Nga Dash Frashëri

EKSKLUZIVE- Ky është deklarimi i pak minutave më parë nga Ukraina, i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare dhe i Metalurg Donjeck, Elvin Beqirit posacërisht për Albania-sport.com. "Në fazën e parë nuk u aktivizova shumë për shkak të dëmtimit, por tani që jam rikuperuar plotësisht ndihem në formë optimale", shprehet Beqiri.
"Jemi përgatitur shumë fort, për më tepër që tashmë prej një muaj e gjysmë drejtohemi nga një trajner i ri, Ko Adriansen që ka drejtuar më parë Porton, dhe në karrierën e tij kanë qenë edhe Ajaks dhe AZ Alkmaar në Holandë. Është një trajner me përvojë të madhe dhe shumë kërkues", shton Elvini, që nga ana tjetër pohon se me trajnerin e ri ka krijuar raporte të shkëlqyera si pune ashtu dhe njerëzore.
"Kemi shumë shpresë që të ngjitemi në klasifikim, pasi aktualisht ndodhemi në vendin e 7 të kampionatit ukrainas ku synojmë si zakonisht një vend në Kupën UEFA. Metalurg merr pjesë cdo vit në kupat europiane", pohon Beqiri, që mezi pret rifillimin e kampionatit më 4 mars.
Beqiri thotë se ka kontakte të shpeshta me Armend Dallkun dhe Debatik Currin, kundërshtarët e tij te Vorskla Poltave por miqtë e tij të mirë në Kombëtaren kuqezi. "Edhe ata shpresojnë ta mbyllin sezonin në një vend të mirë, pasi renditen në vendet e fundit në kampionat".
Elvin Beqiri shprehet edhe për ndeshjen e Kombëtares kundër Sllovenisë, më 24 mars 2007, në qytetin e Shkodrës: "Ende nuk e kam marrë veten nga humbja me Maqedoninë (0-1), por shpresojmë se ndaj Sllovenisë do të marrim një rezultat pozitiv, ku së pari synojmë fitoren, aq më tepër që luajmë në fushën tonë para sportdashësve tanë".