Flet basketbollisti i talentuar që luan në Amerikë


St-Francis-photo-shotBasketbollisti i talentuar nga Kosova, Edon Molla, në një intervistë për gazetën Tirana Observer, flet për basketbollin, largimin që në moshën katër vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për kombëtaren shqiptare të basketbollit. Ai tregon se nuk ka pasur ende asnjë kontakt nga Federata shqiptare, por nëse do të ketë, do të pranojë menjëherë për të qenë pjesë e kombëtares sonë. Ai shpreson që një ditë të jetë pjesë e NBA, por kjo nuk është një gjë e lehtë sipas tij.


 


Ju jeni shpërngulur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pak përpara fillimit të luftës së Kosovës. A ishte e vështirë për familjen tuaj kjo lëvizje? 


Unë kam qenë vetëm katër vjeç kur familja ime u shpërngul në Shtetet e Bashkuara. Normalisht që kjo lëvizje nuk qe aspak e lehtë për prindërit e mi. Ata janë munduar shumë që mua dhe vëllait tim të mos na mungojë asgjë. Unë u jam shumë mirënjohës atyre për këtë gjë.


Ju keni një vëlla më të madh, Admirin. Të dy e flisni gjuhen shqipe mjaft mirë. Sa krenarë jeni ju për rrënjët tuaja?


Ne jemi shumë krenarë për rrënjët tona. Jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe mundohemi ta përfaqësojmë sa më mirë kombin tonë këtu në Amerikë. Asnjëherë nuk do ta fshehim të kaluarën tonë pasi katragjyshët dhe stërgjyshët e mi kanë gjak shqiptar. Nuk është në kulturën e shqiptarëve që të mohojnë identitetin.


Le të hidhemi tani tek ana juaj sportive. Kur filluat ta driblonit për herë të parë topin e basketbollit?


Kontaktet e mia me basketbollin kanë qenë që në moshë të herët. Ndoshta kur isha katër ose pesë vjeç kam dribluar për herë të parë, por nuk mund ta them me saktësi.


Ekipi i parë me të cilin ka luajtur Edoni cili është? (ekip për moshat e reja)


Ekipi i parë në të cilin jam inkuadruar ka qenë St. Colombia. Aty grumbulloheshin lojtarë të moshës tetë vjeç. Ishte një periudhë e rëndësishme pasi aty mësova hapat e parë të basketbollit.


Çfarë pozicioni preferoni të luani në fushën e lojës?


Unë parapëlqej pozicionin e organizatorit dhe atë të anësorit. Jam i aftë ti kryej këto pozicione pasi aftësitë e mia fizike dhe teknike përshtaten me cilësitë që kërkon pozicioni i organizatorit apo i anësorit.


17-Game-pictureMe cilin ekip luani aktualisht?


Aktualisht po aktivizohem me St. Francis College që bën pjesë në kampionatin e kolegjeve NCAA Division 1.


Cilat janë arritjet e tua më të mëdha në sport?


Unë me skuadrën time jam shpallur kampion i shtetit të Nju Xhersit. Jam përzgjedhur për të luajtur në All Star Game prapë në shtetin në fjalë. Gjithashtu kam arritur deri në çerekfinalet e NEC Divizion 1 në sezonin 2013-14.


Ju keni pasur shansin që të stërviteni nga trajneri i mirënjohur, Bob Hurley. Çfarë mund të na thoni për të? 


Ai është trajneri më i mirë për mua. Është në rradhë të parë një njeri fantastik dhe një mësues i shkëlqyer. Këto gjëra nuk i them vetëm unë, por i thonë të gjithë ata të cilët kanë pasur nderin që të jenë nxënësit e tij, të cilët kanë arritur nivele shumë të larta në sportin e basketbollit.


Sa shanse keni për të qenë pjesë e NBA?


Kur ka dëshirë dhe pasion çdo gjë është e mundur, por gjithashtu të duhet fat dhe punë e palodhur. Shpresoj shumë që një ditë të luaj në NBA, por këtë gjë nuk e kam në dorë unë.


Sa orë në ditë stërviteni? Më shumë përqendroheni tek stërvitja teknike apo fizike?


Stërvitem çdo ditë nga katër deri në gjashtë orë. Më shumë punoj në aspektin teknik, por kjo nuk do të thotë se unë e lë pas atë fizik. Të dyja këto duhet të jenë në sasi të balancuar në mënyrë që një sportist të jetë i suksesshëm.


Cilët janë sportistët që e frymëzojnë Edonin?


Më pëlqejnë lojtarët shqiptarë të futbollit si Lorik Cana apo Xherdan Shaqiri. Ata më motivojnë. Po të flasim për basketbollistët e huaj, mua më pëlqen Kobi Brajant, Lebron Xhejms, Duejn Uejd etj.


A keni pasur ndonjë kontakt nga Federata Shqiptare e Basketbollit? A do të pranonit të vinit dhe të luanit për kombëtaren shqiptare?


Jo, nuk kam marrë asnjë ftesë apo kontakt prej Federatës Shqiptare të Basketbollit. Shpresoj që kjo gjë të ndodhë shumë shpejt pasi për mua do të ishte një ëndërr e realizuar. Nëse vendi im më kërkon natyrisht që do të luaj për të.


Ju ndiqni studimet e larta në St. Francis.  Përveç sportit, cilat janë pasionet tuaja? Nëse nuk një ditë do të hiqnit dorë nga basketbolli, çfarë do të preferonit të bëni?


Nuk e di se çfarë do të bëhesha tjetër, por kam shumë dëshirë që ti mbaroj studimet me rezultate të larta, gjë që deri më tani po e arrij më së miri.


Edon të falënderojmë edhe njëherë që ishe pjesë e kësaj interviste. Ju urojmë suksese.


Faleminderit edhe juve që interesoheni për ne mërgimtarët. Dua ti përshëndes të gjithë lexuesit dhe të gjithë shqiptarët në të katërta anët e botës. Gjithashtu dua tu jap edhe një mesazh të rinjve shqiptarë. U sugjeroj të merren me sport pasi është me të vërtetë diçka e bukur. Edhe njëherë faleminderit.


Intervistoi: Xhoi Malësia