TIRANE- Elis Bakaj është futbollisti shqiptar i vitit 2010. Trajnerët dhe kapitenët e 12 skuadrave të Superligës kanë zgjedhur fantazistin e Dinamos dhe të ekipit kombëtar si më të mirin e vitit, bazuar në atë çfarë Bakaj ka dhënë gjatë harkut të 365 ditëve. Çmimi është dhënë mbrëmë në mbrëmjen gala të organizuar nga Federata, ku Elis Bakaj ka fituar për herë të dytë votimin e institucionit qendror të futbollit në vend. Ai ka triumfuar përballë rivalëve si Hamdi Salihi apo Gjergji Muzaka, që kanë qenë njerëzit më decizivë në futbollin shqiptar në vitin e fundit. Ndërkohë, ndryshe nga ç’ishte programuar, Federata nuk ka shpërndarë çmimet e tjera të fundvitit, që duhet të jepeshin për trajnerin më të mirë, futbollistin e ri më të mirë, arbitrin më të mirë dhe portierin më të mirë. Elis Bakaj luan prej dy vitesh me Dinamon dhe ka qenë lideri i kësaj skuadre në fitimin e titullit kampion sezonin e shkuar. Ai është tashmë pjesë e rregullt e kombëtares shqiptare, me të cilën ka shkëlqyer në miqësoren e fundit ndaj Skënderbeut.
(s.g/balkanWeb)