Një portret që fle në kasafortën e një banke të Athinës mund të jetë puna e fundit që piktori i madh nxori nga duart. Kështu mendojnë disa ekspertë dhe koleksionues veprash arti, të cilët po përpiqen të vërtetojnë autenticitetin e veprës së zbuluar mes pasurisë që dikur zotërohej nga një luftëtar grek i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore.



Zbulimi i veprës, bashkë me të cilën është gjetur edhe një bllok shënimesh mbushur me skica nga dora e piktorit, ka ngritur mundësinë e ekzistencës së një portreti të tretë të mjekut të tij, Dr. Gaçet, pikturuar nga post-impresionisti ndoshta vetëm pak ditë përpara se problemet mendore ta shtynin drejt vetëvrasjes në moshën 37-vjeçare. Për historianët e artit vepra veçse do t‘i shtojë më shumë paqartësitë dhe polemikat që vërtiten rreth një prej etërve të artit modern.



"Është treguar shumë interes për veprën nga muze shumë të mëdhenj, si dhe nga shtëpi të rëndësishme ankandesh", shpjegoi pronarja e pikturës, Doreta Pepa. "Shumë shpejt një institut autoritar në këtë fushë do lëshojë një deklaratë zyrtare mbi historikun e saj, që nuk do lërë asnjë dyshim mbi faktin se është punuar nga dora e piktorit të madh".



Pepa shpjegoi se historia e pikturës i ka rrënjët në Francë, kur nazistët e vodhën nga një familje hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pasi forcat hitleriane marshuan drejt Greqisë, në prill të vitit 1941, vepra u soll në Athinë, në një qendër ku ekspozoheshin vepra arti që u ishin marrë armiqve.



Pronarja e veprës, njëherësh edhe shkrimtare, shpjegon se vepra kishte rënë në duart e të atit, Meletisit, një figurë e rëndësishme në lëvizjen partizane greke, gjatë sulmit mbi një tren gjerman (transporti i vetëm në ditët e fundit të pushtimit nazist).



"Nuk është i vetmi thesar që ra në duart e babait tim atë kohë, por duke qenë se kuptoi menjëherë vlerën e jashtëzakonshme të veprës, vendosi ta ruante për vite të tëra në një vend të sigurt", tregoi gruaja. Pepa e vendosi për të ruajtur punën në kasafortën e një banke pas bisedës me numrin një të Galerisë Kombëtare Greke, i cili pasi studioi imtësisht teknikën dhe firmën, i shpjegoi që jo vetëm kishte në dorë një pikturë origjinale të Van Gogut, por edhe një ndër më të rrallat.



Testet e kryera nga ekspertë të tjerë e mbështetën edhe më tej autenticitetin e veprës. "Ka kaluar nëpër aq shumë analiza laboratorike, sa jam njëqind për qind e sigurt se është pikturuar nga dora e Van Gogut", tha Athanasios Celia, piktor dhe historian arti që banon dhe punon në Paris. "I kemi analizuar imtësisht materialet që janë përdorur për ta realizuar dhe unë personalisht nuk kam asnjë dyshim se është vepër unike, shtoi. Duke pasur parasysh faktin se edhe portretet e tjera të mjekut Gaçe qenë punuar gjatë fundit të jetës së Van Gogut, me shumë gjasa kemi zbuluar punën më të fundit të punuar nga piktori".



Mendohej deri vonë se piktori holandez kishte krijuar dy portrete të mjekut që e mbajti nën kujdes gjatë muajve të fundit të jetës. Njëri prej tyre zotërohet nga "Musée d‘Orsay" në Paris. Tjetri, i cili iu shit industrialistit japonez Roei Saito për afërsisht 70 milionë euro nga shtëpia e ankandeve "Christie‘s", për 14 vjet mbajti rekordin si piktura më e shtrenjtë e shitur gjatë një ankandi.



Por, në një treg ku gëlojnë punë të falsifikuara të Van Gogut, mbi pikturën e zbuluar në Athinë vendosen pikëpyetje të mëdha. Në vitin 1990, revista franceze "Art" deklaroi se portreti i Dr. Gaçetit, që ekspozohej në "Musée d‘Orsay", nuk qe tjetër veçse një falsifikim. Dyshimet u thelluan edhe më tej duke qenë se disa studiues arritën në përfundimin që vetë doktor Gaçet mund të ketë pozuar për realizimin e disa prej imitimeve. Edhe blloku i shënimeve të Van Gogut, i zbuluar bashkë me pikturën, nuk arrin t‘i bindë të gjithë. Madje, muzeu i Van Gogut në Amsterdam e ka konsideruar zyrtarisht jo autentik. Pepa shpjegon se stema dhe kodi nazist në pjesën e prapme të bllokut shërben si provë tjetër që vërteton autenticitetin e tij.



Duke qenë se identiteti i ish-pronarëve çifutë të veprës nuk është zbuluar gjatë këtyre viteve, ashtu si edhe nuk ka pasur asnjë pretendim mbi pronësinë, sipas ligjit grek vepra i përket zyrtarisht Pepës. Disa ekspertë mendojnë se vlera e veprës i kalon 100 milionë dollarët.













Marrëzi dhe ankth







Në javët e fundit të jetës së tij të trazuar, Vinsent Van Gog përkundej mes gjendjeve të skajshme emocionale. Periudha të zgjatura torturash shpirtërore e depresioni të thellë ndërpriteshin nga shpërthime hareje dhe kreativiteti. Në një situatë të tillë mendore e shpirtërore mendohet se ka punuar edhe veprat e fundit të jetës.



Megjithëse edhe sot mbetet i paqartë lloji i depresionit mjekësor prej të cilit vuajti Van Gogu, dihet se puna përbën një dritare në jetën e tij të trazuar. Si ekspresionist, gjendjet e tij shpirtërore paraqiteshin rregullisht në punët artistike. I shkruante vëllait të tij të dashur, Teos: "Edhe në atë mjerim të thellë, ndjeja të më rigjallëroheshin energjitë dhe i thashë vetes: pavarësisht, duhet të ngrihem përsëri më këmbë, duhet ta marr penelin në dorë". Mendohet se gjendja e tij shpirtërore u përkeqësua veçanërisht shumë me zhvendosjen në Paris, në moshën 33-vjeçare, ku u përzje edhe me elitën artistike të qytetit. Kishte një sistem nervor tejet të brishtë, të cilit nuk i vinte në ndihmë as përdorimi i alkoolit, i duhanit, apo dieta shumë e keqe ushqimore, ku ndonjëherë përfshihej edhe ndonjë copë e pikturave të veta.



Psikologët që kanë studiuar punët e Van Gogut besojnë që u zhyt në depresion për shkak të perceptimit si kërcënime të raporteve që kishte me njerëzit që i qëndronin pranë, mes të cilëve më i rëndësishmi ishte Teo, martesën e të cilit artisti e konsideronte si rrezik që do ta largonte nga i vëllai.