MOLDAVI- Edhe Transdniestria, një rajon separatist i Moldavisë ka aplikuar për anëtarësim në Federatën Ruse. Lajmi është konfirmuar nga Irina Kubanskikh, zëdhënësja e parlamentit lokal, ku sipas saj ka nisur një apel për udhëheqjen ruse ''për konsideratë, mundësinë e zgjerimit të Transdniester”. 

Ndërkohë nga ana e saj Moldavia e ka paralajmëruar Rusinë që të mos e bëjë asnjë lëvizje për shkëputjen e rajonit të saj, në të njëjten mënyrë siç Rusia e ka marrë kontrollin mbi Krimenë ukrainase. Presidenti moldav Nicolae Timofti, tha sot se Rusia do të bënte gabimin më të madh në qoftë se e pranon kërkesën e kryetarit të Parlamentit të Transdniesterit, për tu shqyrtuar mundësia e ndarjes së këtij rajoni moldav dhe bashkimin e tij me Federatën Ruse. Në vitin 2006, Transdniesteri ka mbajtur një referendum të ngjashëm me atë që është mbajtur të dielën në Krime, në të cilin 97 për qind e popullsisë kanë votuar në favor të bashkimit të rajonit separatist me Rusinë. Transdniesteri, i cili ka ngecur midis Moldavisë dhe Ukrainës, ka shpallur pavarësinë më 1990. Dy palët kanë bërë një luftë të shkurtër më 1992, e cila ka përfunduar kur ushtria ruse ka ndërhyrë në anën e Transdniesterit. Pavarësia e Transdniesterit nuk është njohur nga asnjë shtet.

(o.d/BalkanWeb)