Policia italiane thotë se 27-vjçari që jetonte me dokumente të rregullta në Siena është vrarë rreth orës 02:00 të mëngjesit nga dy persona që janë larguar me fuoristradë. Dyshimet e policisë janë përqendruar te pista e hakmarrjes, pasi vëllai i viktimës ka kryer një krim 10 vjet më parë




Vrasja për gjakmarrje







Artan CENA


SIENA - Persona të paidentifikuar kanë qëlluar për vdekje një shqiptar, sapo ai kishte parkuar makinën e tij. Ngjarja ka ndodhur në qytetin italian të Sienës, Itali. Lajmi është bërë i ditur nga media e shtetit fqinj, të cilët kanë treguar se, viktima kishte një vit që jetonte me dokumente të rregullta dhe zakonisht kishte punuar si kamerier. Viktima është Lorenc Lame, 27 vjeç. Ai kishte lënë punën rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm dhe është larguar për në banesën e tij. Siç bëhet e ditur personat që kanë qëlluar mbi shqiptarin të kenë qenë dy dhe të kenë ikur me një automjeti, që është gjendur i djegur në afërsi të varrezave të qytetit. Sipas policisë, me makinë që është gjetur e shkrumbuar besohet se kanë lëvizur vrasësit. Në të gjithë zonën karabinierët kanë ngritur post-blloqe, por ende nuk ka asnjë njoftim për kapjen e autorit. Dyshimet e para të policisë italiane tregojnë se vrasja mund të ketë ndodhur për motive gjakmarrjeje, pasi vëllai i viktimës dyshohet se ka kryer një krim 10 vjet më parë.


***


Media e shtetit fqinj, duke cituar burime zyrtare nga policia ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Ishulli Skalo, në afërsi të qytetit të Sienës. Ngjarja ka ndodhur kur ai ishte duke parkuar makinën, poshtë një pallati ku 27 vjeçari nga Shqipëria jetonte së bashku me disa të afërm të tij. Nga rindërtimi i ngjarjes nga policia, është mësuar se, besohet se kanë qenë dy persona që i janë afruar Lames dhe e kanë qëlluar në kokë me tre plumba pistolete në kokë dhe dy të tjerë në kraharor. Dhe 27 vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga të dhënat e mbledhura nga policia, Lame kishte një vit që kishte mbërritur në shtetin fqinj. Ai kishte ndryshuar disa punë gjatë kësaj kohe dhe në momentin që është ekzekutuar punonte si kamerier. Nga të dhënat e deritanishme të policisë është arritur të rindërtohet dhe ngjarja. Karabinierët thanë se, autorët e kësaj ngjarjeje e kanë pritur të riun poshtë pallatit ku jetonte së bashku me motrën dhe kunatën. Ata kanë qenë me një fuoristradë dhe nga aty kanë zbritur dhe kanë qëlluar shqiptarin në momentin kur ka qenë duke parkuar makinën, për tu larguar më pas me shpejtësi.


***


I riu që kishte marrë pesë plumba është dërguar me shpejtësi në spital dhe siç mësohet ka ndërruar jetë në spitalin “Scotte”. Ndërkaq të dyshuarit janë larguar menjëherë me makinën e tyre, që afërisht pas një ore e kanë djegur në afërsi të varrezave të qytetit në vendin e quajtur, “Arbia”. Një mik i viktimës ka treguar për policinë e shtetit fqinj se, vrasja e Lames mund të ketë lidhje me një krim të bërë nga vëllai i tij, 10 vite më parë në Shqipëri. Sipas tij, vëllai i viktimës kishte qëlluar një tjetër person për vdekje. Ai pasi kishte bërë disa vite burg, kishte përfituar nga një amnisti e presidentit, duke u liruar. Pas lirimit ishte larguar në drejtim të Italisë, ku kishte njerëzit e tij të afërt. Policia italiane është duke punuar dhe në disa pista të tjera, duke mos përjashtuar dhe atë të hakmarrjes. Gjatë ditës së djeshme policia ka marrë dëshmitë e 20 personave që mendohet se, kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur apo ndonjë konflikt të ndodhur gjatë kohës kur ka qenë në Itali. Janë marrë dhe dëshmitë e fqinjëve dhe familjarëve, ndërkohë që makina është dërguar për ekspertizë.






Akuza edhe për drejtësinë



Gjin Marku: Qeveria fsheh shifrat e gjakmarrjes




TIRANë - Në raportin që komiteti i pajtimit mbarëkombëtar, lidhur me shkallën e kriminalitetit për shkak të gjakmarrjes, ka tone të ashpra ndaj drejtësisë shqiptare, që konsiderohet si një ndër shkaktarët e këtij fenomeni. Kreu i këtij komiteti, Gjin Marku tha se qeveria e fsheh fenomenin e gjakmarrjes, për shkak të asaj që ajo e konsideron si imazh të keq për ambiciet integruese në Bashkimin Evropian. Sipas tij është policia e cila i klasifikon vrasjet si krim me dashje duke fshehur të vërtetën e gjakmarrjes. Sipas të dhënave, në vendin tonë ka ende krime të tilla, që kanë ardhur si pasojë e mos dënimit të personave për krimet që kanë bërë. Sipas raportit, gjykata nuk japin vendime të rënda për krimet e ndodhura, gjë e cila sjell dhe reagimin e palës së viktimës, që sjell të tjerë të vrarë dhe të tjerë persona që ngujohen për të shpëtuar nga vdekja. Raporti i përpiluar nga kjo organizate do t’i dorëzohet dhe raportuesit të posaçëm të OKB-së Filip Alston, i cili ndodhet në Tiranë prej dhjetë ditësh dhe po zhvillon takime me faktorë të ndryshëm të politikës dhe shoqërisë civile. Ai po mbledh të dhëna për shkallën e kriminalitetit dhe arsyet e tij dhe një nga kapitujt kryesorë të raportit të tij do të jetë edhe krimi për gjakmarrje. Gjatë viteve të fundit janë pajtuar më shumë se 3045 familje. Fenomeni ka qenë më i rëndë në qarkun e Shkodrës, por gjithashtu është i pranishëm edhe në rrethet e tjera. Në Krujë janë 170 fëmijë, ndërsa në Kukës 47 fëmijë të prekur nga gjakmarrja.




Banda e shqiptarëve, 13 në pranga



TRENTO - Një operacion blic i karabinierëve në Itali me bashkëpunimin edhe me forca të tjera policore në Spanjë, Francë e Belgjikë çoi në shkatërrimin e një bandë marokenë- shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës. Pas lëshimit të urdhër arrestit nga prokuroria Antimafia në Trento, në pranga kanë rënë 57 persona, nga të cilët 13 janë kapur në flagrancë. Nga hetimet e kryera rezulton se organizata transportonte sasi të mëdha hashashi nga Maroku, kokainë nga Holanda dhe heroinë nga Ballkani drejt Italisë. Pas mbërritjes ne Itali, transporti dhe shpërndarja e saj menaxhohej nga Sakra Korona Unita brindiziane e cila merrej me shpërndarjen e lendes narkotike në rajonet të ndryshme si dhe fshehjen e trafikanteve te huaj.





Arrestohet prostituta 42-vjeçare



TIRANë - Kërkohej që prej nëntorit të 2008, dhe vetëm dy ditë më parë është bërë i mundur ndalimi i një gruaje 42 vjeçare, e cila ishte dënuar me 4 muaj burg për prostitucion. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Këta të fundit thanë se, kanë vënë në pranga një 42 vjeçare për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”. Ndalimi është bërë pas një vendimi që Gjykata e Shkodrës ka dhënë për dënimin e saj me 4 muaj burg. Sipas policisë arrestimit i saj është bërë në Tiranë nga specialistët e seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve. Shtetasja Elisabeta Kola (Liço), është banuese në Beltojë të Shkodrës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar atë më datën 04 nëntor 2008. Dënimi i saj më katër muaj është bërë për “Ushtrimit të prostitucionit”. Pas arrestimit, ajo është dërguar në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, ku më pas do të vuajë dhe dënimin e dhënë nga gjykata.




Thyen magazinën, pranga të rinjve



TIRANë - Thyejnë një magazinë për ta grabitur, policia arreston dhe bashkëpunëtorin e dytë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit. Këta të fundit kanë bërë me dije se, dy ditë më parë nga efektivët e hetimit të krimit të komisariatit të policisë numër 6, Tiranë është bërë kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i Andi Zingas, 18 vjeç, banues në Tiranë, i cili është proceduar më parë në vitin 2009, për veprën penale të “vjedhjes bashkëpunim”. Burime nga policia kanë deklaruar se, ndalimi adoleshentit është bërë pasi dyshohet se në datën 17 shkurt 2010, në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tij, kanë vjedhur me thyerje zyrën e magazinës për punimin e hekurit, e ndodhur në autostradën Tiranë - Durrës, pronësi të një shtetasi. Dosja me materiale mësohet se i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”.