Në hollin kryesor të liceut artistik  “Jordan Misja”  është çelur një ekspozitë me piktura të realizuara nga nxënësit e kësaj shkolle. Pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin artistët e rinj që i përkasin grupmoshave të ndryshme që nga mosha 10 vjeç deri në 18. Në punimet e tyre vihet re lëvrimi i gjinive të ndryshme si peisazhet, portret, natyrat e qetë dhe miksazhe. Teknikat e përdorura janë të ndryshme dhe të realizuara me mjaft kujdes nga të rinjtë. Qëllimi i kësaj ekspozite është prezantimi i punëve të artistëve dhe talentëve të së ardhmes. Punimet janë realizime të fundit të liceistëve më të dalluar, të cilët  kanë derdhur mjaft pasion në punimet e tyre artistike.
Kjo është një ekspozitë unike. Secili që i sheh këto punime duhet të ndalet e të reflektojë, të kthehet sërish pas sepse këto krijime mbartin shumë refleksione artistikie dhe aspekte sociale të së përditshmes që artistët i kanë patur në fokus të punës së tyre. 
Në këtë ekspozitë, vijnë për publikun punime në teknika të ndryshme, me tematika po të ndryshme që përcjellin realitete e ndjesi të veçanta. Ekspozita u shoqërua edhe me nje performance artistike e realizuar nga nxënësit e liceut. Punimet do të ekspozohen deri me 15 maj për publikun e gjerë.