19/03/2012   Në sallën e Muzeut Kombëtar është hapur ekspozita e piktores meksikane Fany Mares, e titulluar “Ngjyrat e Meksikës”. Vetëm dhjetë tablo të punuar me akrilik, në përmasa afërsisht të njëjta, vijnë njëra pas tjetrës, si një kolazh apo libër i hapur, e faqe pas faqe njihesh me të kaluarën, mitet, legjendat, figurat, peisazhin meksikan. Në to artistja shpalos e përthyen historinë e vendlindjes, duke zbuluar rrënjët artin dhe ushqimin e tyre. Hap pas hapi shikuesi zhytet gjithnjë e më shumë në botën meksikane.


Fany Mares është lindur në Meksiko City në vitin 1969 dhe rrjedh nga një familje artistësh. Që në moshën pesëvjeçare shpërngulet në SHBA dhe këtu fillon pikënisja e saj. Zbuloi papritur pikturën dhe fillon të afrohet e joshet nga piktura. Shenjat i kishte marrë si kode të pazbërthyeshme tek shikonte të atin e xhaxhanë Alberto tek pikturonin dhe ajo vajzë e vogël u sillej nëpër këmbë. Më vonë do të ndiqte mësimet e tyre drejt rrugës së artit që bëhet ëndrra e jetës. Nxitet nga prindërit dhe kryen shkollën e mesme artistike në Hjuston. Më pas kthehet në Meksikë për të mbaruar studimet në Universidad de las Americas dhe në Universidad Nuevo Mundo, Akademinë për Art e Vizatim, e cila bazohet në artin realist.


Piktorja ka marrë pjesë në afërsisht 15 ekspozita kolektive në botë dhe ka hapur dy vetjake. Pak kohë më parë ka marë pjesë në konkursin “La Finestra e Tera” në Milano, që zhvillohet një herë në katër vjet, ku fiton kupën me vendin e parë. “Ideja e ardhjes në Shqipëri u mundësua nga të dy, thotë Nelton Bereti, bashkëpuntor i ngushtë në aventurën e saj shqiptare, i cili ka fituar Medaljen e arit për shkrimin “Frymëmarrje” në konkursin e mësipërm. Sapo mbyllëm ekspozitën në Milano dhe na lindi ideja e një ekspozite në Shqipëri. Kujtuam se ishim të parët që sillnim artin meksikan. Është një nismë indivuduale, pa asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore”.


Në muajin prill të dy artistët do të jenë në Romë, në një tjetër konkurs të organizuar edhe ai nga Ministria e Kulturës italiane.


“Çdo gjë, vijon Neltoni, është ndërtuar, është bërë në frymën e bashkëpunimit, sepse nuk është thjesht ekspozimi i një ngjyre, një pikture, por është prania e një shteti, një kombi, duke filluar që nga flamujtë, shkëmbimi i kulturave. Është një urë miqësie e afrimi midis dy vendeve”. Ndërsa Fany duke buzëqeshur shton se “kam shtatë ditë që jam këtu dhe është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam shumë e impresionuar për mikpritjen që gjeta dhe sidomos për intersimin që kanë shqiptarët për kulturën dhe artin meksikan. Bashkë me Elltonin kemi bërë disa fotografi të ndryshme, kemi shkuar në disa vende në Tiranë, ku kam gjetur shumë motive që mendoj më pas t’i kthej nesër në telajo”.


Në punimin e parë paraqetet “Katedralja e Meksiko Citit”, një nga ndërtesat më të mëdha të Meksikës. Ka nisur ndërtimin në vitin 1573 mbi rrënojat e një tempulli aztek dhe qëndron si dëshmi e kolonializmit spanjoll kur kristianizmi bënte hapa përpara në vend, por shpreh edhe identitetin kulturor meksikan. Me kohë kristianizmi është shtresuar gjërësisht në Meksikë i kthyer në një realitet dhe sot pjesa më e madhe e meksikanëve janë katolikë romakë.


Pushtuesit spanjollë ndërtuan mbi kulturën tempujt e lashtë eztekë ndërtimet e tyre të kultit. Piktorja nuk dëshmon se çfarë është bërë. Nuk është ky qëllimi i saj. Një tempull kristian është po aq i dashur dhe i rëndësishëm sa edhe ai pagan. Për të të kaluarat pagane janë të lidhura pazgjithshmërisht me shtresimet e mëvonshme sado të dhimbshme të kenë qenë si pjesë e realitetit meksikan.


Në tablonë e dytë, të titulluar “Penacho Azteca” është paraqitur udhëheqësi aztek Montezuma, me kapelen me pupla shumëngjyrëshe, ornament zbukurimi e simbol i aztekëve adhurues të Perëndisë Diell. Këto simbole gjenden në ceremoni e rituale fetare të ndryshme që zhvilloheshin në vend. Puplat e kapeles shkojnë deri në një diametër prej 175 cm. Sot Penacho përdoret nga indigjenë në shumë pjesë të Meksikës në vallet e tyre tradicionale.


Në thjeshtësinë e tij prijësi legjendar është monumental, sikur shfaqet beftas nga humbëtirat e kohës vital, kockërëndë si një gur kilometrik plot stoicizëm e burrëri, por dhënë me shumë thjeshtësi që të imponohet natyrshëm. Simboli i diellit njehësohet me vetë personazhin.


Kapelja “Pinjata”, një tjetër simbol krenarie i kombit e quajtur përkrenarja e të besuarve, e cila materializohet grafikisht në një buqetë koloristike në tablonë me të njejtën emër. Prejardhja e saj vjen nga një lojë e hershme e popullit meksikan. Pushtuesit spanjollë, kapelen në formë topi e shndërruan, duke i shtuar cepa dhe e mbiquajtën “kapelja e djallit”. Ajo goditej dikur me shkop, ndërsa sot është kthyer në festë popullore. Gjendet në shumë ndeshje sportive dhe mbahet nga tifozët meksikanë. Kapelja mbushet kryesisht me fruta ose me karamele dhe është pjesë e simboleve të popullit meksikan.


Peisazhi i titulluar “Xochimilco” është një vend i veçantë për meksikanët, si një qendër tregtare dhe turistike, e përmendur për kanalin e saj të famshëm me lule. Një vend shumë i bukur, shumë piktoresk, që frekuentohet më shumë nga vetë meksikanët se sa nga të huajt. Është, si të thuash, një kult i popullit dhe ruhet me shumë fanatizëm. Lexuesit e librave janë njohur me të, në faqet e librit “Bija e Montezumës”, ku djaloshi Tomas përfundon në brigjet e këtij lumi ose kanali, brenda në një vozë druri. Ksokimilko ka qenë gjithmonë një urë ndërthurëse midis tokës dhe oqeanit, një strehë e udhë ujore shumë e sigurt e fshehur nga vetë natyra. Thuhet se, Zoti e krijoi për t’u dhënë popullsisë vendase një mundësi, një hap më shumë për të fshehur lëvizjet e tyre në transportin e të mirave materiale.


“Valltarja” paraqet një vajzë trupzhdërvjellët në një valle folklorike meksikane. Është një veshje, ku përzihen elementë të kostumeve vendase me ato spanjolle, si një veshje qytetare. Vallëzimi dhe veshjet e valltarëve janë pjesë përbërëse e folkut meksikan, si një përzjerje e atyre azteke me ato spanjolle. Sot në Meksikë mund të gjesh shumë gërshetime të kulturës Maja e Azteke dhe një mbështetje në filozofinë e tyre. Të dy degëzimet kulturore janë zhvilluar brenda vendit, në krahina të ndryshme si në Meksiko Siti e rrethinat dhe në pjesën jugore të tyre dhe janë pjesë e kulturës meksikane. Koha ka humbur dallimet dhe mbi to është shtresuar kultura kristiane dhe ajo moderne.


“Chac – Mool” është një hyjni e begatisë e bujqësisë dhe figurë shumë e dashur popullore, paraqitur si një skulpturë e shenjtë, e cila është ndërtuar për të qenë një tribu i fiseve, të cilën piktorja e jep me shumë vërtetësi e detaje. Nuk është skulptura kult hyjnizimi më domethënëse e Meksikës, por është një nga skulpturat më të rëndësishme, sepse gjendet në vende të ndryshme të Meksikës, në muze, në ekspozita, simbol i lashtësisë, legjendave.


Një kupë mbahet me shumë kujdes nga hyjnia në mes të trupit, shtrënguar nga këmbët. Kupa e mbushur nga gjaku i viktimave, ka qenë vendi, ku vendosej e ruhej zemra e viktimës, që sakrifikohej nga priftërinjtë paganë. Praktikimi i sakrifikimit njerëzor në kulturën azteke, ka qenë një shfaqje e rëndomtë shoqëruese e jetës.


Me kalimin e kohës, figura e prijësit dhe kulti fetar, kanë ecur në mënyrë të njëtrajtshme, në linjat bashkëkohore dhe realiteti i përjetuar me kalimin e shekujve, plazmohet në kulturën e sotme si një simbolikë domethënëse.


Në përgjithësi populli meksikan arrin ta identifikojë veten me këto kulte, po ashtu dhe vetë autorja e ka brenda vetes këtë shtrezim kulturor. Kohët moderne mund ta shkatërojnë sado pak të kaluarën, por populli e artistët meksikanë janë shumë të ndjeshëm në ruajtjen e traditave.


“Historia e largët e Meksikës, po edhe e mëvonshme aty ku janë rrënjët e popullit meksikan dhe të mijat, shprehet autorja, është pjesë e rëndësishme e shpirtit tim krijues dhe gjithmonë do ta shpreh këtë gjë, kudo në punimet e mija”.


Në tablonë tjetër, paraqitet piktorja e famshme Frida Kahlo, e cila është lindur më 1907 në Meksiko Siti nga një baba hungarez dhe një nënë meksikane. Në moshën 22-vjeçare martohet me piktorin e famshëm muralist Diego Rivera. Kujtohet për pikturat e saj gjithë vibrime koloristike dhe të ngjeshura. Punët e saj mbahen si pjesë e traditës emblematike të pikturës meksikane.


Për jetën prej artisteje është bërë edhe një film i mrekullueshëm. Me kohë Frida është kthyer në një ikonë e artit, kulturës dhe jetës meksikane. Ajo nuk përfaqëson thjesht artin meksikan, gjithashtu ka qenë një grua e rëndësishme në jetën dhe zhvillimin emancipues të femrës meksikane, duke mbajtur gjithmonë patriotizmin në shtëpinë e saj, në ekspresivitetin, paraqitjen mbajti të ndezur shpirtin meksikan.


Nuk kishte se si të mungonte në ekspozitë portreti i saj, por ka një veçori në punimin e portretit të Fridës. Është buzëqeshja. Kryesisht në autoportretet që ajo i ka bërë vetes, nuk është e qeshur, nuk është e lumtur, është e vuajtur dhe asnjëherë nuk e ka shprehur gëzimin e saj. Ndërsa këtu është paraqitur e lumtur, me portret ekspresiv si një lule e madhe me fustanin si petale të hapura.


“Charro Singer and Magyeys” ose mariaçi modern vjen natyrshëm në vijim të ekspozitës, si një figurë emblematike me kapele sombrero, kostumin karakteristik, kitaren në dorë, rrethuar nga kaktusi i famshëm makein, me të cilën përgatitet tekila pija e famshme në të gjithë botën. Ka një domethënie më shumë për Meksikën e mund të quhet si pemë apo bimë kombëtare meksikane.


Këngëtarët mariaçi mund të shihen në çdo shfaqje, veshur me uniformë janë bërë shumë të dashur kudo nëpër botë. Ata dhe tekila bëjnë autobiografinë dhe krenarinë e kombit meksikan.


Këngët e mariaçëve janë këngë të gëzuara, vallë vërtet populli meksikan identifikohet me gëzimin që shprehin këto këngë apo është diçka tjetër, se ngadonjëherë nuk përputhet arti që bën me atë që je? Piktorja nuk i jep përgjigje pyetjes, por na tregon figurën gati legjendare të këngëtarit, sikur na fton të futemi në botën e gëzueshme të këngëve të bukura meksikane edhe pse kryesisht mariaçët kanë për bazë trishtimin, të kënduarit e romancave mbajnë brenda melankolinë, trishtimin e një zemre të thyer...


Në xhaketën e këngëtarit, të tërhiqet vëmendja nga një flutur e pikturuar. Nuk është një trill i autores, sepse vendosja aty ka një domethënie. Është flutura mbretërore. Një ditë ajo ndërmori udhëtimin e vështirë e heroik, që do ta fuste thellë në shpirtin meksikan. Një mëngjes u nis nga Kanadaja e largët, kaloi nëpërmjet SHBA për të përfunduar në Meksikë. Aty u prit në fillim me habi, pastaj u adhurua, u pa si një dëshmi dashurie, një fatsjellëse dhe u simbolizua, u rrethua me përkujdesje të panumërta dhe sot gjendet në vende të ndryshme, nën mbrojtjen e ruajtjen e të gjithëve. Ajo është shtuar e shumuar në vite, duke u bërë pjesë e peisazhit meksikan.


“Kukulcan Pyramid” është një nga piramidat emblematike të fiseve të lashta Maja, të përmendur për kalendarin e tyre, dridhëronjës në kohët tona, ku flitet për fundin e botës. Piktorja ka dhënë ngritjen monumentale, atë hije të rëndë që ajo lëshon në një ngritje gati edhe të fikshme drejt qiellit. Vlera arkeologjike e ka kthyer Piramidën Kukulkan, në qytetin Çiçenica, në një nga shtatë mrekullitë e botës, krenari për popullin meksikan dhe mbrohet nga UNESCO-s si pasuri botërore.


Në tablonë e fundit është paraqitur monumenti i “Ëngjëllit të Pavarësisë”, është simbol i Meksikës, një monument për të shprehur apo mbajtur gjallë Pavarësinë, lirinë, shkëputjen e plotë nga pushtuesi. Nuk është se personifikohet me një emër të veçantë apo me një domethënie tjetër. Është një monument i rëndësishëm në Meksiko Siti, gjendet i vendosur në qendër të qytetit dhe gjithmonë shikohet në vende të caktuara sportive apo veprimtari kombëtare. Njerëzit gjithmonë mblidhen në këtë shesh duke festuar si pikë kyçe takimi të një krenarie kombëtare.





Në punime narracioni duket sikur mungon, është i fshehur, nuk ka fabul dhe gjetjet nuk janë të rastësishme, por të qëmtuara me kujdes. Ajo ç’ka autorja kërkon është paraqitja në ekspozitë e historisë, kulturës, traditave të popullit meksikan, pjesë e së cilës është.


Artistja nuk kërkon të japë objektin, por ndjesinë që objekti përcjell, emocionin dhe historinë që mbart. Punimet nuk janë as thjesht dekorative, sepse thelbi i tyre shkon gjetkë, në gjetjen e pjesës më të qenësishme përfaqësuese, ato ç’ka përfaqësojnë dje dhe janë sot. Kështu tek portreti i prijësit aztek nuk gjejmë zbulime psikologjike. Në raporte tonale koloristike vishet i gjithë kuadri dhe bëhet pjesë e një imazhi tërësor, ku veshja, puplat mbartin personalitet, njehësohet me të dhe janë pjesë e pazëvendësueshme e vetë portretit. Kështu veprohet edhe me objektet e kultit apo kërcimtaren, peisazhin e mitet monument.


Piktorja në punët e paraqitura është tërhequr nga simbolet, mitet, legjendat e lashta, që përbëjnë domethënien e popullit meksikan. Ideja e artistes ka qenë që me anën kësaj ekspozite, shikuesit të njihen me anët pozitive të kulturës meksikane, të vetë Meksikës. Kjo është themeli ku ngrihen tablotë, baza ku merren mbresat për kompozimet. Duke jetuar realitetin e një Meksike shumë energjike, moderne siç është e sotmja, nuk harron të bashkëjetojë me traditën e vjetër meksikane, traditë që është baza e kombit meksikan.


Ngjyrat e tablove janë thjesht jo një interpretim, por një përthyerje e dritës, natyrës dhe veshjeve popullore meksikane, të interpretuara me shije e art në telajo. Autorja nuk kërkon të befasojë me gjetje artistike. Rrjedha e pikturës futet lirshëm në zbërthimin e domethënies e kulturës meksikane, rrugëtimin përgjatë shekujve, përzjerjen me kulturat e tjera, tregimi e rrëfimi i miteve, legjendave, besimeve pagane e moderne. Ndaj ajo shfaqet e thjeshtë, me sinqeritet, pa bujë, duke pohuar fuqishëm rrënjët e popullit e kulturës që i përket. Kështu ekspozita dëshmon forcën pasqyruese që mbart arti i pikturës, shprehjen e guximit për të kapur tema në dukje të thjeshta, por që mbajnë brenda historinë e vet qenien e artistes.


Linjat ndërthuren në mënyrë harmonike me ngjyrat me intensitet, duke pasur për bazë gjithmonë folkun. Mundohen të paraqesin në mënyrë sa më të pranueshme e të kollajtë për syrin e shikuesit, atë që mund të jetë më e thjeshta dhe që në mënyrë profesionale bëhet sa më i pranueshëm si punim. Ato ngrihen si kompozime shprehëse në përmasa të gjëra, befasuese, të drejtpërdrejta dhe të kërkuara me ndjeshmëri, copëza” piktorike të mrekullueshme.


Duke parë tablotë gjykon që koloriti është i përmbajtur, jo shpërthyes dhe imazhi që krijon, për shëmbull të këtij meksikani të lashtë, vjen si rezultat i fantazisë, i kulturës që ka marrë apo ai gjendet edhe në realitetin e sotëm. Autorja e gjen të kaluarën në të sotmen e Meksikës. Pavarësisht se subjektet e paraqitura përbëjnë traditën, ato janë subjekte që gjenden edhe sot në traditën meksikane sidomos në dasma, në shfaqje të ndryshme që bëhen, sepse folku është bashkëkohor me modernen dhe asnjëherë nuk humbet si traditë apo si kulturë. “Përkundrazi e mbajmë të gjallë frymën e të vjetrës, të lashtës, thotë piktorja, sepse është komb që bazohet e mbështetet në lashtësinë, siç po shoh që është edhe kombi shqiptar”.


Gjithë ekspozita, sado modeste në punime, shpreh një gjendje dhe mundohet të kapë një gjendje sociale, një gjendje mbishoqërore. Ajo nuk ngre probleme, nuk shprehet me to, vetëm dëshmon, duke shprehur botën femërore në mënyrën se si e shikon atdheun e vet.


“Në temat që përdor në punimet e mia, shprehet piktorja, mbaj të ndezur gjithmonë koloritin, ngjyrat, ekspresivitetin i tyre, sepse gjithmonë këto kanë qenë bazë e pikturës meksikane dhe times, sepse është një popull që përdor ngjyra të ndezura dhe gjithmonë aty ushqehem në punimet e mia”.


Artistja piktore është e ndërgjegjshme për vlerat që mbart populli i saj, historinë e lashtë e të re. Arti dhe piktura, por edhe vetë ajo në mendime, sjellje, qëndrime e sheh veten si pjesë përbërëse dhe rrethohet nga fryma popullore, ushqim që arti meksikan e shfaq gjithmonë, është pjesë karakteristike e tij. Historinë piktorja e sheh një e të pandarë.


Ardhja e spanjollëve në Meksikë në vitet e largëta, ka lënë gjurmë, sepse ka qenë një ardhje shumë e dhunshme. Natyrisht që populli meksikan, nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur me pushtimin brutal dhe çnjerëzor, që pushtuesit kryen në atë kohë, duke përfituar në dobësitë e prijësve meksikanë. Por për pushtimin nuk janë ngritur kulte përkujtimore ose të jenë fiksuar data për kohën çudibërëse dhe makabre, sepse gjithmonë populli meksikan ka shkuar përpara në rrugën e tij, duke ngritur dinjitetin e vlerat, pa harruar asnjëherë rrënjët e lashtë nga të cilat vjen.


Në vetvete artistja e ndjen spiritualizëm fetar dhe përpiqet ta shprehë në pikturë dhe kërkon ta gërshetojë me paganizmin, kulturën e actekëve, duke u bazuar edhe në historitë e lashta, frymëzohet dhe pasqyron këto ide, këtë ndërthurje, jo të shprehur me fjalë, por me kolorit në telajo.


Në Meksikë ka shumë popullsi që shkojnë e vijnë në rrjedhë të kohërave shumë shtresime popujsh e kulturash, që nga ato prekolumbiane Azteke, Maja, Zapoteki, Tolteki etj në qytetërimet e quajtura prekolumbiane, që morën më pas zhvillim më qasjen e qytetërimit spanjoll me vendosjen e Krishtërimit. Ata kishin të zhvilluar shkencat e artet, me një mitologji të admirueshme e me gjetje arkeologjike mbresëlënëse, me kalendarin e famshëm që drithëron shumë njerëz në profecinë e tij të fundit të botës.


Sot jeta artistike meksikane, ndeshet përditë me këta idhuj të së kaluarës, janë familjarizuar me ta, jetojnë së bashku me tempujt, idolet, mitet etj. Fëmija i vogël i merr si ushqim gjatë rritjes së tij, që kur fillon të mësojë abetaren, ashtu siç i ka marrë edhe vetë autorja, duke u rritur edukohet me kulturën kombëtare dhe i mbart kudo ku shkon për t’i shpërthyer më pas nëpër telajo. Ato janë pjesë e pandarë e jetës së çdo meksikani të thjeshtë, aq më shumë që çdo meksikan është shumë patriot dhe natyrisht që e ka pjesë të shpirtit në rritje të kësaj kulture.


Kur e pyet artisten se kë do të zgjidhte si simbol Prijësin Montezuma, Kërcimtaren, statujën Kult, një personalitet si Frida Kahlo, një mariaçi, një tempull apo Engjëllin e Pavarësisë dhe këta janë edhe pak a shumë gjithë shtresimet kulturore e paraqitura në këtë ekspozitë, vetë ajo thotë se, “Simboli im është gjithmonë Engjëlli i Pavarësisë, sepse duke qenë banore e Meksiko Sitit, ai është gjithmonë i pranishëm, e ndjen krenarinë e tij kudo ku ndodhet. Duke qenë që jam artiste dhe Frida gjithashtu është artiste, gjithmonë kam admiruar jetën artistike bashkë me të Diego Riveran si dy personazhe admirues, që i kam pranë gjithmonë dhe natyrisht janë një tjetër simbol i imi. Nuk harroj as muralet e famshme, krejt të veçanta në historinë e artit botëror”.


Piktorja e pëlqen dhe admiron padyshim periudhën heroike, që solli revolucionet deri në pavarësinë e vendit me personazhe historikë si Panço Vila, Emiliano Zapata etj një histori me të cilën bota është njohur dhe që ka lënë një gjurmë shumë të madhe. Arti i pikturës meksikane është ndikuar shumë nga revolucionet, ka qenë një përgjigje flakë për flakë si të thuash e këtyre ngjarjeve. Janë të famshme kudo pikturat murale që artistët meksikanë paraqitën në ato periudha të famshme, të cilat u bënë edhe manifeste të fuqishme, ku populli pa rrugën që duhet të ndiqte. Muralizmi ishte një lëvizje piktorike që lindi në Meksikë pas revolucionit meksikan të 1910 me artistë si Diego Rivera, José Clemente Orozco, David Alfaro Siqueiros e Silvio Benedetto, lëvizje që më pas u përhap në Argjentinë, Peru, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në një lëvizje botërore ndërkombëtare.


Piktorja e pëlqen artin modern, por ekspozitën e ka ndërtuar e bazuar mbi traditën, stili i saj qëndron më shumë pranë tradicionales e modernes, duke qëndruar tek të quajturit fovistë, si Gogeni etj.


“Duke qenë se jam qytetare e lindur nga një komb me kulturë siç është Meksika, thotë piktorja, të gjithë lashtësinë, të gjithë kulturën e kam në gjak, e kam në shpirt, sepse jam edukuar me këtë shpirt nga të afërmit e mi, sidomos nga im atë që ka qenë një bazë kyç në formimin tim në formimin artistik të karakterit dhe më pas duke studiuar, duke u rritur e duke u bërë më e pjekur për sa i përket ngjyrave, duke u bazuar gjithmonë në legjenda, në traditë si folk”.


Autorja pëlqen ngjyrat e pastra, të papërpunuara, të cilat i merr drejtpërdrejt e nga tubeti dhe i mban pak të ashpra në paletë, duke i vendosur në telajo, në një shtrirje tonale në zona të mëdha. Nuk parapëlqen interpretimet koloristike, duke u treguar e kursyer dhe e kujdesshme brenda konceptit të dhënies sa më me vërtetësi e gjetje të figurave, imazheve që krijon, për të dalë në ndjesinë që kërkon të përcjellë tek shikuesi. “Kjo është gjithmonë tendenca e pikturës e përdorur në punimet e mija, thotë artistja, që kolorin si ton, si ngjyrë, si fuqi e mbaj të pastër dhe nuk e shpërndaj, nuk e përzjej me ngjyrat e tjera për të krijuar një tonalitet apo një përzjerje tjetër ngjyre, e mbaj qartësisht të pastër”.


Një trajtim i tillë që është edhe shpirti koloristik i piktorit spektri i tij i brendshëm, mënyra se si e shikon botën përreth, vjen edhe si natyrë e piktores, një natyrë e qetë, që kërkon ta punojë pikturën në kushte të mira, pa shpërthime koloristike me një penel të shtruar, punuar si një qëndisje nëpër fustane, brenda natyrës femërore.


Karakteri i saj është i shprehur totalisht në këto punime, në çdo punim paraqet atë që është. “Por nuk jam vetëm unë si piktore profesioniste, përfundon piktorja, që shpreh të njëjtin sens të koloritit të pandashëm, por janë edhe shumë të tjerë që i ruajnë ato si kolorite, duke u njehsuar pak a shumë në të njejtin stil, që shpreh kulturën e pikturës meksikane”.





Arti meksikan nuk është i panjohur në Shqipëri. Në vitin 1988 në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik është hapur ekspozita “Arti grafik meksikan” me piktorë meksikanë me një tematikë të zgjedhur e të pranueshme për kohën. Punimet ishin zgjedhur me kujdes, duke i bërë jehonë lëvizjeve revolucionare të popullit meksikan në luftën e tij për liri e pavarësi. Kryesisht ishin grafika të punuara me mjeshtëri të lartë artistike, të qarta dhe të pastra, në raporte e kontraste bardhë e zi, të krijuara me kulturë e shije të lartë.


E gjithë ekspozita është një pasaportë, me të cilën autorja pohon fuqishëm qenien e saj artistike. Kjo pasaportë mund të jetë meksikane, por mund të jetë edhe botërore dhe bota po përjeton këtë gjë, ndërkombëtarizimin e artit. Fany këtë pasaportë meksikane kërkon ta integrojë në të madhen pasaportë botërore, duke sjellë gjithmonë artin meksikan me vete.


Autorja i bashkëngjitet pasaportës ndërbotërore, duke pasur gjithmonë për bazë krenarinë si meksikane, duke u bazuar në atë linjë të gjallë të kulturës meksikane, të ndërthur me civilizimin kulturor botëror.


Hapur e bindshëm pohon, unë jam piktore meksikane dhe ekspozita është pjesë e artit meksikan, shikojeni se kjo është qenia ime artistike, ajo ç’ka unë dua të përcjell tek shikuesit.


Tablotë shkojnë drejt simbolikave shprehëse, duke sjellë në vëmendje legjendat, mitet së kaluarës së largët të kulturave Azteke e Maja, personazhe të botës meksikane, të gjitha të ndërthurura me shije e elegancë, ku ndihet ëmbëlsia femërore e artistes.


Sot kemi një mozaik të bukur, një dhuratë mbresëlënëse, dëshmi talenti, larmi ngjyrash si në një valle të madhe lodruese, një pjesë Meksike lë largët, por që tablotë na e bënë të afërt, na bën ta prekim me dorë e ta kundrojmë me kërshëri e dashuri, ndaj dhe i themi autores faleminderit !