Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 19:45

Komuna e Ferizajt edhe sivjet ka planifikuar që të organizoj aktivitetin tashmë tradicional kulturor i njohur si “Ditët e mërgatës” dhe i cili i kushtohet kryesisht bashkatdhetarëve tanë që përkohësisht jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit dhe që tani ndodhen për pushime në atdhe.



Kjo ngjarje e cila organizohet nën patronatin e kryetarit të Ferizajt, Bajrush Xhemajli, synon që gjatë tri ditëve sa do të zgjasë, të prezantoj një aktivitet të gjerë kulturo-artistik.



Drejtori komunal për Rini, Kulturë dhe Sport, Naim Ferati ka thënë të dielën se përgatitjet për këtë ngjarje janë në vlugun më të madh.



“Ne edhe sivjet do t’i organizojmë “Ditët e mërgatës”, një ngjarje që gradualisht po merr karakter tradicional dhe se gjatë tri ditëve sa do të zgjasë para bashkatdhetarëve tanë do të prezantohen një mori aktivitetesh kulturore, por edhe rinore e sportive”, ka thënë Ferati.



Bëhet e ditur se në program veç tjerash është paraparë të ketë koncerte, shfaqje teatrale dhe ekspozita.



“Ky është një përkushtim i yni ndaj bashkatdhetarëve tanë, që janë për pushime në Kosovë dhe në Ferizaj. Shpresojmë se do të ndahen të kënaqur dhe do të kenë se çka të shohin dhe të përcjellin gjatë këtyre ditëve”, është shprehur drejtori Ferati.



“Ditët e mërgatës” është paraparë që të mbahen prej 27 deri më 30 korrik.