23-06-2012 / Gazeta 55

Doli në konferencë shtypi pas kërcënimeve të Ramës dhe Veliajt

Kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka deklaruar se do të vijojnë verifikimet e listave të delegatëve të Asamblesë së FRESSH, duke konfirmuar në këtë mënyrë manipulimin e përbërjes së tyre. Ky hap ndërmerret pas debateve dhe mosmarrëveshjesh të ashpra të shkaktuara nga ndryshimet e papritura në listat e delegateve dhe të anëtarëve të Asamblesë, çka detyruar Spiropalin të braktisë mbledhjen dhe të akuzojë Sekretari për Rininë në PS Erion Veliaj, se kishte ndryshuar listën e pjesëmarrësve në Asamble.
Drejtuesja e sapo zgjedhur e FRESSH, deklaroi se kjo organizatë është e pavarur nga partia mëmë dhe se nuk i mbyt debatet. Mësohet se gjatë ditës, kryetarja e Forumit Rinor socialist ka pasur takime dhe konsulta me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, më të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet më të fundit. Kryetarja e FRESSH Elisa Spiropali, e zgjedhur nga Kongresi i këtij forumi në datë 12 qershor në këtë post, braktisi të enjten pasdite mbledhjen e Asamblesë së FRESSH pas disa debatesh dhe mosmarrëveshjesh të shkaktuara nga ndryshimet e papritura në listat e delegateve dhe të anëtarëve të Asamblesë.
Mësohet se në listat e të deleguarëve të forumit në rrethe për Asamblenë janë konstatuar gabime. Burime nga mbledhja bënë të ditur se sekretari për rininë në PS, Erjon Veliaj kishte ndryshuar listën e pjesëmarrësve në Asamble, duke hequr prej saj një grup anëtarësh, mbështetës të Spiropalit.
E gjendur përballë këtij fakti dhe daljes nga salla të shumë anëtarëve të zgjedhur të Asamblesë, kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali ka braktisur mbledhjen. Mësohet se pas përfundimit të mbledhjes së asamblesë së FRESSH, kryetari i PS, Edi Rama është drejtuar në selinë e PS, ku dhe ka kërcënuar me përjashtim drejtuesit e FRESSH-it në rrethe.

...