Në vazhdën e denoncimit të shkeljeve ligjore që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka bërë për të mbrojtur të vëllain trafikant droge, Partia Demokratike deklaroi disa ditë më parë se është falsifikuar nga ai në kohën kur drejtonte Komisionin e Ligjeve, kodi i procedurës penale.


Ky ligj ishte mundësia e artë që Fatmir Xhafaj të zgjidhte hallin e madh të Agron Xhafës, i dënuar në mungesë. Pa transparencë, dhe në konflikt të pastër interesi Fatmir Xhafaj miratoi një ndryshim për të mbrojtur vëllain, u shpreh atëherë deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.


Sipas demokratëve ministri Xhafaj ka konsumuar dy vepra penale, që janë korrupsion i zyrtarit të lartë dhe falsifikim i dokumenteve zyrtare, duke shtrembëruar reformën në drejtësi.


Ish-ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi tha se Xhafaj ndryshoi pikën (F) dhe një nënpikë shoqëruese të saj në Nenin 491 të Kodit të procedurës Penale, duke bërë automatikisht të pamundur njohjen e vendimit të Gjykatës së Kasacionit në Itali për Agron Xhafajn.


Por për të sqaruar këtë çështje, nga PS kanë dalë sot në konferencë për mediat deputetët socialistë Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, propozuesja e ndryshimeve në Nenin 491.


Sipas Hysit ky projektligj nuk është falsifikuar, por është përmirësuar.


Ndërkohë Manja deklaroi se opozita hedh baltë nga mëngjesi në darkë, por nuk ka asnjë argument për ta mbrojtur kauzën e saj.


Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, mori vendim që projekt-paketa e dytë të shqyrtohet dhe miratohet në Komisionin e Ligjeve. Kuvendi i Shqipëri me vendimin 97 të vitit 2016 vendosi që 27 projektligjet të shqyrtohen dhe miratohen nga Komisioni i Ligjeve. E gjithë puna për paketën e dytë të projektligjeve në reformën në drejtësi është asistuar nga ekspertët. Në praktikën e punës së ndjekur me diskutimin dhe miratimin e këtij projektligji është drafti i punuar nga ekspertët për reformën në drejtësi, i cili pas vendimit të Kuvendit është ridepozituar nga Vasilika Hysi bashkë me relacionin përkatës. Drafti në të cilin janë reflektuar të gjitha komentet e ardhura nga OPDAT, EURALIUS, Ministria e Drejtësisë, Shoqëria Civile, ekspertë të fushës, Prokuroria e Përgjithshme derisa kemi ardhur në një variant final. Ky draft dhe neni 491 gërma (F) për të cilën hedh baltë opozita, ka qenë i reflektuar jo vetëm në draftin e grupit të punë së ekspertëve, por ka qenë i shpërndarë në variantin e integruar ekspertëve, deputetëve të LSI, OPDAT dhe Ministrisë së Drejtësisë. Për tre mbledhje me rradhë janë shqyrtuar nen për nen propozimet për ndryshime në Kodin e procedurës penale, sqaroi Manja.


14 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)