Një super-operacion antidroge i policisë italiane ka vënë në pranga 71 persona dhe ka mundur të shkatërrojë një rrjet trafiku droge në Ballkan. Operacioni blic i koduar me emrin Ellenica është shtrirë në Itali, Shqipëri, Bosnje dhe Kosovë. Policia ka arritur të sekuestrojë 2 kuintalë heroinë dhe 5 kuintalë marijuanë, e cila vinte nga Afrika dhe kishte për destinacion tregun italian.
Hetuesit kanë shpjeguar për mediat italiane se hetimet janë kryer në kuadër të një projekti europian për luftën kundër kriminalitetit në Ballkan, me mbështetjen e Europol dhe Dcsa, dhe mbështetje të policisë shqiptare, boshnjake, sllovene, kroate dhe kosovare.
Dy kuintalët e heroinës dhe 5 kuintalët e marijuanës kishin destinacion një organizatë droge në Abruzzo, që shpërndante drogë në tregjet lokale si Marche dhe Puglia.
Pas publikimit të lajmit nga mediat italiane, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë bëri të ditur detaje mbi operacionin në bashkëpunim me palën italiane.
Prokuroria sqaron se nga pala shqiptare janë ekzekutuar 9 urdhër-arreste ndërkombëtare nga 71 gjithsej që përmbante operacioni Ellenica.
Bëhet fjalë për persona të njohur të krimit në vend, theksoi organi qendror i akuzës, duke shtuar se të arrestuarit në Shqipëri do të përballen e akuzës për trafik ndërkombëtar heroine dhe kokaine. Mes shqiptarëve është Endrit Dokle, ish- anëtarëi i bandës së Durrësit, i cili disa herë është akuzuar se drejton trafikun e drogës nga qelia.
Tre prej tyre aktualisht gjenden në burg pas vendimeve të gjykatës shqiptare disa kohë më parë, të gjithë anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Këta persona akuzohen nga autoritetet italiane se janë përfshirë në veprimtarinë e importit, transportit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Organizata Grupi i Shqiptarëve është hetuar për një periudhë të gjatë nga ana e Prokurorisë Italiane, në të cilën është faktuar se disa qytetarë shqiptarë janë përfshirë në një rrjet të gjerë trafiku të lëndëve narkotike të forta, sasi e cila arrin në disa qindra kilogramë heroinë dhe kokainë.
Pas një operacioni të shpejtë, policia shqiptare, nën drejtimin e prokurorisë, ka arrestuar shtetasit;
1. Zenel Balla, nga Durrësi arrestuar sot
2. Elvin Muço, nga Durrësi arrestuar sot
3. Shpëtim Danaj, nga Vlora arrestuar sot
Ndërkohë, u është komunikuar urdhri i arrestit ndërkombëtar, në kuadër të këtij operacioni, shtetasve:
4. Indrit Dokle, nga Durrësi në burg
5. Jorid Xhunga, nga Përmeti në burg
6. Shefqet Vata, nga Kukësi në burg
7.Arben Shtëmbari në burg
Janë arrestuar në Itali:
8. Renald Velja
9. Roxhen Velja, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
21 tetor 2013 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Ellenica shkatërron rrjetin e trafikut të drogës Itali-Ballkan. Endrit Dokle dhe tetë shqiptarë pjesë e trafikut u publikua me pare te Gazeta SHQIP.