Subjektiviteti I ri-krijimit quhet ekspozita personale e artistit Eljton Valle e cila do të hapet më 20 shtator në Nuova Galleria Morone në Milano. Nën kurimin e Klod Dedja kjo ekspozitë sjell një cikël të punimeve autentike në skulpturë dhe pikturë mixmedia. Në artin bashkëkohor, artistët marrin pozicione apo këndveshtrime autentike për të konfrontuar me botën reale.


Pa këto perspektiva të ndryshme, bota do të ishte një bosh i madh kolektiv, për këtë, në një farë mënyre artisti është i domosdoshëm për të ri-propozuar atë që nuk ekziston në shoqërinë që na rrethon, thotë kuratori Klod Dedja. Sipas tij, veprat e artistit janë ndërthurje paralele me botën reale, duke u përpjekur të ri-formatoje një objekt jo-ekzistues, në mënyrë që të depërtojnë thellë në ndërgjegjen subjektive të materies që ne nuk i njohim thellë thellë.


Artisti rikrijon materien në forma konceptuale si depërtim në thelbin e transformimit, duke i dhënë një identitet tërësisht imagjinar me një ndjenjë të fortë reflektimi. Materialet e ricikluara si titani, alumini, hekuri, zinku, nafta ose komponimet e ndryshme kimike janë bota e tij e re, një botë objektesh hapësinore të cilët reagojnë me njëri-tjetrin si një konflikt bashkëjetese.


Një subjekt që artisti përpiqet të krijojë me duart e veta, si një akt reagues, për të udhëtuar si një agjent kimik ose si një shpërbërës kimik, ..për të ringjallur esencat e reja gjuhësore të një peizazhi epokal, thotë Dedja. Eltjon Valle është pjesë e brezit të ri të artistëve konceptualë nga Shqipëria, i lindur në vitin 1984 në Kuçovë, një nga zonat më të ndotura të puseve të naftës, ku peizazhi i përngjan një skene apokaliptike me efekte speciale të lmazheve të Hollivudit.


Surreal dhe tronditës është ky peizazh-dekor me të cilin ai identi koi thelbin e veprave të tij duke përdorur materiale të marra nga kjo zonë e ndotur nga egoizmi njerëzor. Nafta e papërpunuar është një nga elementët që ai shpesh e përdor për instalimet e tij në forma të ndryshme, duke përdorur tokën e zhuritur të Kuçovës si një “requiem” të kujtesës nga e kaluara e tij personale. Arti gjithmonë reagon si kolektor shoqëror, si një reflektues mbi natyrën njerëzore dhe për këtë arsye, përpara veprës së Eltjon Valle, ne mund të perceptojmë veprimin e tij transversal: duke shpërbërë për të ri-krijuar një material-botë tjetër, pa memorje , thotë Klod Dedja Kurator i artit bashkëkohor Tiranë.


Eltjon Valle u lind në Kuçovë më 1984. Jeton dhe punon në Milano, Tiranë. Ai mori gradën e magjistraturës në vitin 2009 në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras, Milan. Ndër ekspozitat e tij personale dhe grupore, do të përmenden ato në La Generale en Manufacture, Sèvres Paris, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, Panairi i Vjenës, MiArt, Fiera di Milano, Casa Tres Patios, Medellin, Artissima Turin, Ekspozita e Artit La Biennale di Venezia, Fondacioni Bevilaqua di Massa në Venecia, Muzeu i Artit Bashkëkohor Villa Croce, Genoa, Qendra Kombëtare e Artit Bashkëkohor në Moskë, Mikro Muzeu i Nju Jorkut, Galeria Kombëtare e Arteve në Prishtinë dhe Pulse Miami.


19 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)