Elbasani dhe teatri “Skampa” dhe miku im, Adonis Filipi, organizuan një aktivitet ndërkombëtar për teatrin, duke i rritur vlerat qytetit të tyre, duke organizuar aktivitete të cilat kanë një frymëmarrje më të gjerë se ajo kombëtare.


Aktivitete të tilla i rrisin vlerat qytetit, ndikojnë për integrimin e kulturës së qytetit, duke e bërë të njohur tek pjesëmarrësit dhe tek kulturat e tjera.


Bile nga bisedat me miqtë e mi elbasanas, teatri merr aktorë me kontratë nga Akademia e Arteve e që në Shkodër as që bëhet fjalë për një gjë të tillë, duke përmirësuar nivelin e lojës në teatër dhe duke u dhënë shansin aktorëve të rinj të performojnë ide të reja dhe një konceptim të ri për teatrin i cili është mjaft i rëndësishëm, sa kalon kufirin në Maqedoni ose Mal të Zi dhe organizohet dhe konceptohet në një formë krejt tjetër.


Çfarë ngjet me Shkodrën?


Shkodra e fillon sezonin e ri të aktiviteteve kulturore me koncerte me këngëtarë të dalë jashtë mode ose nivele të dyshueshme, të cilët këndojnë “Play-back” dhe përsërisin totalisht veten, duke kënduar këngë të cilat vetëm shkodrane nuk janë.


Natyrisht, ka individë që tentojnë të bëjnë diçka të cilët kanë mbështetje dhe të operatorëve kulturorë të Tiranës ose të bashkisë, por është e pafalshme që Elbasani organizon aktivitete ndërkombëtare dhe Shkodrën akoma në kulturë e drejtojnë amatorë, egoistë të cilët nuk ia duan të mirën kulturës dhe organizimit të aktiviteteve serioze kombëtare e për më tepër, ndërkombëtare.


Shkodra krenohet në emisione televizive, ku pjesëmarrësit tregojnë nivelin e tyre intelektual dhe gjysma jetojnë në Tiranë, kurse në realitet, situata në të vërtetë është krejt ndryshe. Çuditem që këta përfaqësues të Shkodrës në këto emisione nuk flasin për thelbin e mosfuksionimit dhe menaxhimit të kulturës, por tentojnë vetëm të thonë që janë më të diturit dhe më mendimtarët.


Unë që ju shkruaj këta rreshta, i propozova kandidatit të atëhershëm për kryetar bashkie, z. Luka, një aktivitet ndërkombëtar të titulluar: “Harpagoni në gjuhë të ndryshme”, pasi Z. Jubani pati lënë gjurmë me këtë pjesë ose së paku dha një mesazh për kohën i cili duhet çuar përpara dhe me rastin e 100-vjetorit të lindjes së aktorit.


Njëkohësisht, i propozova edhe një festival ndërkombëtar të “Bandave muzikore” të Ballkanit Jugperëndimor.


Asnjëri prej këtyre aktiviteteve nuk u zhvillua dhe është “Shkodra e kulturës” që nuk organizon asnjë aktivitet rajonal ose evropian.


Kjo situatë vjen si rezultat i atyre që drejtojnë Shkodrën dhe të paaftëve të kulturës, të cilët e kanë përjetësisht vendin e sigurt.


Drejtuesit ankohen se nuk mund të bëjnë reforma në kulturë dhe teatër se pretendojnë se do t’u mbetet hatri aktorëve dhe ata do ta bëjnë “Shkodrën lëmsh”.


Paska pasur të drejtë Noli kur thoshte e shkruante pak a shumë kështu:


“Shkodra e lodrave”.


Shkodra që ka një të ardhme të padiskutueshme, ka nevojë të madhe për një reformë të organizimit të aktiviteteve kulturore dhe rikonceptimit të strukturës për kulturën, pasi Shkodra e ka kulturën si “bukën”.


Shkodra nuk zhvillohet me brekë e këpucë, të cilat edhe ato kanë rëndësinë e vet, pasi janë të lidhura edhe ato me bukën, por jo me pjesën shpirtërore e tradicionale të saj.


Shkodra duhet ta shfrytëzojë kulturën si pjesë të zhvillimit të saj ekonomik, pasi i ka të gjitha prioritetet.