Skualifikimi nga Kupa e Shqipërisë, kjo për faj të trajnerit Hasan Lika, i ka prerë shpresat e Teutës për të siguruar një biletë në fund të sezonit për në Kupat e Europës. Me eliminimin nga ky kompeticion, arritja e objektivit duket shumë larg, për të mos thënë i pamundur. Skuadra ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat me Laçin. Situata nuk është nga më të mirat, por megjithatë optimizmi nuk mungon në kampin durrsak, i cili ka besim se ndaj kurbinasve do të bëjnë një paraqitje të mirë. 

Drejt Laçit skuadra do të udhëtojë pa mesfushorin me tipare sulmuese, Ansi Nika, i cili është pezulluar për shkak kartonësh. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit është gati për të zbritur në fushë. Dëmtimet duket sikur e kanë cenuar disi skuadrën. Linja e djathtë, ku shërbejnë dy kosovarët, Krasniqi dhe mesfushori Shabani, nuk po funksionon si duhet. Kosovarët e nisën mirë kampionatin dhe dhanë përshtypjen se do ta merrnin skuadrën përdore, por pas rikthimit nga dëmtimet ata nuk po tregojnë një formë të mirë. 

Së fundmi, stafi teknik me në krye trajnerin Lika, i cili është përgjegjësi kryesor i situatës aktuale, e ka vënë theksin te sulmi, që e ka të vështirë për të gjetur golin. Në përballjen me Apoloninë u aktivizua si sulmues edhe mesfushori Ansi Nika, por nuk u pa një bashkëpunim frutdhënës me brazilianin Rafael. Deri në këtë fazë të sezonit sulmi durrsak, duke iu referuar sulmuesve të deklaruar ka realizuar pak, dy herë ka shënuar braziliani Rafael dhe dy gola i takojnë ish-sulmuesit Brunild Pepa, që nuk është më pjesë e skuadrës. Ky i fundit nuk është aktivizuar rregullisht.

(a.n/panoramasport/BalkanWeb)