Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) të hënën e ardhshme, më 21 shtator, do të fillojnë trajnimin 290 policë të rinj. Është kjo gjenerata e 53-të e policëve të rinj të cilët për gjashtë muaj do të marrin trajnime në këtë Akademi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për KosovaPress tha se policët e suksesshëm do të caktohen nëpër stacione policore për të vazhduar trajnimin fushor praktik, i cili trajnim zgjat dy vjet.
“Me datë 21.09.2015, fillon trajnimin gjenerata e 53-të (gjithsej 290 kandidatë) e Policisë së Kosovës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, i cili trajnim zgjatë 6 muaj. Pas përfundimit me sukses të këtij trajnimi gjashtëmujor, këta kandidatë caktohen nëpër stacione policore për të vazhduar trajnimin fushor praktik, i cili trajnim zgjat 2 vite. Pra, pas përfundimit të këtij trajnimi për dy vite e gjysmë, dmth në AKSP - 6 muaj dhe trajnimit fushor praktik nëpër stacione - 2 vite, të njëjtit do të ushtrojnë detyrat dhe autorizimet si policë të pavarur”, tha Hoxha.
Pas një trajnimi gjashtëmujor në AKSP, më 12 qershor të këtij viti diplomuan 141 kadetë të rinj të gjeneratës së 52-të të Policisë së Kosovës, të cilët për herë të parë prezantuan edhe uniformën e re të Policisë së Kosovës.