Si një prej zonave më të riskuara nga përmbytjet, ambasada holandeze solli në Shkodër një grup ekspertësh në këtë fushë. Ata janë njohur me rrezikun nga përmbytjet por edhe kanë folur për mundësinë e hartimit të projekteve që do të shmangnin njëherë e përgjithmonë këtë problem për rajonin e Shkodrës. Delegacioni nga Holanda zhvilloi një takim me prefektin e Qarkut Shkodër Paulin Radovani i cili i priti në zyrën e tij bashkë me grupin e specialistëve. Bart Teeuwen, këshilltar ligjor për menaxhimin e ujerave u shpreh se do shihet mundësia se si mund të adresohet çështja e përmbytjeve në Shkodër. "Është një mision për parandalimin e përmbytjeve, ne e shohim në një këndvështrim më të gjërë, për të gjitha zonat e prekura dhe do shohim se si mund të adresohen sa më mirë këto probleme. Ne jemi në dijeni edhe për përmbytjet që kanë ndodhur në Shkodër në vitin 2010. Kemi bërë disa përpjekje për ta dizinjuar situatën dhe për të marrë disa masa që mund të shihen në vazhdimësi për adresimin e këtyre çështjeve". Prefekti Radovani drejtpërdrejtë kërkoi nga holandezët që të ndihmojnë me financimin e projekteve konkrete që do eleminonin rrezikun e përmbytjeve. "Në Shkodër ndodh përmbytja e madhe ku nuk del nga shtrati vetëm përroi apo lumenjtë por lëviz edhe liqeni. Jo të bërtasim vetëm se duam paratë e dëmshpërblimeve por duhet që edhe të harxhojmë para që të mos përmbytemi. Kjo është kërkesa konkrete që do të donim nga ju. Do donim edhe një studim të mirëfilltë të situatës sepse janë bërë studime të ndryshme deri tani por asnjëherë nuk janë vënë në zbatim". Në përgjigje Teeuwen u shpreh se pikërisht ky është edhe qëllimi i ardhjes së tyre në Shkodër. "Do të ishte mirë që të bëhet një by pass apo e thënë ndryshe një kanal i madh përreth qytetit në mënyrë që ta kalojë lumin Drin dhe të shkojë në liqen që është afër qytetit. Kemi disa shembuj pozitiv në Hollandë ku kemi bërë by pass për të shpëtuar qytete të ndryshme. Në do shohim mundësinë e reduktimit të shkaqeve që sjellin përmbytjet në Shkodër". Redaksia Online (Shqiptarja.com) 19 Ndiqni Shqiptarja.com në Facebook dhe në Twitter TAG: bart teeuwen permbytje