Turizmi

Qeveria hap zyrtarisht aksionin në plazhin e Spillesë në Kavajë

Në prag të sezonit nis pastrimi i plazheve me vullnetarë

pastrimQeveria ka nisur zyrtarisht pastrimin e zonës bregdetare. Dy ministrat përgjegjës, ai i Mjedisit dhe ministri i Ekonomisë e Turizmit, të mbështetur nga shoqëria civile dhe vullnetarë të ndryshëm kanë filluar dje punën për të hequr mbeturinat në plazhin e Spillesë. Ministri Arben Ahmetaj tha se javën e ardhshme vetë Kryeministri do të nxjerrë një urdhër për masat që do të merren me hapjen e sezonit të ri turistik. Ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se ky aksion nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë në të gjithë vijën bregdetare. Ministri Ahmetaj u shpreh për mediat se, plani i masave për sezonin turistik 2015 është përgatitur dhe tashmë pritet që ai të zbatohet në terren. Aksioni ka nisur nga plazhi i Spillesë, në Kavajë për të vazhduar në ditët në vijim edhe në plazhe të tjera, të ndotura në vend. Plazhi i Spillesë nis aty ku përfundon plazhi i Gjeneralit, që është pjesë e territorit të Komunës Synej dhe vazhdon deri në afërsi të plazhit të Divjakës në Lushnjë. Ministri Ahmetaj tha se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë janë marrë masat për vendosjen e autoambulancave në zonat e plazheve, ndërsa po punohet intensivisht në të gjitha drejtimet për t’u mundësuar vizitorëve pushime më të mira në Shqipëri. Vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes angazhoi forcat ushtarake për pastrimin e vijës bregdetare. Në prag të zgjedhjeve vendore dhe tranzicionit në ndarjen e re administrative, duket se kjo detyrë për këtë sezon do t’i mbetet pushtetit qendror.

Karburantet

Zgjidhje për “defektet” e kasave fiskale

Ministria e Financave deklaron se pikat e karburanteve nuk do të lejohen më të shesin, nëse kanë defekt në kasën fiskale. Një udhëzim i ministrit të Financave urdhëron që pompat e karburanteve duhet të punojnë vetëm në regjimin automatik, nën kontrollin e sistemit fiskal, më saktë të kasës fiskale. Kasa mban të memorizuar numëratorin progresiv, duke e freskuar atë pas çdo shitjeje. Sipas udhëzimit, pompa nuk do të vazhdojë të veprojë, kur pajisja fiskale pëson defekt të karakterit elektrik apo ndërprerje komunikimi me pajisjen fiskale. Derisa dëmtimi të rregullohet, pompa duhet të bllokohet, të mos livrojë më lëng. Sipas udhëzimit, riparimi i pajisjes fiskale duhet të kryhet menjëherë nga shoqëria e autorizuar, me të cilën tatimpaguesi ka kontratë mirëmbajtjeje. Ndryshimi në udhëzim bëhet pas konstatimit të prishjeve të qëllimshme të kasave.

Mbyllet “Shtëpia e Ushtarakëve” dhe godina shtatëkatëshe (ish-hoteli i oficerëve në bulevardin “Zhan d’Ark”) kthehet në zyra për disa institucione. Vendimi parashikon dhënien e pronës së Ministrisë së Mbrojtjes në përdorim për një periudhë 35-vjeçare, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ministrit të Shtetit për Inovacionin. Destinacioni i godinës do të jetë për sistemimin e administratës së Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe të Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA). Ndërsa një pronë tjetër e ushtrisë i jepet Ministrisë së Bujqësisë që ta përdorë në një periudhë 30-vjeçare. Bëhet fjalë për ish-Repartin Ushtarak nr. 4400 në Brar, Tiranë (ish-shtabi i KML-së), që përbëhet nga disa godina dhe 3035 m² truall. Aty do të vendoset Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Për 35 vjet “Shtëpia e Ushtarakëve” i kalon Ekonomisë

Ky shkrim Ekonomi shkurt u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.