Grupi i ekspertëve për lajmet e rreme, i Komisionit Evropian, ka bërë thirrje për kod parimesh që platformat online dhe rrjetet sociale duhet ti respektojnë.


Por, në raportin e publikuar më 12 mars, nuk ka pasur listë të mediave apo kompanive specifike që kanë shpërndarë lajme të rreme.


Duke folur në Bruksel, pasi raporti iu dërgua Komisionit Evropian, kryetarja e këtij grupi nuk foli për lista të zeza të platformave mediatike që përhapin dezinformata.


Kryetarja e grupit, Madeleine de Cock Buning profesoreshë holandeze për të drejtat e autorit dhe ligjit mbi mediat tha se epsketët kanë këshilluar kundër krijimit të një liste të zezë.


Për ne, liria e medias është aspekti më i rëndësishëm, ka thënë ajo.


Ajo çka ne këshillojmë të bëhet është verifikimi i informacioneve, ka thënë tutje ajo.


Në raport po ashtu nuk përmenden burimet e dezinformatave ose nëse shtetet apo partitë politike qëndrojnë prapa fushatave të dezinformimit.


Na është kërkuar që të shikojmë praktikat më të mira që po ndodhin sa i përket dezinformimit dhe që ne të gjejmë zgjidhje, ka thënë ajo.


Madeleine de Cock Buning ka pranuar se nuk ka hulumtime të mjaftueshme në Evropë për burimet e sakta dhe impaktin e saktë të lajmeve të rreme.


Ky grup ka bërë thirrje që platformat online të shpjegojnë se si algorimtat përzgjedhin se cilat lajme të shfaqen. Grupi gjithashtu ka inkurajuar mediat evropiane dhe rrjetet sociale që të ndërmarrin masa efektive për të përmirësuar dukshmërinë e lajmeve të besueshme dhe të lehtësojnë qasjen e përdoruesve në to.


Grupi, i cili nisi punën në janar, përbëhet nga 39 ekspertë nga grupe mediale dhe kompanitë, si Google dhe Facebook.


Këto gjetje mbështesin përgatitjen e një plani të Komisionit Evropian për të luftuar dezinformatat online, që pritet të publikohet gjatë muajit prill.


12 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)