Trazhgim Sokolaj

Kryesia e Komunitetit Mysliman “korrektoi” dje akuzat e bëra pak ditë më parë nga Selim Muça, për elementë ekstremistë në radhën e besimtarëve. Kryetari i Komunitetit, i cili e kishte këtë mandat deri më 17 mars 2008, tha pak ditë më parë se debatet për zgjedhjen e kreut të ri të KMSH-së, po nxiten nga elementë ekstremistë. Duke akuzuar në këtë mënyrë, Selim Muça aludoi se origjina e këtyre personave, ishin disa vende të rajonit të Ballkanit. “Ka kundërshtarë, që po gënjejnë, manipulojnë dhe përçajnë. Disa njerëz nga Kosova dhe Maqedonia po acarojnë situatën dhe po sulmojnë Komunitetin Mysliman Shqiptar”, është shprehur Selim Muça katër ditë më parë. Krejt ndryshe është shprehur dje Kryesia e Komunitetit Mysliman. Me një frymë qetësuese dhe me një nëntekst që thërret palët në dialog, Kryesia e Komunitetit Mysliman, mohon praninë e rrymave epo elementëve ekstremistë në radhët e besimtarëve shqiptarë. “Debati që është hapur kohët e fundit në media, pavarësisht disa momenteve emocionale, i shërben frymës konstruktive, transparencës dhe konsolidimit të mëtejshëm të institucionit. Përtej këtyre momenteve emocionale, ju bëjmë me dije se myslimanët shqiptarë nuk kanë frymë ekstremiste, as në Tiranë dhe as në të gjithë Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e Kryesisë së Komunitetit fetar më të madh në vend. Kryesia e KMSH ka hedhur poshtë në këtë mënyrë, atiketimet “ekstremiste” të përmendura pak ditë më parë nga Selim Muça, të cilat shkaktuan reagime të forta te besimtarët dhe imamët e xhamive kryesisht në qarkun e Tiranës. Duke mos mbajtur anën e asnjërës nga palët në debatin e hapur për procedurën e zgjedhjes së kryetarit, Kryesia thekson më tej se “zgjedhjet e radhës në KMSH, janë konform dhe në respekt të të gjithave rregullave dhe statutit të këtij institucioni”. Kryesia e KMSH i referohet më pas përvojës së pakët në demokraci të shoqërisë shqiptare, duke mos përjashtuar këtu edhe institucionin e Komunitetit Mysliman, një përpjekje kjo, siç duket për të legjitimuar “mangësitë” e vërejtura në rrugën e ndjekur për mbledhjen ku do të zgjidhet Kryetari i Komunitetit. “Ne jemi një institucion tërësisht fetar, por që funksionon në mënyrë krejt demokratike. Për këtë arsye nuk jemi të imunizuar nga eksperienca dhe kultura e pakët që gëzojmë ne shqiptarët në demokraci”, theksohet më tej në deklaratën e Kryesisë së KMSH. Ky institucion i rikthehet përsëri atiketimeve për “elementët ekstremistë”, duke thënë se “cilido individ qoftë, që bie pre e të tilla mendësive joislame, nuk do gjejë kurrë klimën e përshtatshme për t’u kultivuar dhe rritur mes myslimanëve shqiptarë”. Kryesia vë në dukje më tej, se Kontributi i myslimanëve shqiptarë përgjatë shekujve, i ka kaluar konturet fetare dhe është bashkuar si një trup i vetëm, vlerave kombëtare dhe patriotike mbarëshqiptare. “Shqipëria është vendi i harmonisë dhe i kulturës së bashkëjetesës ndërfetare”, thekson Kryesia e KMSH. Ajo shpreh “nevojën të bashkojmë të gjitha potencialet fetare dhe qytetare, për të shëruar plagët e trashëguara të ateizmit dhe sëmundjet e shekullit, të cilat po kërcënojnë të gjithë familjen e madhe njerëzore”. Thirrja për dialog mes palëve që po përplasen në debatin e fundit publik, vjen më pas kur thuhet se “në këtë përpjekje të përbashkët, ka vend dhe janë të mirëpritura të gjitha kontributet, nga të gjithë ata që ndajnë të njëjtin shqetësim me ne. Le ta kthejmë shoqërinë drejt vlerave hyjnore, familjes së shëndoshë, paqes sociale, tolerancës, mirëkuptimit, dashurisë dhe respektit reciprok”, apelon Kryesia e Komunitetit Mysliman. Ajo thekson më tej se “myslimanët shqiptarë janë një model i mirëvlerësuar nga mbarë bota, janë krenaria e këtij vendi të cilët kanë mbështetur të gjitha ëndrrat dhe aspiratat e kombit për integrim në familjen e madhe evropiane pa asnjë kompleks a paragjykim”.


Tiranë, imamët bënë thirrje për falje protestë para Komunitetit

TIRANE – Imamët e pjesës më të madhe të xhamive të kryeqytetit bënë thirrje pak ditë më parë për një falje publike në sheshin para Komunitetit Mysliman në shenjë proteste për “tentativën e zgjedhjes së kryetarit në shkelje të statutit të këtij institucioni”. Reagimi erdhi pas një lajmërimi të Komunitetit në Myftinitë e rretheve, ku thuhej se mbledhja për zgjedhjen e Kryetarit do të zhvillohet më 21 mars 2009. Duke iu referuar nenit 22 të statutit, imamët dhe besimtarët akuzuan Komunitetin dhe kryetarin Selim Muça, se kishte lajmëruar për mbledhjen vetëm katër ditë para zhvillimit të saj, ndërkohë që statuti kërkon që njoftimi të bëhet 15 ditë para mbledhjes ndërsa duhet shpërndarë edhe materiali për rendin e ditës. Imamët dhe besimtarët theksuan se mënyra e lajmërimit nga Komuniteti, nuk linte vend dhe kohë për një analizë të punës 5-vjeçare të kryer nga Selim Muça, i cili do të rikandidojë për funksionin që me mandat e mbante deri më 17 mars 2009. Komuniteti e sqaroi “vonesën” e lajmërimit me faktin se tre zyrtarët e Komunitetit kishin qenë jashtë vendit dhe sapo ishin kthyer kishin kryer njoftimin e myftinive.     t.s


Imamët padisin Selim Muçën

Zgjedhjet në KMSH, kthejnë përplasjet

TIRANE – Zgjedhjet për Kryetarin kanë vendosur në qendër të vëmendjes komunitetin fetar më të madh në vend, i cili vazhdimisht është karakterizuar nga “përplasja mes dy rrymave”. Për shkaqe ende të paqarta, në anën e Komunitetit, duke “toleruar” disa shkelje në afatet e lajmërimit për mbledhjen ku do të bëhet votimi, janë rreshtuar zyrtarët që bëjnë pjesë në rrymën zyrtare dhe tradicionale të besimit, hanefi. Ndërkaq në anën tjetër, ndodhen “të rinjtë”. Ata po i kushtojnë rëndësi deri në fund zhvillimit të një procesi demokratik për zgjedhjen e kryetarit të Komunitetit, duke vendosur theksin në shkeljen e dispozitave statutore për afatet madhe duke bërë edhe akuza lidhur me punën e bërë deri më tani nga Kryetari i KMSH-së Selim Muça dhe “mbështetësit” e tij. Zyrtarët e Komunitetit i akuzuan palën tjetër se sa herë që bëhen zgjedhje krijojnë konflikte dhe përçarje mes besimtarëve duke hedhur akuza për abuzime dhe korrupsion. Ndërkaq pala tjetër pretendon se procedura e ndjekur deri më tani është në shkelje të statutit të Komunitetit. Një shkelje, e cila është ankimuar edhe në gjykatë nga “të rinjtë” që janë cilësuar vitet e fundit si pjesë e rrymës “selafi”. Përplasjet kryesore në radhët e Komunitetit Mysliman dhe administratës në varësi të tij duke përfshirë myftinitë si dhe xhamitë nga ana tjetër, duket megjithatë se janë shfaqur sa herë institucioni ka kaluar periudha zgjedhjesh. Neutralët në këtë mosmarrëveshje pohojnë ndërkaq se besimtarët nuk janë përfshirë në konflikte dhe përçarje të tilla edhe pse zyrtarët e komunitetit shkojnë deri aty saqë bëjnë ndarje mes xhamive ku besimtarët kryejnë ritet e tyre fetare sipas përkatësisë mes palëve në konflikt. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve dhe kontradiktave të këtij komuniteti, mosmarrëveshja e fundit është bërë objekt i një padie gjyqësore. Imamët kanë ankimuar në gjykatë veprimet e fundit të Selim Muçës duke kërkuar zgjidhje gjyqësore për këtë çështje.