PD denoncon lidhjet e kreut të PS-së me segmentet e Sigurimit të Shtetit, pas publikimeve nga gazeta “55” të disa skicave të tij në revistën “Në shërbim të popullit”

TIRANE - Partia Demokratike e konsideron kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, si  “lustraxhiu i sigurimit të shtetit”.
Zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani, duke ju referuar botimeve të djeshme në gazetën 55, të disa skicave të kreut të PS-së, për revistën e Sigurimit të Shtetit, Në shërbim të popullit”, deklaroi se “Edi Rama fiton tashmë edhe një mbiemër të ri, “lustraxhiu i sigurimit të shtetit”.
“Shtypi i përditshëm botoi dokumente autentike të cilat faktojnë Edi Ramën si lustraxhiun e sigurimit të shtetit. Skicat dhe shkarravinat e tij të botuara, të periudhës së rinisë së tij, nuk janë marrë nga gazeta e kontrolluar e Lidhjes së Shkrimtarëve por nga revista e sigurimit të shtetit. Kështu Edi Rama ilustron në këtë revistë me skicat e tij, luftën kundër diversantëve, kundër imperializmit amerikan dhe armikut të klasës”, tha Bogdani duke theksuar se ky është një dokument që fakton lidhjet e Edi Ramës me Sigurimin e Shtetit në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij ekzekutoheshin nga arma e Sigurimit, pasi guxonin të përmendnin fjalët dhe të drejtat e njeriut.
Partia Demokratike thekson se ky është njëri prej dokumenteve të shumtë që fakton lidhjet e Edi Ramës me Sigurimin.
Sipas Bogdanit të tjera materiale do të bëhen të njohur në ditët në vazhdim, derisa z. Rama për shkak edhe të ligjit të dosjeve dhe lidhjeve të tij me Sigurimin të ndahet një herë e mirë me politikën shqiptare.

...