Dy persona janë ekstraduar ditën e djeshme nga Italia dhe u janë dorëzuar autoriteteve shqiptare. Ata janë Agim Kamberaj dhe Ermal Begaj, të dënuar me 5 dhe 6 vjet burg nga drejtësia shqiptare. Kamberaj është dënuar, pasi ai së bashku me dy persona të tjerë kanë rrahur një person, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha atij. Ndërsa Begaj është dënuar nga drejtësia shqiptare, pasi ai ka tentuar që të vrasë një person. Të dy të kërkuarit kanë arritur që t’i shmangen arrestimit në vend, duke emigruar jashtë. Megjithatë, në sajë të punës së Interpol Tiranës është arritur që ata të identifikohen dhe të arrestohen.


Të dy të dënuarit mbërritën ditën e djeshme rreth orës 20:00 në aeroportin e Rinasit. Për Agim Kamberaj, 47 vjeç, nga Patosi i Fierit, Gjykata e Apelit Gjirokastër ka dhënë dënimin 5 vjet heqje lirie, për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” në bashkëpunim dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”. Më datë 05.06.2001, Kamberaj në bashkëpunim me shtetasit Dashamir Bega dhe Fotaq Gushi, kanë rrahur shtetasin Edmond Meshau, buzë lumit Drino, Gjirokastër, pasi ky i fundit i detyrohej një shumë parash.


Kurse shtetasi tjetër që do të ekstradohet po sot nga Milano i Italisë është Ermal Bregaj, 32 vjeç, nga Vlora. Në datën 21.09.2004, në lagjen “Isa Boletini” në qytetin e Vlorës, Bregaj ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë shtetasin Ilir Dashi.


Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e formës së prerë dënoi atëherë shtetasin Ermal Bregaj me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie, për veprën penale të “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë, dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.