Edi Martini është trajneri i ri Teutës, duke pasuar në bankinën durrsake Ylli Shehun, ky i fundit ia doli të mbajë në Superligë skuadrën e presidentit Edmond Hasanbelliu, por nuk siguroi dot votëbesimin e bosit të “djemve të detit” edhe për sezonin e ri.

Shkodrani Martini u shkarkua nga presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, në mënyre urgjente, pikërisht pas humbjes 2-0 me Teutën në “Loro Boriçi”, një ndeshje që u vendos me dy gola të kapitenit Vangjel Mile në harkun e pesë minutave të pjesës së dytë. Edi Martini, një trajner i ri ambicioz, sezonin e kaluar pasoi te Vllaznia në javën e 18-të, Roland Luçin, ndërsa ky i fundit e mori bankinën nga Hasan Lika. Edi Martini, 35 vjeç, ka një karrierë relativisht të re si trajner. Eksperienca e tij nis me Luftëtarin, kur skuadra gjirokastrite bënte pjesë në Superligë në sezonin 2006-2007. Martini drejtoi sezonin 2008-2009, Laçin, duke arritur ta shpallë skuadrën kurbinase kampione të Kategorisë së Parë, madje shkodrani kreu edhe një pjesë të mirë të fazës së përgatitore të Laçit, përpara se të zëvendësohej nga presidenti Pashk Laskaj nga durrsaku Stavri Nica. Në karrierën si trajner të Edi Martinit është edhe Kombëtarja shqiptare e Minifutbollit.

Edi Martini, gjatë karrierës së tij si futbollist përveç Vllaznisë, ka luajtur edhe Luftëtarin e Gjirokastrës, Besëlidhjen e Lezhës dhe Apoloninë e Fierit, duke fituar edhe “këpucën e artë” me 14 gola në sezonin 1993-1994 me fanellën e Vllaznisë.

Martini ka luajtur edhe jashtë Shqipërisë, në Slloveni (Svoboda), Austri (Klagenfurt) dhe Gjermani (Entraht Frankfurt). Edi Martini është trajneri i 11-të i konfirmuar për sezonin e ardhshëm në 12 skuadrat e Superligës, ku mungon në listë vetëm ai Vllaznisë.



JOSA

Mirel Josa është trajneri i ri i Shkumbinit për sezonin 2010-2011. Ish-trajneri i Skënderbeut firmosi një kontratë 2-vjeçare me presidentin Ylli Ndroqi. Në fakt, bosi i ri i peqinasve kishte rënë parimisht dakord me Ilir Dajën, por zhvillimet e fundit sollën në stol Mirel Josën. Josa, një ish-ndihmës i Sulejman Demollarit, në kohën kur ky i fundit drejtonte ekipin Kombëtar të futbollit (2002), ka drejtuar më parë Tiranën, Vllazninë e Skënderbeun. Mirel Josa, sezonin e kaluar ia doli të mbajë Skënderbeun në Kategorinë Superiore, duke treguar pjekurinë e tij si trajner. Prezantimi zyrtar i Mirel Joses u krye dje. Klubi peqinas u drejtua sezonin e kaluar nga tre trajnerë: Gugash Magani, Kristaq Mile dhe Përparaim Daiu. Shkumbini deri tani ka ka firmosur me pesë lojtarë: Daniel Xhafaj, Endri Vrapi, Bledar Mancakun, Erbim Fagun dhe Driton Krasniqin. Shkumbini ishte shumë afër finales në Kupën e Shqipërisë, përpara se të eliminohej nga Besa në gjysmëfinale. Shkumbini, një klub i themeluar në vitin 1924, militon në Kategorinë Superiore pa ndërprerje qysh nga sezoni 1994-1995, në të cilin është renditur në vendin e shtatë në një kampionat me 16 skuadra. Renditjen më të mirë në 16 kampionatet në të cilat ka marrë pjesë, është vendi i pestë në sezonin 2008-2009, në kohën kur president ishte Xhavit Ismaili.



BLANKO

Luis Manuel Blanko, trajneri argjentinas i kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Dinamos, gjatw prezantimit zyrtar te blutw deklaroi se me blutë synon të kalojë një tur në Ligën e Kampioneve.

Blanko firmosi një vit me 18-herë kampionët e Shqipërisë me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Luis Manuel Blanko, trajneri i katër argjentinas që ulet në stolin e Dinamos, pas aventurave jo të sukseshme të Pablo Pedro Paskulit, Ramon Kabreros dhe Marselo Havier Zuletën, solli me vete në Tiranë edhe katër lojtarë nga atdheu i tij. Gaston Shmidt (mesfushor sulmues, 23 vjeç), Feliks Deçima (mesfushor, 30 vjeç), Hernan Ferndandez (qendërmbrojtës, 24 vjeç) dhe Esteban Garsia (mesfushor, 26 vjeç) mund të konsiderohen edhe si blerjet e para të Dinamos. Dinamo është një ambient i mësuar me lojtarë argjentinas, pasi në sezonin e kaluar luajtën Rafael Soza (6 gola), Lukas Malarkane (5 gola), Maksimliano Timpanaro (2 gola) dhe Nikolas Del Monte.



KATEGORIA SUPERIORE

SEZONI 2010-2011



1. DINAMO: Luis Manuel Blanko (argjentinas)

2. BESA: Shpëtim Duro

3. TIRANA: Shkëlqim Muça

4. LACI: Stavri Nica

5. FLAMURTARI: Gugash Magani

6. TEUTA: Edi Martini

7. SKËNDERBEU: Shkëlqim Muça

8. SHKUMBINI: Mirel Josa

9. KASTRIOTI: Ramadan Ndreu

10. BYLIS: Ilir Spahiu

11. ELBASANI: Krenar Alimehmeti

12. VLLAZNIA: .......









10 Qershor 2010