Sipas tyre, marrëveshjet kanë të bëjnë me shkëmbimin e informatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për një numër çështjesh. Zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy, i tha BBC-së se autoritetet në Prishtinë janë të njoftuara me përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve me Beogradin dhe nuk e mohoi faktin se misioni evropian po luan një rol të ndërmjetësit mes dy palëve.

Sipas tij, kjo përpjekje është vazhdimësi e një marrëveshjeje teknike “që duam ta arrijmë me Beogradin”. “Siç e dini, shefi i misionit ka qëndruar në Beograd në muajin mars dhe kjo e nisi diskutimin teknik mbi atë se çfarë mund të arrijmë midis Kosovës, EULEX-it dhe Serbisë. Ne kemi një nivel të ngjashëm të bashkëpunimit me Tiranën, Shkupin dhe Podgoricën. Ajo që ne po provojmë të arrijmë janë marrëveshjet specifike në fushën e drejtësisë, doganave dhe policisë, kryesisht në shkëmbimin e informative”, ka thwnw ai.

Sidoqoftë, ai ka përsëritur se, duhet bërë dallim mes doganave dhe kontrollit kufitar: “Kosova është një njësi doganore, ajo pra është një territor doganor që përfshinë kontrollin e mallrave dhe gjërave të ngjashme. Kontrolli kufitar është diçka tjetër dhe ka të bëjë më shumë me policinë dhe ajo që ne duam të arrijmë në këtë nivel është që të shkëmbejmë informatat mes EULEX-it dhe policisë serbe, që do të ndaheshin me policinë e Kosovës, natyrisht, sepse ne duhet të dimë çdo gjë që ndodh në njërën anë të kufirit dhe çfarë duhet të bëhet”, ka thënë Lamfalussy.