Në kornizën e 24 orëve, Copa America mbeti pa dy favoritët e këtij kompeticioni. Pas Argjentinës, edhe Brazili është eliminuar në çerekfinale nga Paraguai. Brazilianët e patën lojën në dorë, por ishin të dizastër në ekzekutimin e penalltive. Në gjysmëfinale u kualifikua edhe Venezuela, që e eliminoi Kilin.


Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 11:00

Pas Argjentinës, edhe Brazili është eliminuar nga Copa America. Pato, Neymar e Ganso nuk kanë arritur ta thyejnë murin e krijuar nga Paraguai, i cili u kualifikua në gjysmëfinale vetëm falë saktësisë pas ekzekutimit të penalltive.



Brazilianëve nuk u mjaftuan 120 minuta dominimi dhe katër raste të qindpërqindta me Paton e Neymarin, për ta mundur kundërshtarin. Paraguai rezistoi në mënyrë mahnitëse dhe falë portierit Justo Villar, e kapi gjysmëfinalen.



“Është e vështirë ta kuptojmë atë që ndodhi, një ndeshje e jashtëzakonshme. Jemi mbrojtur mirë dhe kemi arritur deri tek ekzekutimi i penalltive, të cilat i goditëm mirë dhe e kaluam turnin. Ishte e vështirë të përmbaheshim ngase kishim përballë një kundërshtar të fortë si Brazili. Por, në fund u gëzuam ne, kjo është e mahnitshme”, theksoi heroi paraguaian, Villar.



Mjaftuan penalltitë e Estigarribia e Riveros, për ta eliminuar favoritin Brazili, tek i cili dështuan nga pika e bardhë të gjithë: Elano, Andre Santos, Thiago Silva e Fred. Robinho ishte njëri prej lojtarëve më të mirë brazilianë. Ai i futi në shans Paton e Neymarin, por të dy dështuan nga pozita të qindpërqindta.



“Mendoj se megjithatë patëm paraqitje të mira në këtë Copa America. Duhet që menjëherë ta ngrisim kokën lartë, pasi që po luajmë mirë, por nuk po shënojmë. Mendoj se ishte ndeshja e jonë më e mirë në këtë eveniment. Fusha ishte e keqe dhe një problem i madh për ne”, deklaroi Robinho.



Në lojën shtesë, përkatësisht në minutën e 103-të, pas një kacafytjeje në mes vete, Leiva i Brazilit dhe Alcaraz i Paraguait u përjashtuan nga loja.



Ndërkohë, Venezuela është ekipi i katërt që e ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale pasi në çerekfinale fitoi ndaj Kilit me rezultat 2:1. Venezuela kaloi e para në epërsi përmes Vizcarrondos, i cili shënoi me kokë në minutën e 15-të. Ndërsa, kilianët e barazuan rezultatin në minutën e 69-të me anë të Humberto Suazos.



Por, venezuelasit e shënuan golin e fitores në minutën e 81-të përmes Ciceros. Kilianët dominuan në këtë ndeshje, por nuk patën fat. Sulmuesi më i rrezikshëm i tyre, Alexis Sanchez me shokë e goditën tërthorësen dy herë, por topi nuk deshi të përplasej në rrjetë.




Çerekfinalja




Rezultatet

Brazili – Paraguai0:0 (0:2 pas penalltive)

Venezuela – Kili2:1