Vetëm 5 trupa ishin pjesëmarrëse në edicionin e 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit. Por ky është bilanc vetëm në vështrim sasior, pasi spektatorit i mbetën në kujtesë dhe i dhanë kënaqësi estetike vetëm tre prej tyre: trupa e ardhur nga Leçe e Italisë, ajo athinase që preku suksesin, dhe natën e fundit me trupën franko-rumune. Kësisoj, jo vetëm që dështoi ideja e paketës speciale me 10 spektakle, për shkak të përgjysmimit të çmimit nga dikasteri i kulturës, por dështimi shkoi edhe më tej. Organizatorët kishin premtuar se do të kishte gjëra me shumë interes e të këndshme ky edicion, por tani që sipari ka rënë, shihet se ato ishin kaq të pakta e të rralla. "Pasioni i grave trojane" deri diku, "Elektra" e athinasve dhe "Kënga e këngëve", bashkëprodhimi i franko-rumunëve, ishin ato që ia vlen të quhen prurje. Një dështim u quajt "Fedra" e Prishtinës dhe një gjysmë dështim "Dervishi dhe vdekja" nga Izmiri. Vlerësim i festivalit, që u pa edhe si një sukses, ishin ato trupa që erdhën në Butrint me shfaqje të llojit dance-teatër, që u quajt një prirje e re jo vetëm për Festivalin e Butrintit, por gjininë e artit skenik në përgjithësi.