Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në afërsi të ambienteve të ekspozitës "Shqipëria Sot", duke tronditur banorët e Tiranës. Shpërthimi ka ndodhur te një dyqan vetratash, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se shpërthimi ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë uniformat blu. Sipas informacioneve nga policia, me të dëgjuar shpërthimin, zona është rrethuar nga punonjësit e policisë, të cilët kanë nisur punën edhe për qetësimin e banorëve që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nga të dhënat e para ka rezultuar se shpërthimi kishte ndodhur te një dyqan vetratash, në pronësi të Elidon D. Sipas grupit hetimor, nga të dhënat e para dyshohet se për shpërthimin është përdorur tritol. Sasia e tritolit të përdorur mund të jetë rreth 20 gramë. "Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, vetëm dëme materiale në dyqan, si dhe disa makina që ndodheshin të parkuara para dyqanit", deklaruan burimet e policisë së Tiranës. Gjithashtu, policia po heton për autorët dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, si dhe po bëhet vlerësimi i dëmeve materiale. Grupi hetimor shtoi se pista e parë e hetimit është ajo e konflikteve që mund të ketë pasur pronari i dyqanit, por një gjë e tillë është mohuar prej tij. Ai ka deklaruar se nuk kishte ndonjë dyshim mbi autorët e ngjarjes. Ndërkohë, nga shpërthimi është dëmtuar edhe një tjetër lokal që ndodhej aty, të cilit i janë thyer xhamat, si dhe i janë dëmtuar pajisjet brenda lokalit. Policia tha se ka ngritur dyshimet e para mbi autorësinë e ngjarjes dhe po punon për dokumentimin e plotë të saj.