Për ata që i janë dedikuar lëmit të historisë së shkencës nuk është e rrallë përballja me eksperimente nga më absurdet të kryera gjatë periudhave të ndryshme të historisë dhe nga shkencëtarë të ndryshëm, herë-herë të pajisur me një guxim të marrë që shkon deri në kufijtë e vetëmohimit. Janë eksperimente që të bëjnë të ndiesh neveri, befasi, çudi, por jo rrallë të bëjnë të vësh buzën në gaz. Edhe pse bëhet fjalë për ndërmarrje të çuditshme, autorët e tyre nuk ishin krejtësisht të çmendur, por ishin shkencëtarë seriozë e të ndershëm, ishin dhe sigurisht vazhdojnë të jenë njerëz që nuk heqin dorë kollaj nga idetë e tyre, që refuzojnë të pranojnë shpjegime banale për mënyrën e funksionimit të botës. Ndonjëherë kjo vendosmëri i çon drejt zbulimeve të rëndësishme, por ka edhe nga ata që përfundojnë në akte çmendurie. Fatkeqësisht, askush kur ndërmerr një rrugëtim të tillë nuk e di saktësisht se ku do ta çojë eksperimenti, apo prova, por ky është një risk që të gjithë e marrin parasysh. Ja disa prej eksperimenteve, që në fakt marrin kahe më shumë për nga çmenduria se sa nga gjenialiteti.


Elefanti dhe LSD


Çfarë do të ndodhte në rast se një elefanti do t‘i injektohej një dozë e madhe droge, në rastin tonë një nga drogat sintetike LSD. Përgjigjja kësaj pyetje u dha në 3 gusht të vitit 1962. Atë ditë tre shkencëtarë të kopshtit zoologjik të Oklahomës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës injektuan në të ndenjurat e një elefanti 297 miligramë LSD. Kjo dozë ishte 3 mijë herë më e madhe nga ajo që injektojnë zakonisht përdoruesit e drogës. Shkencëtarët kishin menduar që për të parë efektin e drogës tek elefanti, një kafshë gjigante dhe e fuqishme, duhet që të injektonin një sasi të madhe droge. Në fakt, shkencëtarët donin të shihnin nëse kjo sasi e madhe do ta çonte kafshën në një gjendje agresiviteti të tillë, si ajo që kap elefantët meshkuj në disa raste dhe i bën që të sekretojnë një lloj lëngu shumë të rrallë. Të paktën ky ishte versioni zyrtar i eksperimentit, por shumë punonjës të kopshtit zoologjik mendojnë se bëhej fjalë për një eksperiment pervers dhe aspak njerëzor. Por çfarë ndodhi me elefantin? Sapo iu injektua lëngu ai reagoi sikur ta kishin qëlluar me armë zjarri. Bëri disa xhiro me turravrap rreth vendit ku ndodhej dhe më pas u plas në tokë, duke u gjunjëzuar fillimisht e duke u shtrirë sa gjerë e gjatë. Për një orë rresht kaloi një agoni të dhimbshme para se të ndërronte jetë. Sa për shkencëtarët, ata nga ky eksperiment dolën me konkluzionin se një elefant reagon shumë negativisht ndaj një mbidoze droge!

Tmerr në qiej

Subjekte të eksperimenteve nuk bëhen vetëm kafshët, por edhe njerëzit dhe në rastin më të keq pa dëshirën e tyre. I tillë është edhe rasti i disa ushtarëve, të cilëve iu ngarkua një detyrë diku larg, që përfshinte fluturimin me një helikopter ushtarak. Në gjysmë të rrugës piloti njofton se njëri nga motorët ishte dëmtuar rëndë dhe se i gjithë ekuipazhi ishte në rrezik. Pas disa çastesh ai njoftoi edhe një dëmtim të motorit të mbetur dhe u tha ushtarëve që do të tentonte një ulje emergjence, e cila ndoshta mund të përfundonte edhe me një tragjedi. Në një situatë të tillë stresi të jashtëzakonshëm, është e kuptueshme që ushtarët ishin të terrorizuar, por në fakt realiteti ishte ndryshe, sepse bëhej fjalë vetëm për një eksperiment të organizuar nga një degë e departamentit të psikologjisë së ushtrisë amerikane, që po kryente një studim në lidhje me reagimet njerëzore në raste të stresit ekstrem. Kështu, për të vlerësuar sjelljen e secilit, ushtarëve iu dha për të bërë diçka që njerëzit edhe në kushte normale e bëjnë me vështirësi dhe jo me ndonjë kënaqësi të veçantë. Ndërsa ata mendonin se helikopteri po përmbysej, iu ofrua nënshkrimi i një dokumenti, në të cilin ushtarët duhet të merrnin përsipër personalisht shpenzimet në rastin e një aksidenti me pasoja vdekjen. Pavarësisht situatës shumë tronditëse, ushtarët u ulën nëpër sediljet e tyre dhe nisën një nga një të hidhnin firmën në dokument. Sapo ata përfunduan, piloti uli helikopterin në pistë pa asnjë problem. Ashtu sikurse ishte, parashikohej ideja e një uljeje emergjente të vështirë, që kishte ndikuar në aftësinë e mbushjes së dokumentit. Në fakt, ushtarët kishin bërë shumë gabime në të shkruar në krahasim me një grup tjetër që kishte kryer të njëjtin veprim, por në kushte të ndryshme, pra në tokë dhe jo nën presionin e një stresi të madh.

Përse gudulisja na bën të qeshim?


Në vitin 1993, një profesor psikologjie në Ohajo të Shteteve të Bashkuara kreu një eksperiment ambicioz në shtëpinë e tij. Ai donte të zbulonte nëse të qeshurat e provokuara nga gudulisja janë një zakon që fitohet, apo një instinkt i lindur. Për këtë arsye arriti që të bindë edhe gruan e tij, që kjo për asnjë arsye të mos qeshte kur e guduliste fëmijën. Psikologu donte të shihte se cili do të ishte reagimi natyror i fëmijës ndaj gudulisjes, nëse rreth tij njerëzit nuk e shoqëronin aktin me qeshje. Kështu, për disa kohë fëmijës iu shmang gudulisja, por edhe kur ajo ndodhte, prindërit nuk e shoqëronin me të qeshur dhe prisnin që fëmija pasi të rritej paksa të reagonte në mënyrë natyrore. Gjithçka shkoi mirë për disa javë, derisa e shoqja i rrëfeu burrit të saj se e kishte shkelur njëherë, ndërsa po i bënte banjo fëmijës, pasi e kishte hedhur pupthi dhe fëmija kishte qeshur. Nuk dihet nëse ky rast prishi eksperimentin e profesorit, por ajo që dihet është se në moshën 7-muajshe foshnja sa herë që gudulisej qeshte e ngazëllehej. Nga eksperimenti i dështuar i profesorit, të paktën kolegët e tij mund të nxjerrin një përfundim të rëndësishëm: në çdo lloj eksperimenti është thuajse e pamundur që të kontrollosh të gjithë variablat, veçanërisht kur njërin prej tyre e keni marrë për grua.

Shprehja e neverisë

A shoqërohen emocionet te ne me të njëjtën shprehje të fytyrës. A ka për shembull një grimasë të vetme me të cilën mund të shprehim neverinë tonë? Në vitin 1924, një profesor psikologjie i Universitetit të Minesotës projektoi një eksperiment për t‘i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Kështu, ai bëri bashkë disa persona vullnetarë në laboratorin e tij dhe me një lapës dizajnoi në fytyrën e tyre disa linja për të parë më mirë lëvizjen e muskujve. Më pas tentoi të shkaktonte reagime të forta motive te të pranishmit, e ndërsa ata reagonin ndaj stimujve të ndryshëm ai i fotografonte. Kulmi i eksperimentit ishte kur psikologu solli në laborator një mi dhe u tha të pranishmëve që ta thernin në sy të njëri-tjetrit. Fillimisht pjesa më e madhe e tyre refuzoi, ndërsa një pjesë tjetër nisi të qante e të kishte reagime nga më të ndryshmet. Më në fund, pas shumë insistimesh, kishte persona të cilët pranuan që ta ekzekutonin miun. Eksperimenti i mësipërm demonstronte gatishmërinë e jashtëzakonshme të njerëzve për t‘iu bindur urdhrave, edhe kur ato janë absurde. Eksperimenti parashikoi 40 vjet para kohe përfundimin e një studimi të famshëm mbi shkallën e bindjes së qenieve njerëzore. Në fakt, psikologu ynë u nis për tjetër gjë në eksperimentin e tij, pa qenë kurrë i ndërgjegjshëm, se në fakt gatishmëria që treguan të gjithë për t‘iu bindur urdhrave të tij ishte shumë më interesante dhe një zbulim i vërtetë në krahasim me shprehjet që merr fytyra ndaj impulseve të ndryshme emocionale që vijnë nga jashtë.

Ringjallja e të vdekurve

Në vitet ‘30, një kërkues i Universitetit Berkli të Kalifornisë ishte i bindur se kishte gjetur mënyrën se si t‘i ringjallte qeniet e gjalla pas një vdekjeje ku organet jetësore nuk ishin dëmtuar. Teknika e tij konsistonte në vendosjen e kufomave në një lartësi e pozicion të caktuar, ndërkohë që u injektohej në gjak një sasi e caktuar adrenaline e bashkuar me antikoagulantë. Fillimisht eksperimenti u krye me qen të ngordhur. Shkencëtari e aplikoi teorinë e tij te disa qen që kishin 10 minuta që kishin vdekur. Eksperimentet e parë dështuan, ndërkohë që i pesti pati rezultat. Pas praktikimit të teknikës, qentë mes lehjesh e angullimash ia dilnin të rivinin në jetë, veçse në më të shumtën e rasteve të verbuar e me dëmtime të mëdha. Në këto kushte jetonin për disa muaj e më pas ndërronin jetë. Shumë vite më pas ai deklaroi se ishte gati që ta kryente eksperimentin edhe me një qenie njerëzore, ndaj nguli këmbë që t‘i jepnin kufomën e një të dënuari me vdekje. Fillimisht autoritetet kaliforniane ia dhanë, por më pas u tërhoqën pa i dhënë arsye. A thua të kenë pasur frikë se mos eksperimenti funksiononte dhe ata do të detyroheshin ta linin të lirë kriminelin e ringjallur?


Gjeli i eksituar

Ndërsa po kryenin disa studime mbi sjelljen seksuale të gjelave të detit, disa profesorë të Universitetit të Pensilvanisë zbuluan se mashkulli i species ishte shumë i dhënë pas seksit. Kështu, nëse do të mbyllej në një dhomë me një pulë false, pra prej lecke, ai do të reagonte sikur ajo të ishte e gjallë. Të befasuar nga ky reagim, shkencëtarët e vazhduan eksperimentin për të parë se cili do të ishte stimuli minimal i eksitimit për një gjel deti mashkull. Për të parë reagimin, pulës prej lecke iu hoqën një nga një të gjitha pjesët e trupit, fillimisht bishti, pastaj krahët e vetë trupi, por sjellja e gjelit ishte gjithmonë e njëjta, pra pasiononte. Në fund mbeti vetëm koka e ngulur në një shkop. Gjeli sërish i pasionuar njësoj, madje preferonte më shumë një kokë të ngulur në shkop, sesa një trup, pa kokë. Shkencëtarët ngritën hipotezën se preferenca për kokën vinte nga mekanika e çiftëzimit të gjelave të detit me pulat. Kështu, kur çiftëzohen, gjeli i detit, që ka një trup më të madh, edhe pse e mbulon femrën fizikisht, i lë jashtë kokën. Si përfundim doli se objekti kryesor i erotizmit te gjelat e detit ishte koka. Para se të vëmë buzën në gaz me zakonet seksuale të kësaj specieje, ne qeniet njerëzore duhet të sjellim në vëmendje faktin se specia jonë ndodhet në majë të piramidës për sa i përket perversiteteve të çiftëzimit. Qenia njerëzore mund të çiftëzohet me gjithçka. Një shembull klasik është për shembull ai i adoleshentit anglez, Thomas Granger, që në vitin 1642 ishte qenia e parë njerëzore që u gjykua në Londër për akuzën e rëndë se... ishte kapur ndërsa kryente marrëdhënie seksuale me një pulë deti.

Qentë me dy koka

Në vitin 1954, kirurgu sovjetik, Vladimir Demikhov, çuditi botën kur deklaroi se kishte arritur që përmes bisturisë, pra përmes operacionit, të krijonte një krijesë me dy koka në një laborator të Moskës. Ai kishte transplantuar kokën, shpatullat dhe këmbët e pasme të një qeni këlysh në qafën e gjerë të një pastori gjerman. Krijuesi i kësaj qenieje ftoi të gjithë gazetarët e botës që të shikonin specien e re, qenin me dy koka. Për të gjithë ishte një gjë e jashtëzakonshme. Veçanërisht interesant ishte fakti që të dyja kokat ndanin disa shprehje sensoriale. Gazetarët vunë re se kur qeni më i moçëm kishte uri, edhe qeni tjetër kërkonte ushqim. Qeni i çuditshëm me dy kokë i rusit jetoi vetëm 6 ditë. Kirurgu e përsëriti sërish e sërish eksperimentin e tij, edhe me qen të tjerë, por askush nuk mundi të kalonte një muaj jetë, pasi menjëherë verifikohej problemi me kompatibilitetin e enëve të gjakut të dy kafshëve të ndryshme. Ndërsa bënte këtë eksperiment, rusi u kthye në pararendësin e transplantimeve të organeve, që sot realizohet me shumë sukses e që për herë të parë u eksperimentua me sukses, ndoshta edhe falë eksperimentit të rusit nga Christian Barnard në dhjetor të vitit 1967.



Doktori që pinte të vjellat


Deri në çfarë pike jeni të gatshëm të sakrifikoni për të vërtetuar se teoria juaj është e drejtë? Në fillim të viteve ‘800, një mjek praktikant nga Filadelfia bëri atë që shumëkush nuk do ta bënte, madje shkoi edhe më tej se kaq. Për të provuar teorinë e tij se ethja e verdhë nuk është sëmundje ngjitëse, por shkaktohet nga faktorë të tillë si temperaturat e larta, ushqimi etj. vendosi që t‘u tregonte të tjerëve se pavarësisht ekspozimit ndaj sëmundjes ajo nuk do ta infektonte. E filloi eksperimentin e tij duke krijuar të çara të krah në të cilat hidhte sekrecionet e të sëmurëve me ethen e verdhë. Në fakt nuk u sëmur, por nuk u ndal me kaq. I hodhi sekrecionet e të sëmurëve në sy , në gojë, në trup. Mbushi një dhomë të tërë me të vjellat e tyre dhe qëndroi i mbyllur brenda në aromën e tyre për 2 orë rresht. Sërish nuk e mori infeksionin. Më pas të vjellën e thau dhe e gatoi në formë kapsulash të cilat i gëlltiti. Arriti deri aty sa të pinte të gjitha lëngjet trupore të të infektuarve përfshi urinën, dhe gjakun dhe sërish nuk u infektua. Në fund të gjithë këtij kalvari deklaroi tezën e tij tashmë të vërtetuar se ethja e verdhë nuk është sëmundje ngjitëse. Por gabohej. Sikurse e dimë tashmë, ethja e verdhë transmetohet përmes gjakut dhe vetëm përmes pickimit të një lloj mushkonje të veçantë. Pavarësisht rezultatit të gabuar është për tu vlerësuar përpjekja e mjekut për të shkuar deri në eksperimente ekstreme me qëllim vërtetimin e teorisë për të cilën ishte i bindur se ishte e drejtë.