Në BE ka qeveri si ajo italiane që janë duke bërë politika anti-evropiane dhe ku egoizmi kombëtar është më i përhapur”!


Këtë e deklaroi pa asnjë mëdyshje kryeministri socialist spanjoll, Pedro Sanchez, në një intervistë me gazetën El Pais.


Deklarata e liderit spanjoll vjen vetëm 24 orë pasi Franca i hapi luftë Italisë duke përcjellë një varg kërcënimesh nga Presidenti Emanuel Macron, i cili e ka të gjithë betejën me populistin Salvini, që në krahun tjetër nuk ka ndërmend të dorëzohet përballë BE-së dhe Francës, të cilën e etiketon si arrogante.


Por Sanchez ndryshe nga Macron që ishte i ashpër në deklaratën e tij përpara Samitit të BE-së më 28 qershor, tha se egoizmi që po shfaq Italia vjen edhe si pasojë e ndihmës së munguar ngë BE-ja për krizën e emigrantëve. “Kjo ndodh edhe për shkak të mungesës së solidaritetit treguar nga BE-ja më herët në lidhje me një vend që tashmë pret gjysmë milioni qenie njerëzore nga brigjet e Libisë”, theksoi Sanchez.


Në intervistën e gjatë, e cila është në raundin e programit të Qeverisë spanjolle, Sanchez kur u pyet në qoftë se krijimi i qendrave të refugjatëve jashtë kufijve të Unionit është një zgjidhje,  ai u përgjigj: “Unë duhet së pari të mësoj me detaje propozimin. Unë nuk mendoj se një zgjidhje çfarëdo nga vendet kufitare të BE-së justifikon shpenzimet nga buxheti dhe hedhe poshtë përgjegjësitë që Europa duhet të marrë përsipër vetë.


Gjithashtu shtohet Eurofobia dhe sipas kryeministrit spanjoll, kjo është sfida kryesore e BE-së”.


“Ne spanjollët nuk do të jemi të pandjeshëm ndaj këtyre tragjedive humanitare, por është e qartë se Spanja nuk mund të përgjigjet vetëm. Një gjë është një krizë humanitare, gjë tjetër është politika ndaj migrantëve, sepse politika e migracionit ka nevojë për një përgjigje të përbashkët evropiane”, nënvizoi Sanchez.


24 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)