Xhani De Biasi nuk është më në krye të Kombëtares shqiptare të futbollit, por nënshtetësia shqiptare i jep atij mundësinë që të jetë një nga votuesit që do tu drejtohen kutive të votimit më 25 qershor.


Për trajnerin italian, hera e parë si votues në vendin tonë e gjen atë në një nga zonat tradicionale në Tiranë, te Xhamlliku.


Si për të qenë të pandarë, me gjithë largimin nga Kombëtarja, ish-trajneri i kuqezinjve e gjen vetën në të njëjtën qendër votimi me disa nga lojtarët që i ka stërvitur, apo edhe një tjetër që mund të ishte kandidat për tu afruar në Kombëtare: Abrashi, Aliji dhe vëllezërit Ajeti, janë gjithashtu pjesë e votuesve në Njësinë Nr.3 në Tiranë.


Xhani De Biazi pritet që të jetë në Shqipëri të dielën e 25 qershorit, për tiu drejtuar kutive të votimit.


Panorama Sport ka mësuar se ish-tekniku i Kombëtares, me atributet që i jep nënshtetësia shqiptare, do të ushtrojë të drejtën e tij të votës.



Në bazë të listave të votuesve, Xhani De Biazi do të votojë në shkollën 9-vjeçare Kongresi i Lushnjes.


Ish-strategu i përfaqësueses shqiptare të futbollit do të votojë në qendrën numër 1749, në Njësinë bashkiake numër tre në kryeqytet dhe numri rendor në listat e votimit për të është 217.


Trajneri e mbylli aventurën e tij me kuqezinjtë pas pesë vitesh e gjysmë në drejtim të tyre, mirëpo në daljen e fundit si trajner i Shqipërisë, deklaroi se nuk do të humbasë lidhjen me shqiptarët dhe se ndihet krenar që ka nënshtetësi shqiptare.