Muaji mars do ti gjejë studentët e ekselencës që kanë aplikuar në portalin punëtëmbarë.gov.al të punësuar pranë Administratës Publike, eksperiencë që do të zgjasë një vit dhe do të paguhet njësoj si për punonjësit e tjerë të përhershëm.


Mundësia e aplikimit është shtyrë deri më 10 shkurt, ndërkohë që Departamenti i Administratës Publike po bën filtrimin e dokumentacionit të sjellë nga studentët kandidatë.


Kemi mbi 900 aplikime për 803 vende pune. Ka dhe nga ato raste, kur nuk është i plotësuar kriteri i mesatares. Pra nuk plotësojnë kriterin e mesatares 9-10, që është kusht, apo diploma që janë marrë para vitit 2017. Për faktin se Sekretaritë e fakulteteve nuk kanë qenë të disponueshme për tiu ofruar studentëve dokumentacionin e nevojshëm, është marrë vendimi për ta shtyrë edhe 10 ditë të tjera aplikimin, pra deri më 10 shkurt, tha Albana Koçiu, drejtoreshë e DAP-it.


Studentët e ekselencës, tregon drejtoresha e DAP, kanë shfaqur deri më tani interes më të madh për të punuar në institucionet e shërbimit civil.


Kjo ndodh për shkakun se aty ndodhen pozicionet e punës në ministri, në agjenci të rëndësishme, këtu përmend Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë, Administratën Doganore, Tatimore. Aplikantët janë kryesisht të Shkencave Shoqërore, Ekonomike dhe Juridike, tha më tej Albana Koçiu./Top Channel