EGJIPT - Ministri i Jashtëm egjiptian Mohamed Kamel Amr tha se samiti i 12 i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, që do të nisë punimet ditën e mërkurë, do të japë mundësinë për bisedime mbi largimin e armëve bërthamore nga Lindja e Mesme.

Në këtë samit do të marrë pjesë edhe Presidenti Mahmud Ahmadinexhad, që do të kryesojë delegacionin iranian në vizitën e parë të një presidenti iranian në Egjipt, që nga viti 1979.
Teherani zyrtar ndërpreu marrëdhëniet me Kajron në vitin 1980, një vit pas revolucionit të Iranit dhe marrëveshjes së paqes mes Egjiptit dhe Izraelit. Sot në aeroportin ndërkombëtar të Kajros ai është pritur nga homologu i tij Mohammed Morsi. Prononcimi i parë për mediat ka qenë se do të forcojë marrdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Ky samit shikohet si një shans për të rihapur marrdhëniet formale të Egjiptit me vendet e tjera arabe. Gjithashtu e një rëndësie të veçantë do të jetë dhe çështja delikate e Iranit mbi programin bërthmor të saj si dhe çështjet rajonale përfshirë krizën siriane ku presidenti egjiptian ka qenë një nga kundërshtarët më të zellshëm kundër regjimit të presidentit Bashar-al Assad.

Edhe situata në Mali është një burim, që ndikon stabilitetin dhe paqen në të gjithë rajonin ka shtuar ministri i jashtëm egjiptian. Gjithashtu ai theksoi se është shumë e rëndësishme, që të zbatohen politikat e vazhdueshme dhe masat e gjithanshme për të luftuar kërcënimet, që vijnë nga terrorizmi

Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik do të jetë ngjarja më e madhe ndërkombëtare ku problemet e rajonit mund të zgjidhen me anë të bashkëpunimit, negociatave dhe me anë të respektimit të të drejtave dhe kulturave të vendeve në rajon.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)