Nuk merret parasysh propozimi i OPDAT për krijimin e postit të zëvendësprokurorit


TIRANË- Projektligji për Prokurorinë që dje ka kaluar me konsensusin e dy partive të mëdha, ka gjetur edhe mirëkuptimin e misioneve të huaja që asistojnë vendin tonë në fushën e ligjbërjes për institucionet e drejtësisë. Si OPDAT ashtu edhe EURALIUS kanë vlerësuar me nota pozitive draftin në fjalë, duke u shprehur se ai është konform standardeve të kërkuara. Nga komunikimi shkresor që këto dy misione kanë kryer me Ministrinë e Drejtësisë si nismëtare e këtij projektligji, rezulton se pothuajse të gjitha vërejtjet që ato kanë bërë ndaj draftit fillestar janë reflektuar. Përjashtim bën vetëm propozimi i OPDAT për krijimin e postit të zëvendësprokurorit i cili është vlerësuar si i panevojshëm. Ndërkohë që të gjitha vërejtjet e tjera të bëra nga këto dy misione janë reflektuar në draftin përfundimtar që qeveria ka paraqitur në Kuvend. Kështu, duke krahasuar materialin shkresor të EURALIUS-it dhe draftit përfundimtar që ekzekutivi paraqiti në Kuvend vërehet se në këtë draft nuk është përfshirë përcaktimi i masës së pagës me të cilën do të shpërblehet një prokuror në rastet e lirimit nga detyra. Pikërisht duke iu referuar këtyre rekomandimeve, ministria e drejtësisë në draft-ligjin e vet propozon që të drejtën për të përcaktuar masën e pagës t’ia lërë gjykatës e cila do të marrë në shqyrtim çështjen. Gjithashtu si EURALIUS ashtu edhe OPDAT bien dakord me propozimin e nismëtarëve të këtij projektligji për të kufizuar imunitetin e prokurorëve. “Në parim ne nuk kemi kundërshti mbi shfuqizimin e dispozitës kushtetuese, por jemi te vetëdijshëm se përfaqësuesit e shoqatës së prokurorëve dhe anëtarë të Prokurorisë së Përgjithshme mbështesin variantin e mos-shfuqizimit”, - thuhet në materialin e EURALIUS.