drejtoriareDuke parë një tendencë në rritje të radikalizmit me theks fetar, politik etnik në vend, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ngritur Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Për herë të parë Shqipëria do të ketë strukturën antiterror, ndër më të mëdhatë në rajon, duke i dhënë një vëmendje të madhe luftës kundër terrorizmit në përgjithësi dhe parandalimit të rekrutimeve nga Shqipëria të luftëtarëve të ushtrisë së xhihadistëve të shtetit Islamik ISIS. Një rikompozim i Drejtorisë së Antiterrorit e ka çuar në 104 efektive nga 15 të tillë që kanë qenë pjesë e kësaj strukture në 20 vitet e kaluara. Parimi i përgjithshëm edhe i shteteve të mëdha evropiane, gjej, fikso, godit, do të jetë parimi edhe i policisë shqiptare.


Urdhëri


Në relacionin e tij thuhet se, Drejtoria Antiterror u ngrit pas vlerësimit të situatës në vend, rajon e më tej, si dhe faktin që Shqipëria është një pjesëmarrëse në koalicionin ndërkombëtarë antiterror. Në përpunimet e fundit të informacioneve që janë bërë nga ekspertet e Policisë Shqiptare në terren konstatohet sipas tyre një tendence gjithmonë e në rritje të radikalizmit me theks fetar, nacional, etnik e politik.


Funksioni


Një nga detyrat imediate që i del përpara kësaj strukture mbetet fakti për frenimin e të rinjve shqiptare për t`u bashkangjitur forcave të ISIS. Ndalimi i rekrutimeve si edhe arrestimi i që përgatisin luftëtare për ISIS mbetet detyre prioritare e kësaj strukture së cilës i është 8-fishuar numri. Por edhe shpërthimet me eksploziv, te klasifikuara si akte terroriste do të jenë gjithashtu objekt i punës së kësaj Drejtorie te re. Për të përmirësuar cilësisht – thotë relacioni – hetimin e akteve terroriste, u pa e udhës të rikompozohet krejt struktura në Drejtori, duke e rritur numrin e saj në 104. Bashkë me krijimin e Drejtorisë Antiterror, do të ngrihet një sistem i sigurt transmetimi informacioni për hetimin e akteve terroriste. Gjithashtu do të ketë identifikim përmes metodave analitike të situatës së grupeve kriminale. Drejtoria Antiterror do të ketë varësi direkte nga Drejtori i Policisë dhe për shkak të specifikës nuk do të ketë seli në godinën aktuale të Policisë. Drejtoria do të jetë e shtrirë në 12 qarqet e Policisë, ku përqendrimi më i madh do të jetë në Tiranë.