TIRANE- Mbrojtësi i Kombëtares, Elvin Beqiri firmosi një kontratë një vjeçare me Khazar Lankaran të Azerbajxhanit. Kjo skuadër aktualisht mban vendin e tretë pas fazës së parë, me 35 pikë. Lajmi për mbrojtësin Beqiri i cili në pjesën e parë të sezonit luajti për Vllazninë e Shkodrës u bë i ditur sot nga Federata Shqiptare e Futbollit. Për ish-mbrojtësin e Vllaznisë u fol më parë për një pistë franceze, Grenoble, por mesa duket transferimi përmes menaxherit Erkand Sulejmani te Lankaran, vendi i tretë në kampionatin azerbajxhanas, ishte më i shpejtë në realizimin e tij. Mbrojtësi 29-vjeçar i Kombëtares nuk pranoi rinovimin e kontratës me Vllazninë për shkak të kushteve financiare të ofruara nga presidenti i kuqebluve, Valter Fushaj. Gjatë merkatos dimërore Elvin Beqiri pati oferta nga Dinamo dhe Kastrioti, por ato nuk u realizuan. Azerbajxhani është vendi i katërt i huaj për Beqirin, pasi më parë shkodrani ka luajtur edhe në Ukrainë, Izrael dhe Rusi. Në Azerbajxhan luan edhe shkodrani tjetër, mbrojtësi Admir Teli, por ky i fundit aktivizohet prej dy vjetësh me FK  Qarabag.(s.g/atsh/BalkanWeb/