Më datë 07.06.2012, në kuadër të Ditës Botërore të Mbrojtjes ndaj Mjedisit, Qendra për Kërkim dhe Zhvillim dhe Fondacioni Banka e Ideve, organizuan një ekspeditë sensibilizuese dhe edukuese në Gjirin e Drinit, si pjesë e projektit shkencor “Studim ekologjik, përgjatë bregdetit Shqiptar, nëpërmjet monitorimit të Breshkave Detare, bioindikatorë globalisht të rrezikuar”. Këtë ekspeditë e udhёhoqi Prof. Dr. Idriz Haxhiu, përfaqësues i Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim. Tё pranishёm ishin Irida Hazizi, Kordinatore e Fondacionit Banka e Ideve, Elona Hana dhe Romina Koço, mësuese të Shkollës së Mesme Vitrina dhe Xhevat Gërdeci, mësues biologjie në një shkollë të mesme në qytetin e Tiranës, njohës në fushën e Biologjisë. Kësaj ekspedite iu bashkangjitën edhe një grup studentёsh të Fakultetit të Mjekësisë në Sh.L.P Vitrina, së bashku me pedagogёt e tyre. Pedagogët pjesëmarrës në këtë ekspeditë ishin: Prof. Dr. Feçor Agaçi, Mira Veizi, Dëshira Kokalari, Eva Becolli, Eralda Dano, Rendinela Çela, Eri Proda, Bledi Masati, Edlira Myrtaj dhe Erjola Xhuvani. Këta pedagogë shoqëronin në praktika studentët e degëve Farmaci viti i II, Mjekësi viti i II dhe i III, si edhe studentë të vitit të II dhe të III të Stomatologjisë.


Aktiviteti filloi me një bisedë që iu bë studentëve nga Prof. Dr. Idriz Haxhiu, në autobus, për Lagunën e Jashtme të Patokut, rëndësinë e saj për biodiversitetin, ekologjinë, sidomos për vlerat si habitat për gjallesat, që jetojnë në ujë: molusqe, gaforre, peshq, si dhe shumë lloje shpendësh. Krahas të tjerash, kjo lagunë ka vlera ekonomike dhe turistike.


Prof. Dr. Idriz Haxhiu, së bashku me mësuesin e biologjisë Xhevat Gërdeci, demostruan para studentëve, studimin e gjashtë individëve të breshkave të mëdha detare (Caretta caretta). Breshkat në fjalë u studiuan për hektoparazitë, si edhe për dëmtime të ndryshme në trupin e tyre. Nga kjo rezultoi se tre nga individët ishin të invaduar nga alga të gjelbra, lloje krustacesh (balanus) e lloje molusqesh (Mytilus galoprovincialis, ostrea sp.). Pesë nga individët në fjalë u markuan në gjymtyrën e përparme të anës së djathtë. Individi i gjashtë nuk u markua për arsye të përmasave të vogla të gjymtyrës. Njëra nga breshkat e detit rezultoi me këmbën e pasme të anës së djathtë të këputur dhe të riparuar. Breshkat në fjalë u studjuan edhe nga ana morfognostike ku rezultoi se, dy individë patën devijime në pllakat vertebrale, për shkak se, dy breshka kishin jo 5 (normalja) por 6 (anormale) pllaka vertebrale. Tre prej tyre kishin deviacione në siluetën e pllakave të kokës, pra nuk kishin 4 pllaka (normalja) por 5 të tilla. Pasi u kryen gjithë aktivitetet e përmendura më sipër, të gjitha breshkat e studiuara, u liruan në mënyrë ceremoniale, duke u rikthyer në det, në habitatin e tyre natyror. Në këtë ceremoni morën pjesë të gjithë studentët dhe pedagogët e pranishëm.


Më pas të gjithë pjesëmarrësit, me anë të dy varkave, përshkuan Lagunën e Brendshme të Patokut ku Profesori foli për vlerat e kësaj Lagune. Së fundi studentët të shoqëruar nga Prof. Dr. Idriz Haxhiu dhe pedagogët e tyre zbritën në bregun verior të grykëderdhjes së lumit të Matit, ku u fol për rëndësinë e botës bimore dhe shtazore të këtij vendi, duke iu treguar studentёve vlerat e bimёve tё kёsaj zone. Gjithashtu u krye një bisedë për vlerat e bregdetit të Tales. Në mënyrë të veçantë Profesori, foli për dunat, të cilat kanë vlera kulturore për historinë e tyre, për formimin e tyre, si dhe kanë vlera shumë të mëdha turistike.


Prof. Dr. Idriz Haxhiu dhe Irida Hazizi.