike u bie borive e sirenave ku e ku më shumë se sa kriza e pritshme ekonomike. Për ata që kanë veshë, kuptohet.