TIRANË- Prodhuesit e energjisë nga era pritet që në vitin 2010 të nisin prodhimin e energjisë edhe në Shqipëri, përmes disa investitorëve të huaj, në bashkëpunim me ata vendas. Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), deri tani janë licencuar disa subjekte për prodhimin e energjisë nga era, me kapacitet rreth 270 MW. Dy ditë më parë, qeveria miratoi vendimin që një sipërfaqe pyjore prej 95.746 ha në rrethin e Vlorës, të shërbejë për ndërtimin e një parku për prodhimin e energjisë nga era. Në këtë sipërfaqe do të vendosen anemometrat, nënstacionet, rrugët, shtyllat e tensionit të lartë, infrastruktura lidhëse elektrike, aerogjeneratorët, etj, të nevojshme për funksionimin e parkut energjetik me erë në brinjat e Fushës- Karaburun, Kume-Shashicë, Ana e Detit-Palasë, Parku Pyjor Llogara dhe në ekonomitë kullosore Karaburun, Dukat-Tragjas-Shashicë, Shashicë- Gumenicë, Ana e Detit. Tregu tashmë është hapur, pas studimeve të kryera në zona të ndryshme të vendit për mundësinë e shfrytëzimit të erës për prodhimin e energjisë elektrike si dhe interesimit në rritje nga bizneset vendase dhe të huaja. Enti Rregullator i Energjisë (ERE), duke vlerësuar rëndësinë që ka për prodhimin e energjisë edhe përmes diversifikimit të burimeve alternative të rinovueshme, ka nisur proceset për licencimin e subjekteve private, të interesuara për të zhvilluar këtë burim energjetik të ri në vendin tonë. Gjatë vitit 2007, ERE ka licencuar shoqërinë “Hera”, për ndërtimin, instalimin dhe prodhimin e energjisë elektrike nga parku eolik (nga era) në zonën e Kapshticës dhe Bilishtit. Fuqia e instaluar e prodhimit të energjisë elektrike në këtë park eolik, parashikohet të jetë 150 MË, dhe prodhim vjetor prej 330 GW/h. Investimet e parashikuara për këtë vepër energjetike parashikohet të jenë rreth 27,484,504 mijë lekë. Burime zyrtare të ERE-s bëjnë të ditur se kërkesa për licencim kanë mbërritur edhe nga subjekte të tjera private, për të ndërtuar centrale eolike në zona të ndryshme të vendit, ku intensiteti i erës llogaritet të jetë mjaft i favorshëm për këtë energji. Kështu, kërkesë për licencim ka ardhur në ERE nga një kompani private e huaj për të investuar në zonën Karaburun- Llogara, me një investim prej 700 milionë euro dhe me kapacitet prodhues të energjisë prej 500 MË. Gjithashtu, ERE ka licencuar edhe një firmë tjetër për ndërtimin e një parku energjetik me erë edhe për zonën e grykëderdhjes së Shkumbinit dhe në lartësitë malore të Tërpanit, ku parashikohet prodhimi i energjisë nga era me fuqi të instaluar prej 225 MË dhe me investim rreth 454 milionë euro.