“Autobiografinë” e profesor Sotir Papahristos, gazeta “standard” e boton ekskluzivisht për herë të parë, të plotë dhe që është krejt e panjohur për publikun. Papahristo është njeriu që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta - dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968. Duke siguruar të drejtat e trashëguara nga familja e tij, ky botim i panjohur vjen me rastin e përkthimit të veprës monumentale të Tuqididit “Lufta e Peloponezit”, që përkthyesi e kishte lënë amanet në të gjallë që të botohej i plotë, pa censurë - siç iu rekomandua në diktaturë








(vijon nga numri i djeshëm)


Në vitin 1931, më 19 shtator, Zoti na fali djalë, të cilit i vumë emrin Aminda. Unë në atë kohë u ndodha në Tiranë, si anëtar i një komisioni arsimor. Më lajmëroi telegrafisht i ndjeri kunat, Dhimitër Mano. U gëzova; ata të ministrisë më përgëzuan dhe më kërkuan një gosti, e cila edhe u bë në hotel “Internacional”, ku edhe u gjet emri i të porsalindurit. Pas ca ditësh shkova në Korçë, gruaja ime e adhuruar ishte lehonë në shtrat, e përqafova me lot në sy... Foshnja nuk rritej, nuk ushqehej, se qumështi i nënës qe prishur nga një dhembje në veshka, që hoqi e dashura Dhoksë, kur ishte me barrë. E ushqenim me ushqim artificial; mbeti atrofik dhe sëmurej shpesh herë, gjersa u bë shtatë vjeç, kur u shëndosh mirë. Vazhdoi në shkollë, dilte i pari në fillore, si edhe në gjimnaz. Mjerisht në moshën 17 vjeç u sëmur kur punonte në hekurudhën Durrës-Elbasan dhe pas një sëmundjeje të shkurtër vdiq (në vitin 1947, më 5 tetor). Lotët s’më lejojnë të përshkruaj skenat tragjike dhe vuajtjet shpirtërore të prindërve të mjerë...


Në shtator të vitit 1933, Ministria e Arsimit më transferonte në Tiranë si drejtor në institutin femëror “Nana Mbretëreshë”. Shkolla u çel për herë të parë dhe në këtë do të përmblidheshin nxënëset e tërë shkollave private femërore, të cilat, ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, i mbylli me vendim të qeverisë. Rreth transferimit tim u bënë diskutime të nxehta në Këshillin e Ministrave. Si kryeministri, P. Evangjeli, ashtu dhe disa nga ish-ministrat e Arsimit, të cilët, me gjithë intrigat e kurdisura kundër meje, kishin konsiderata të madhe, duke çmuar ndërgjegjen time të pastër, dhe zellin në punë - e kundërshtuan transferimin duke mbrojtur më tepër interesin e liceut. Edhe Koço Kota, kryetar i parlamentit, atëherë u përpoq të mbetem në Korçë, si edhe deputetët e Korçës, të shtyrë prej Kotës. Ministri qëndroi i paepur dhe siç mora vesh më vonë, nga një ministër që u ndodh në këshillë, e shtroi çështjen kështu: “Ja vjen Papakristo si drejtori i institutit, ja nuk e çel shkollën fare”. I propozuan ca emra arsimtarësh të vjetër, por asnjë s’pranoi, duke thënë se nuk qëndronin në atë shkollë, sa të tërhiqnin besimin e popullit. “I vetmi person që mund të sigurojë prestigjin e shkollës, është Papakristoja”. Këshilli i ndodhur para këtij qëndrimi të Ivanait, i cili më vonë kur u hoq nga ministria, m’i vërtetoi këto - pranoi emërimin tim si drejtor në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”. Moralisht për mua ka qenë një dëshmi e mendimit që kishin për karakterin e personit tim, për moralin tim. Por materialisht u dëmtova shumë. Akoma s’kishin kaluar dy vjet që nga ndërtimi i shtëpisë, akoma kisha ca detyrime; akoma kishin mbetur pa u kryer fare disa punime të vogla. Por ajo që më shkaktoi një helm të vërtetë, ishte se unë isha lidhur ngushtë me Korçën, aty isha rritur, mund të thoni, aty kisha bërë studimet e gjimnazit, aty kisha qenë profesor i gjimnazit gjatë dhjetë vjetëve; aty u martova dhe u lidha me një rreth familjar, nga të cilët më ishte e vështirë të shkëputesha. Temperamenti im, pastaj, është i tillë që më kushton shumë ndarja nga vendi, si dhe nga persona, me të cilët më ka lidhur një kohë e gjatë. Më në fund më vinte keq për familjen që do ta largoja nga një shoqëri e përparuar, siç ishte ajo e Korçës dhe ta shpija, në atë prapanike të Tiranës, ku, përveç të tjerave, s’gjeje dot as shtëpi për të qenë. Tërë këto më tronditën shpirtërisht, si dhe familjen time. Po nevojës i bindet edhe Perëndia thonë. Më hidhërim e lot në sy vendosa t’i bindem urdhrit. Gjatë ditëve të para isha i brengosur fort, edhe ca më shumë familja, përveç bashkëshortes së dashur Evdhoksi. Kjo më trime se unë, më jepte kurajë, dhe thoshte se mund të dalë ky transferim për mirë. Dhe me të vërtetë më vonë, u pa se doli për më mirë...


Shkurt: Shkolla në pak vjet hyri në rrugë të mbarë dhe do të vazhdonte të përmirësohej, po të mos kishte ndodhur stuhia e 7 prillit 1939, kur Italia pushtoi vendin dhe administratorët italianë zunë të preknin, përveç të tjerave, edhe shkollat me transferime dhe pushime drejtorësh dhe profesorësh.





Periudha VII (1939-1944)


Një nga viktimat e para të mendjelehtësisë së italianëve kam qenë edhe unë. Më 5 maj 1939, Ministria e Arsimit më transferoi në gjimnazin e Shkodrës. Ministër pati qenë Ernest Koliqi, njeriu i zhveshur nga çdo virtyt. Si argument i transferimit u paraqit fakti se nxënësit e institutit ishin tepër patriotë dhe në disa çaste shfaqën hidhërimin për humbjen e pavarësisë dhe urrejtjen ndaj Italisë fashiste! Dhe për këtë fajtor ishte drejtori, i cili edhe duhej dënuar. E çuditshme me të vërtetë politika italiane; pretendonin t’i prisnim krahëhapur pikërisht ata që na rrëmbyen lirinë! Sa axhaminj paskan qenë italianët në politikën kolonialiste dhe sa ndryshojnë nga anglezët!


Ky transferim më hidhëroi tepër si mua, si familjen time, për padrejtësinë dhe për çrregullimin që më solli në jetën time familjare. Isha rregulluar mirë në shtëpinë e institutit, ku banova gjashtë vjet me radhë; fëmijët kishin marrë radhë të mirë në shkollat e kryeqytetit. Më e madhja ishte se më prishi krejt planet e bukura për të ardhmen e shkollës... Vendimi relativ shtonte se do të qëndroja në instituti gjersa të merrnin fund provimet e maturës. Me të mbaruar provimet në fjalë shkova familjarisht në Korçë, ku qëndrova deri në ditët e para të shtatorit. Në këto ditë një telegram nga një profesor i gjimnazit të Shkodrës më njoftonte se filluan regjistrimet e nxënësve. Me dhimbje shpirti u ndava nga familja dhe në javën e parë të shtatorit 1939 arrita në Shkodër, ku mora drejtorinë e gjimnazit...


Këtu qëndrova gjer në fund pothuaj të nëntorit. Isha tepër i mërzitur, mendoja për vajzat që do të ndërronin shkollë, mendoja për gruan që do të jetonte në një shoqëri krejt të panjohur; kuptoja rrethanat e asaj kohe, përgjegjësia e drejtorit ishte e madhe, në mos e rrezikshme. Italianët okupatorë vëzhgonin çdo veprim në të gjitha aparatet shtetërore. Disiplina ishte e parealizuar, personali i dyshimtë. Nga detyrat dhe të drejtat e drejtorisë kisha hequr dorë fare pothuaj. Ia kisha lënë një profesori që ishte besnik dhe mik i Ernest Koliqit, ministër i atëhershëm i Arsimit.


Në ato kushte vendosa të kërkoja leje për të shkuar në Tiranë. Aty do të kuptoja nëse ishte e mundur të kërkoja transferim si profesor i gjimnazit të atyshëm. Leja m’u dha dhe unë zbrita në Tiranë, prej nga shkova në Korçë për të marrë familjen, se koha kalonte dhe vajzat humbitnin mësimet. U ktheva në Tiranë dhe fillova përpjekjet për të kërkuar transferimin. Për fat në ato ditë profesori i greqishtes u zu me drejtorin, vendi u lirua dhe me ndërhyrjen e Xhafer Ypit, ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, u emërova profesor i greqishtes, nën drejtorinë e Eqerem Çabejt, linguistit të dëgjuar. Po të mos lirohej vendi i profesorit në gjimnaz, nuk do të ishte e mundur të qëndroja në Tiranë dhe gjendja e familjes do të ishte problematike.


Pozita ime u rregullua, por mbeti për t’u rregulluar edhe banesa. Në atë kohë ishte shumë e vështirë, e pamundur pothuaj të gjeje shtëpi. Çdo përpjekje dështonte. Atëherë u shtrënguam të mblidheshim në dy dhoma të shtëpisë së Kristo Floqit. Këtu banuam tetë muaj. Gjatë kësaj kohe vuajtëm shumë si nga shkaku i ngushticës, ashtu edhe nga natyra e keqe e zonjës së shtëpisë. E mjera Evdhoksi sidomos hoqi shumë nga sjelljet barbare të gruas në fjalë. Ishte një grua anormale, grua e keqe dhe mendjelehtë, s’dinte e mjera Evdhoksi si t’i sillej; të bënte ndonjë punë të shtëpisë egërsohej duke thënë “është shtëpia ime”, të mos bënte ndonjë pastrim bërtiste: “shtëpia m’u bë si han i ndotur”. Kur ngrihej në mëngjes me zemër të ngrirë priste se si do ta gjente, me ç’damarë. Dridhej e shkreta. Tetë muaj vuajtje, o shpirt ëngjëllor! S’meritoje aq vuajtje, o grua zemërdhembshur... Lotët më bien tani kur i shkruaj këto dhe s’të kam që t’i kujtojmë edhe një herë....


(vijon nesër)