ElbasaniMaringlen Miraka


Sekretari Sqapi: Kjo skuadër është vështirë të ndalet në këtë kampionat dhe jo vetëm kaq, por është më i vendosur se kurrë për ta bërë realitet ëndrrën e madhe, si dhe dëshirën e tifozërisë anembanë qarkut të vet, për tu rikthyer përsëri në Kategorinë Superiore


Shtatë pikë në tre javë kampionati, të cilat kanë ardhur nga dy fitore 2-1 në Ruzhdi Bizhuta, ndaj Tërbunit dhe Shkumbinit, si dhe nga një barazim në Gjirokastër, 2-2, dhe Elbasani, së bashku me Apoloninë, kryeson tashmë Kategorinë e Parë. Kaq ka mjaftuar që verdheblutë të shohin më tepër dritë në fund të tunelit për të besuar se do të jenë përsëri në Superiore. Aq më shumë që edhe shefi i klubit i Elbasanit, Erion Sqapi, e sheh Elbasanin e Filjas vërtet në rrugë të mbarë.


Pas fitores me Shkumbinin, të shtunën në Ruzhdi Bizhuta, por dhe pas të dielës pushim, verdheblutë kanë nisur dje stërvitjen për ndeshjen e radhës, atë në transfertë me Adën e Velipojës. Para nisjes së përgatitjeve, Filja ka bërë dhe një analizë të asaj që skuadra ka dhënë në fushën e lojës në derbin me Shkumbinin, ndërsa është shprehur me nota pozitive për fitoren ndaj peqinasve. Por nuk ka kursyer dhe kritikat e tij, sidomos për mbrojtjen, e cila jo vetëm që lëshoi pak në fund të takimit, kohë në të cilën peqinasit ngushtuan dhe diferencën e golave me anë të Sulkjes, por në tre ndeshje ka pësuar katër gola.


Gjithsesi, për të gjithë këtë ecuri pozitive të fillimit të kampionatit, Gazeta e Sportit i ka marrë një prononcim shefit të klubit të Elbasanit, Erion Sqapi. Kryekzekutivi i verdhebluve ndihet mirë me fitoren ndaj peqinasve, që sipas tij ka pasur vlera të dyfishta, sepse u fitua derbi dhe u morën tre pikë që e kanë vendosur Elbasanin në vendin e dytë në renditje. Këto të fundit thotë Sqapi – na kanë çuar në krye të renditjes, bashkë me Apoloninë, ndërsa jemi kryesues së bashku me fierakët në kuotën e shtatë pikëve. Jemi në rrugë të mbarë dhe ky është një sukses jo i vogël dhe meritë për këtë kanë të gjithë.


Duke e nisur që nga presidenti Laze, për të vazhduar me trajnerët e  futbollistat, po pse jo dhe tifozët e zjarrtë, të cilët janë rikthyer këtë kampionat fuqishëm si më parë. Detyra jonë tashmë është që të ruajmë këtë ritëm dhe të luajmë me kujdes në të gjitha takimet, që na kanë mbetur deri në fund të fazës së parë. Duhet ti bëjmë mirë llogaritë në mënyrë që të ruajmë ecurinë pozitive të këtyre ndeshjeve, të cilat kanë qenë në lartësinë e duhur dhe më  të mirat e këtij fillim kampionati nëse mundë të them kështu. Përpara na pret një sfidë tjetër e rëndësishme, që vlen po tre pikë.


Ndaj duhet të mos e ulim ritmin e punës në përgatitje dhe të jemi sa më serioz dhe të preukopuar për transfertën me Adën. Velipojakët janë një skuadër e dobët, që në këto javë kanë vetëm një pikë, por kjo nuk do të thotë se do ta kemi të lehtë.  Përkundrazi do të përgatitemi shumë për tia dalë mbanë dhe në këtë të shtunë, ka shpjeguar Sqapi, i cili në vazhdim të fjalës së tij do të pohonte: Ky Elbasan është vështirë të ndalet në këtë kampionat dhe jo vetëm kaq, por është më i vendosur se kurrë për ta bërë realitet ëndrrën e madhe, si dhe dëshirën e tifozërisë anembanë qarkut të vet, për tu rikthyer përsëri në Kategorinë Superiore