Shkodër - Ditën e Hënë, datë 25 Maj 2009 çelet në Shkodër edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar “Shkodra Jazz Festival” kushtuar kujtimit të muzikantit të madh shkodran, violinistit Rrok Jakaj.



Festivali, që do të zgjasë gjashtë ditë, shënon edhe këtë vit praninë e mirëpritur të shumë muzikantëve të njohur të skenës botërore të muzikës jazz.



Kështu, rrugëve dhe skenave të qytetit nën këmbët e Rozafës rikthehet, pas sukseseve të edicioneve të mëparshme, artisti italian Diego Borotti, i vlerësuar si njëri prej pjesëmarrësve më të rëndësishëm të panoramës jazz së shtetit fqinj. Rikthim i rëndësishëm është edhe ai i “The Dream Trio”, kompleksit të drejtuar nga virtuozi Shqiptar Sokol Prekalori.



Artdashësit Shkodranë, si edhe të gjithë ata që do të kenë fatin të ndodhen në Shkodër gjatë kësaj jave, do të kenë mundësinë këtë vit të shijojnë muzikën jazz të ekzekutuar nga artistë të afirmuar të skenës botërore, si grupi jazz Alberto Mandarini Quartet, por edhe nga talente të reja që po afirmohen në skenën ndërkombëtare, si pianisti e kompozitori shkodran Robert Bisha.



Jazz pra, por edhe kontaminime kreative të tij me flamenkon e Javier Galiana & Spice Berberechos, apo me ritmet afro-braziliane të Roberto Taufic Hasbun & Simon Papa.



Një dimension i rëndësishëm i festivalit do të jetë edhe këtë vit përfshirja aktive e qytetit dhe qytetarëve të Shkodrës, të cilëve do tu jepet mundësia të dialogojnë me festivalin përmes talk-shoë-t muzikor të organizuar çdo pasdite në rrugën historike Kolë Idromeno.



Artistët e përfshirë në këtë projekt ambicioz do të vihen gjithashtu në shërbim të brezit të ri të muzikantëve Shkodranë që po formohen në shkollën e muzikës së qytetit, ku cdo ditë do të organizohen mësime kushtuar jazz-it.



Festa, e cila do të zgjasë gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të festivalit, do ta arrijë temperaturën e saj të vërtetë mbrëmjeve, në lokalet shkodrane, ku muzikantët do të interpretojnë cdo natë për publikun e qytetit.



Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, nuk mund të mungonin shfaqjet në tempullin e muzikës Shkodrane, Teatrin Migjeni, ku do të zhvillohen dy koncerte në 29 dhe 30 Maj.



Shkodra Jazz Festival është një event i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj”, në bashkëpunim me “Optional Music International”.