Vrasja është kryer nga dy persona me motor teksa viktima ndodhej në makinë. Shtatë plumba në trupin e Konomit





Policia: Po hetojmë për ndonjë hakmarrje të vjetër dhe implikimin në trafiqe të mundshme





TIRANË- Franc Konomi, një nga pjesëmarrësit në vrasjen e Gaz Muçës 18 vite më parë, është ekzekutuar mesditën e djeshme në qendër të Tiranës. Atentati në stil mafioz është kryer në orën 11 e 40 minuta në një zonë super të populluar. Vrasësit ndodheshin në një motor dhe në kokë mbanin skafandra ndërsa viktima ishte në makinën e tij.





Dy ekzekutorët pritën sa Konomi, 42 vjeç, nxorri makinën nga parkingu dhe pasi iu afruan tek dritarja e shoferit zbrazën nëntë plumba pistolete mbi trupin e tij. Duke përfituar nga kaosi dhe paniku i krijuar, ata u larguan nga vendi i ngjarjes me motor.





Dëshmitarë të ngjarjes pohuan dje se autorët e krimit po e prisnin viktimën, teksa ky i fundit po niste makinën për t'u larguar në drejtim të "Pazarit të Ri". Konomi nuk ka mundur që të reagojë dhe ka mbetur i shtrirë në makinë.





Plumbat e shumtë kanë thyer edhe xhamin tjetër të makinës. Hetuesit e ngjarjes pohuan se trupi i viktimës kishte marrë shtatë plumba. Ai nuk është prekur nga kalimtarët dhe ka qenë policia që e ka nisur për në spital. Franc Konomi ndërroi jetë gjatë rrugës si pasojë e shokut hemorragjik.





Vendi ku u vra Franc Konomi, u mbush dje rreth orës 12.00 me forca të shumta të Policisë së komisariateve të kryeqytetit. Ekspertët mblodhën disa gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin shkencor të policisë.





Ndërkohë hetuesit morën në pyetje të gjithë dëshmitarët okularë që ndodheshin në vendin e ngjarjes por askush prej tyre nuk kishte parë fytyrat e vrasësve pasi në kokë mbanin skafandra motori.





Ekspertë e policisë kanë sekuestruar makinën ku u vra Konomi, një automjet tip "Benz", me targa TR 0626 S si dhe mjaft prova të tjera.

Në një deklaratë zyrtare për shtyp, policia pohoi se po hetohet në disa pista, pasi viktima njihet si person me precedentë të mëparshëm penalë.





Bëhet e ditur se policia po heton në lidhje me disa ngjarje ku ka qenë i përfshirë viktima, në vrasjen e Gazmend Muçës, ndodhur në vitin e largët 1992 dhe disa ngjarje të tjera. Viktima kishte rreth një javë që ishte kthyer nga Gjermania.





Sipas hetuesve, vrasësit kishin ditë që ndiqnin Franc Konomin dhe kishin dijeni të plotë për të gjithë itinerarin e tij. Ata pohuan se kemi të bëjmë me një ekzekutim të menduar deri në detaje dhe të planifikuar prej kohësh. Pista e parë që ka ngritur policia është ajo e hakmarrjes.





Një tjetër pistë hetimore është edhe trafiku i drogës. Hetuesit pohuan se deri në orët e vona të natës janë thërritur në cilësinë e dëshmitarit rreth 50 persona. Sipas burimeve të policisë, kryesisht këta kanë qenë njerëz të njohur të viktimës apo edhe persona që kanë qenë prezent gjatë atentatit. Dëshmite e dhëna deri më tani flasin vetëm për aktivitetin e përditshëm të viktimës apo edhe lëvizjen e tij më të fundit.



*****************************



Franc Konomi dhe Flamur Reçi i kërkuan një biznesmeni 100 mijë dollarë, por morën 6 dollarë dhe një tufë me letra



Dënimi i Konomit, për gjobëvënie



Franc Konomi, së bashku me shtetasin Flamur Reçi, janë dënuar tetë vjet më parë për gjobëvënien e një biznesmeni nga kryeqyteti. Sipas vendimit të gjykatës, në fillim të muajit dhjetor 2001 biznesmenin Y.A e ka marrë në telefon një person, duke i kërkuar të paguante 100 000$. Kur ai ka refuzuar, kërcënuesi i ka thënë se do të hidhej në erë ai dhe familja e tij.





Telefonuesit janë prezantuar si komandant "Çerçizi" dhe "ushtari " që "gjoja" shërbenin në Ushtrinë Çlirimtare të Çamërisë. Duke parë që i dëmtuari nuk po paguante, të pandehurit e kanë ulur shifrën e gjobës me 10 fishin, duke kërkuar 10.000$.





Pasi kanë rënë dakord për këtë shumë, i pandehuri Flamur Reçi ka thirrur shtetasin Fatmir Hysa, i cili punonte taksist në kryeqytet.





Në momentin që Hysa ka shkuar për të takuar Reçin, ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga Franc Konomi. Shoferi ka lënë Franc Konomin tek zona e njohur si Dervish Hatixheja ndërsa është urdhëruar që të shkojë tek stacioni i trenit ku do takohej me një grua, të cilën do ta shpinte në një hotel në Kamëz. Por në vend të gruas atij i ka dalë përpara një burrë që i ka dhënë një zarf me 6 dollarë dhe një tufë letrash që ngjanin si para.





Policia ka qenë në ndjekje të makinës dhe ka kryer arrestimin e Franc Konomit dhe Ymer Reçit kur këta të fundit po merrnin zarfin. Sipas gjykatës, Flamur Reçi ishte ideatori dhe organizatori i kësaj vepre penale, ndërsa Franc Konomi ka qenë ndihmësi i tij.



**********************************



Babai i Franc Konomit humb ndjenjat në morg kur i kërkohet të identifikojë të birin e vrarë



Stefan Konomi: S'kam hasmeri, kujdesuni për tim bir



Gjëma të cilës i druhej prej vitesh të tëra ka ndodhur dje. Në mesditë, i biri është bërë shoshë nga plumbat, por Stefan Konomi nuk u ka besuar veshëve. Ndaj, disa orë pas ngjarjes, 80-të vjeçari ka marrë rrugën drejt morgut me shpresën e vetme se nuk bëhej fjalë për djalin e tij. Fakti që prej kohësh, Franci jetonte në Gjermani, ka bërë që 80-të vjeçari të besojë se i biri i kishte dhënë duart të kaluarës së tij të errët.





Burri i vetëm i familjes Konomi është gjunjëzuar dje përballë dyerve të morgut. Nuk ka guxuar as të shohë të birin qoftë për të bërë formalitetet e rastit të identifikimit të kufomës. Pasi është siguruar që viktima, kraharori i së bërë shosh nga plumbat, është i të birit, Stefan Konomi ka humbur ndjenjat.





Për disa minuta 80-të vjeçari nuk ka qenë në gjëndje të flasë me askënd dhe krejtësisht në delir ka nisur të ngrejë akuza për autorët e ekzekutimit të të birit. Ka fajësur shokët por më pas ka mohuar gjithçka. 80-vjeçari ka qënë ndër personat e parë që është marrë në pyetje nga grupi i hetimit.





Ai ka delaruar se nuk ka njohuri që i biri të jetë përfshirë në ndonjë hasmëri dhe se nuk ka asnjë të dyshuar si autorë të mundshëm të ekzekutimit të Franc Konomit. "Franci ka ardhur për pushime dhe nuk di të ketë hasmëri me askënd.





Por kujdesuni për të që të kryejnë të gjitha nderet që i takojnë"-mësohet të ketë thënë Stefan Konomi për grupin hetimor të kryesuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.





Ekspertiza mjeko- ligjore e përfunduar rreth orës 20.00 të mbrëmjes ka përcaktuar se vdekja ka qenë e pashmangshme për Franc Konomin. Sipas mjekëve ekspertë, plumbat kanë përshkuar krejtësisht kraharorin e 42- vjeçarit çka i ka shkaktuar vdekjen e menjehershme.





Mësohet se Franc Konomi ka bërë udhëtime të shpeshta, Gjermani -Shqipëri. Madje edhe familja e tij, gruaja dhe dy fëmijë jetojnë në Gjermani prej shumë kohësh, dhe kjo është arsyeja që ende nuk dihet se ku do të kryhet varrimi.