Nga ELTON KARAJ
Gjërat duket se tani po shkojnë sipas planeve tek Elbasani. Ekipi është pothuajse i formuar dhe stafi teknik po pret edhe dy lojtarë për të përforcuar akoma më shumë organikën e tyre. Duket se klubi verdheblu do të mbajë dy nga tre nigerianët e mbërritur ditët e fundit, duke e dërguar në tetë numrin e lojtarëve të ardhur gjatë kësaj merkatoje. Bëhet fjalë për një mbrojtës dhe sulmues që tashmë do të jenë pjesë e skuadrës. Gjithashtu, me rikthimin e Olatunjit, duket se kontingjenti që ka në dispozicion trajneri File po kompletohet dita-ditës. Megjithatë, drejtuesit kërkojnë ende përforcime në mënyrë që skuadra të mos e diskutojë rikthimin në Superligë. Presidenti Laze është ende në bisedime për të afruar edhe 4-5 lojtarë cilësorë, për të shtuar edhe më shumë konkurrencën midis futbollistëve për një vend në formacion. Disa muaj më parë u duk se Elbasani do të kishte problemet e vitit të kaluar kur skuadra u organizua me shumë vonesë. Por përkundrazi, klubi ka marrë të gjitha masat dhe tashmë dhe po pritet me padurim starti i kampionatit. Verdheblutë këtë sezon mendohet se do të jenë forca e parë në kampionat dhe do të synojnë rikthimin e menjëhershëm në Superligë.