Interpol-Tirana bëri të mundur ekstradimin drejt Shqipërisë të kapobandës së Divjakës, Luan Fusha, i njohur me pseudonimin “Pishtari”. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, 45-vjeçari, me origjinë nga Skrapari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton të jetë autori i vrasjes së trefishtë, e kryer për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur në Divjakë 10 vjet më parë. Dje, Interpol-Tirana në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë bërë të mundur ekstradimin e të shumëkërkuarit të arrestuar pak kohë më parë në Milano, Itali, në drejtim të vendit tonë. Sipas burimeve zyrtare policore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendimin numër 68 të datës 8 maj të këtij vitit kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, nën akuzën e “vrasjes me paramendim” e kryer tre herë, si dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Sipas policisë, Fusha ka hyrë në rrugën e krimit në vitin 1997, pas vrasjes së të vëllait prej bandës së Loshit të Karbunarës. Pas vrasjes së vëllait të Fushës, vëllezërit Edmond dhe Dhimitër Bashuri shkuan në Itali. Pasi janë kthyer në Divjakë, Luan Fusha ngarkoi kushëririn e tij, Armand Kokoneshin, që t'i nxirrte në pritë dy vëllezërit, të cilët konsideroheshin si bashkëpunëtorë të Loshit. Kokoneshi e kreu porosinë dhe i solli në një lokal, ku Luan Fusha i priti me një breshëri kallashnikovi. Pas ngjarjes, Armand Kokoneshi është larguar me vrap, por Luan Fusha e ka ekzekutuar edhe atë vetëm pak metra para se ai të shkonte në shtëpinë e tij. Burimet policore pohojnë se Fusha ishte mjeshtër në zhdukjen e gjurmëve dhe dëshmitarëve të ngjarjes. "Vëllezërit Bashuri, pohojnë burimet policore, nuk ishin pjesëtarë të bandës së Loshit të Karbunarës, por i shoqëronin ata kur vinin në Divjakë për dreka e darka".





Akuza





Sipas Prokurorisë së Lushnjës, 45-vjeçari akuzohet se 10 vjet më parë kishte ngarkuar të afërmin e tij, Armand Kokoneshin, i cili më pas u vra prej tij, t’i nxirrte në pritë dy vëllezërit Edmond dhe Dhimitër Beshuri, të cilët ishin bashkëpunëtorët e Loshit të Karbunarës. Kjo bandë kishte ekzekutuar vëllanë e Fushës disa kohë më parë, vrasje për të cilën Fusha priste të hakmerrej. Ditën e ngjarjes, më 14 gusht të vitit 1998, rreth orës 20:30 në afërsi të një lokali në qytetin e Divjakës, viktima Kokoneshi e ka mbajtur fjalën e dhënë, duke i sjellë dy vëllezërit në lokal. Fusha, i cili iu kishte zënë pritën, ka shkrehur mbi ta një karikator kallashnikovi. Kokoneshi, i cili kishte tentuar të largohej me vrap, është ekzekutuar nga Fusha vetëm pak metra para se ai të shkonte në shtëpinë e tij. Fusha është larguar nga vendi ynë për t’iu fshehur drejtësisë. Por, në datën 28 maj të këtij viti është bërë i mundur arrestimi i 45-vjeçarit Fusha në Itali, në sajë të bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Romën. Luan Fusha është pritur nga përfaqësuesit e Drejtorisë së Burgjeve, ku edhe më pas kanë bërë transferimin e tij për në paraburgimin e Lushnjes.





Arrestimi


“Karavastaja” ka qenë koduar operacioni që vuri në pranga më 28 maj të këtij viti në Milano të Italisë, Luan Fushën, i akuzuar për shtatë vrasje, tre nga të cilat të provuara dhe i cilësuar si kreu i “Bandës së Divjakës”. Dhjetë ditë para arrestimit, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte miratuar kërkesën e prokurorisë për urdhrin e arrestit, ndërkohë që autoritetet e vendit fqinj kanë kapur në kohë rekord 44-vjeçarin e shumëkërkuar. Sipas policisë, Fusha qëndronte në Itali me dokumente të rregullta, kurse rihapja e dosjes çoi në faktimin e tre prej ekzekutimeve në vitin 1998, dy nga viktimat vëllezër, bazuar edhe në dëshmitë e mbledhura. Ai akuzohet për vrasjen e Edmond e Dhimitër Bashurit, si dhe të kushëririt të tyre, Armand Kokoneshi, më 14 gusht të vitit 1998 në një lokal të Divjakës në Lushnje. Shkak është bërë fakti se babai i viktimave kishte parë 44-vjeçarin të ekzekutonte një person në mes të qytetit në vitin 1997 dhe ai kërkonte ta hiqte qafe si dëshmitar.





Detaj


14 gusht 1998 vrau në pritë tre shtetas në qytetin e Divjakës në Lushnje





28 maj 2008 u arrestua nga Interpol-Roma në Milano, pas 10 vjetësh i shpallur në kërkim