“Politikat publike në shëndetësi” është libri i studiuesit shqiptar Erion Piciri, botuar në Shtëpinë Botuese “Cartea Universitara”, Bukuresht 2008.


Dr. Erion Piciri, studiues dhe pedagog i shkencave politike, i shkolluar në disa nga universitetet më me emër të Rumanisë, doktor i shkencave dhe me rreth 8 mastera dhe studime pasuniversitare në shkencat politike, sociologjike, administrative, juridike, komunikimi etj., dhe në proces të mbrojtjes së doktoraturës së dytë në shkenca administrative, botoi kohëve të fundit, librin e tretë rumanisht “Politikat publike në shëndetësi”, “Cartea Universitara”, Bukuresht 2008. Libër i çmuar së tejmi nga qarqet akademike të vendit dhe nga zërat më autoritarë të tij. “Politikat publike në shëndetësi”, e autorit shqiptar, konsiderohet si një ndihmesë reale në fushën e studimeve të politikave publike në përgjithësi dhe të atyre në shëndetësi në veçanti. Përshkrimi i ciklit të elaborimit të politikave publike si dhe trajtimi ekshaustiv i faktorëve politikë, socialë, administrativë, financiarë, juridik-proceduralë, menaxherialë, imagologjik, informacional, mediatik etj., deshifrojnë me origjinalitet kodin e vendimmarrjes ekzekutive. Libri i paraprin klasifikimit të disa koncepteve dhe mekanizmave që i japin jetë përçapjeve menaxheriale, social-ekonomike dhe politike në perimetrin e shëndetësisë, duke u shndërruar në një kontribut madhor në teorinë dhe praktikën e kësaj fushe. Në këtë libër dallohet pasuria e ideve, multidisipliniteti i trajtimit, shkalla e lartë e thellimit shkencor, pozicionime të autorit - që përbëjnë risinë dhe origjinalitetin e punimit.


Profesori universitar, Ion Verboncu, Drejtor i Qendrës së Formimit Permanent të Akademisë së Studimeve Ekonomike në Bukuresht, do të shprehej se në librin e Erion Picirit: “Dallojmë volumin e madh të të dhënave dhe informacioneve të analizuara dhe përpunuara, si dhe qartësinë e konkluzioneve, nga një analizë e tillë, në lidhje kryesisht, me tendencën e imazhit të Ministrisë së Shëndetit Publik. Nëpërmjet përmbajtjes dhe mënyrës së trajtimit, instrumenteve të përdorura për studim, thellësinë e analizës dhe vlerën e konkluzioneve konsiderojmë se libri i Erion Picirit është një prodhim shkencor elitar”.


Akademik Dan Enachescu, ish-ministër i Shëndetësisë, do të shprehej se “Libri i Dr. Erion Picirit është shumë aktual për shëndetin publik, sepse, ky studim, gjendet midis administratës publike dhe mjekësisë sociale. Libri është i rëndësishëm dhe nga pikëpamja teorike, sepse vë theksin mbi nevojën e rishikimit të konceptit të shëndetit publik – një shëndet publik i ri – dhe të atij të një administrate publike të re”. “Vlera metodologjike e librit konsiston në përshkrimin e hollësishëm të procesit vendimmarrës në formulimin e politikave publike shëndetësore. Kjo komponente e tezës bëhet akoma më e dobishme nga pikëpamja praktike, atëherë kur reflektimi i lexuesit bie mbi fushën e decentralizimit në politikat e reformave administrative të institucioneve publike të shtetit, përfshirë këtu dhe atë shëndetësore”.


Prof. Dana Galieta Minca, shefe e Departamentit të Shëndetit Publik dhe Menaxhimit, Universiteti i Mjekësisë dhe Farmacisë “Carol Davila” Bukuresht, do të shprehej: “Ky libër prek subjektin e vështirë të aktit vendimmarrës. Hapësira të cilën ka vendosur të investigojë autori i këtij studimi i referohet politikave publike (konkretisht politikave shëndetësore). (...) Ai arrin të analizojë me sukses dhe në thellësi imazhin e aktorëve kyç të sistemit shëndetësor rumun. Rezultatet janë analizuar nën prizmin e një kërkimi cilësor, ku autori dëshmon një zotërim të plotë të nocioneve teorike por dhe të metodave komplekse të kërkimit të shërbimeve shëndetësore (...). Punimi i Dr. Erion Picirit ofron një trajtim kompleks, multidisiplinor, në kufirin midis shëndetit publik, sociologjisë, politikave sociale, komunikimit dhe rolit të mass-media-s. Metodologjia e qartë dhe e riprodhueshme i jep punimit cilësinë e mundësisë së përdorimit si bazë kërkimore për çdo studim në lidhje procesin vendimmarrës në nivelin e politikave publike të shëndetësisë jo vetëm në Rumani”. “Tematika e trajtuar, - do të shprehej profesor Petru Armean, drejtor i Shkollës Kombëtare të Shëndetit Publik dhe Menaxhimit në Bukuresht, - është shumë aktuale dhe ka një impakt të fuqishëm mbi politikat shëndetësore në nivel kombëtar. Ajo trajton procesin e përpunimit dhe të implementimit të politikave publike, si nga perspektiva e shëndetit publik dhe e menaxhimit, ashtu dhe nga perspektiva e imazhit publik dhe social, duke sjellë një kontribut të rëndësishëm në njohjen e faktorëve që influencojnë suksesin apo mossuksesin e disa politikave publike shëndetësore. (...) Libri arrin të evidentojë dhe të argumentojë rolin që ka ndikimi i faktorit ekonomik, politik dhe mass-medias në marrjen e vendimeve, në përpunimin dhe implementimin me sukses të politikave sanitare. Punimi përfshin një ikonografi të pasur, një bibliografi të zgjedhur. Fusha është e re, pak e trajtuar në literaturën e specialitetit në Rumani. Punimi sjell një ndihmesë thelbësore në procesin e përpunimit dhe implementimit të politikave publike të shëndetësisë në Rumani.