Vlorë





Deputeti socialist, Eltar Deda, ka qenë me djalin e tij të vogël, kur ka vënë re në kofanon e makinës dhe poshtë saj dy bidonë plastikë të mbushur me benzinë dhe të lidhur nëpërmjet fitilit me një detonator




Joniana Xhaferri


Vlorë - Pa kaluar mirë dhjetë ditë nga atentati me eksploziv ndaj një Këshilltari Bashkiak, përfaqësues të partisë Socialiste në qytetin e Vlorës, një tjetër figurë drejtuese e degës së PS-së në këtë qytet është bërë objekt i një kërcënimi të hapur për jetën. Deputeti socialist dhe njëherazi kryetar i Partisë Socialiste për qytetin bregdetar, Eltar Deda, ka qenë dje objekt i një atentati të mbetur në tentativë.


Ka qenë ora rreth 08:00 e mëngjesit, kur Deda ka dalë si çdo ditë nga shtëpia së bashku me djalin e tij të vogël, të cilin do ta shoqëronte për në shkollë. Ai ka shkuar të marrë makinën e parkuar afër banesës së tij. Por pa hipur mirë në makinë, Deda ka parë në kofanon e makinës një bidon plastik. Pasi e ka këqyrur me vëmendje, deputeti socialist ka vënë re se bidoni ishte i mbushur me rreth gjysmë litri benzinë. Ai ka larguar të birin nga makina dhe më pas është afruar vetë për të parë më hollësisht se çfarë kishte në makinë. Mandej, poshtë automjetit Deda ka gjetur një tjetër bidon të vogël plastik, i mbushur edhe ky me benzinë dhe i lidhur me një fije përcjellëse, tip fitili me një detonator.


Menjëherë deputeti ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.


Policia


Sipas njoftimit zyrtar të policisë lokale, ngjarja ka ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, të qytetit, ku poshtë automjetit të markës “Voslvagen”, me ngjyrë gri metalixato, me targa “VL 5900 C”, është gjetur një sasi e dyshuar si lëndë plasëse.


Nga kryerja e veprime të para hetimore, si dhe këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se poshtë automjetit ndodhej një bidon plastik 0.8 litra, i mbushur me lëndë të dyshuar si benzinë, në trupin e së cilës ishte montuar një kapsollë detonatore, me fitil zjarr përcjellës, ndërsa në kofanon e automjetit është gjetur një tjetër bidon plastik 1.5 litra, me një sasi të vogël lëndë e dyshuar benzinë. Policia thotë se materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje ia ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “shkatërrim i pronës me eksploziv të mbetur në tentativë”. Ngjarja e djeshme ka ndodhur vetëm pak ditë pasi një atentat me eksploziv i është bërë këshilltarit bashkiak të PS-së, Morand Hoxha. Ky i fundi mbeti i plagosur, pasi një sasi eksplozivi shpërtheu në makinën e tij tip “Benz Mercedes”. Megjithëse policia nxitoi në atë rast të thoshte se atentati që desh i mori jetën Hoxhës kishte shkaqe personale, autorët e ngjarjes nuk u gjetën dhe madje asnjë informacion nuk është dhënë për ecurinë e hetimeve.





Reagim i deputetit socialist Arben Malaj:


“Brenda një kohe shumë të shkurtër, qyteti i Vlorës është tronditur nga dy akte kriminale ndaj përfaqësuesve politikë të Partisë Socialiste. PS dhe të zgjedhurit e saj në qytetin dhe qarkun e Vlorës, në të gjitha mandatet e tyre janë plotësisht të angazhuar për një ambient politik sa më të qetë dhe për një ballafaqim politik konkurrues, pa nxitur tensionet ndër partiake. Krijimi i besimit, sigurisë dhe shpresës tek të gjithë qytetarët e qarkut të Vlorës mbetet detyrimi ynë prioritar dhe i përhershëm. Kontributi edhe personal i kryetarit të PS-së, Eltar Deda, për një opozitë larg grindjeve dhe tensioneve partiake, është i njohur dhe i vlerësuar nga qytetarët e Vlorës. Vlora nuk duhet për asnjë arsye të preket sadopak nga pasojat e situatës së rënduar politike, ekonomike dhe sociale në vend. Sigurimi i rendit dhe qetësisë, goditja e menjëhershme dhe e ashpër e akteve kriminale, ndaj çdo qytetari të Vlorës dhe ndaj përfaqësuesve të çdo partie politike përbën një detyrim jo vetëm ligjor të qeverisë “Berisha”. Qeveria duhet të identifikojë dhe dënojë autorët e këtyre veprimeve kriminale”.






Flet deputeti



Deda: Nuk kam asnjë konflikt personal


Vlorë - I kontaktuar menjëherë pas ngjarjes, kreu i PS-së për qytetin e Vlorës ka hedhur poshtë çdo mundësi që kërcënimi për jetën e tij të ketë lidhje me motive personale. “S’më shkon në mendje asnjë konflikt, pasi s’kam asnjë të tillë. Mund të jetë edhe për shkak të punës. Gjithsesi ngjarja i ka kaluar policisë, tek e cila kam besim se do ta zbardhë atë”, - ka deklaruar Deda, dje pas atentatit të dështuar ndaj tij.


Deputeti socialist ka pranuar gjithashtu të tregojë për mediat momentet e ngjarjes, kur ka zbuluar lëndën plasëse në makinën e tij. “Dola si çdo mëngjes për të çuar djalin në shkollë, dhe shkova të marrë makinën në vendparkimin e përhershëm afër banesës sime. Më bëri përshtypje një bidon 1.5 litra, plastik, i mbushur me rreth 0.5 litra benzinë, i cili ishte mbi kofanon e makinës. I kërkova djalit të largohej më tej dhe hipa brenda në makinë. Ndeza makinën dhe eca jo më tepër se dy metra. çudia ishte se ndjehej një erë e fortë benzine edhe në brendësi të mjetit. Ndalem dhe pyes një komshi i habitur për bidonin plastik me benzinë mbi kofano. Pikërisht ky më tërhoqi vëmendjen për bidonin që varej poshtë makinë. U ula e pashë ishte një bidon gati gjysmëlitrosh, i mbushur edhe ky me benzinë dhe kishte një fitil, rreth 0.5 metra të gjatë dhe ishte mbështjellë me një detonator. Menjëherë lajmërova policinë, e cila mori sendet e gjetura, si edhe makinë për veprime hetimore”, e mbyll rrëfimin e tij kryesocialisti i Vlorës. Ai nuk ka pranuar të bëjë komente të mëtejshme rreth ngjarjes, duke rikonfirmuar se gjithçka tashmë është në dorë të policisë dhe prokurorisë. Deri në orët e vona të mbrëmjes asnjë informacion nuk ka pasur nga të dyja këto institucione lidhur me hetimet apo persona që mund të jenë shoqëruar për t’u pyetur lidhur me ngjarjen.