Që prej ditës së djeshme reshjet e dëborës janë ndërprerë, por temperaturat kanë qenë tepër të ulëta në të gjithë vendin. Disa akse rrugore rurale në zona të thella malore nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht. Firmat kontraktore po punojnë me forca dhe mjete në akset rrugore problematike.


Akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në disa segmente ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve. Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për tiu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.


Furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella për shkak të ngricave, ndërkohë grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve.

Situata paraqitet si më poshtë për çdo qark:


QARKU KUKËS

Të gjithë akset kombëtare janë të qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë. Firmat kontraktore vazhdojnë të punojnë me mjetet dhe forcat e tyre duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë.


Policia rrugore po mban në monitorim të vazhdueshëm të gjitha akset rrugore.


Rruga e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë. Për mirëmbajtjen e këtij aksi janë angazhuar 4 borëpastruese.


Në asket rrugore Kukës-Bushtricë, Kukës-Ura e Zapodit dhe Ura e Zapodit-Shishtavec qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në këto akse punojnë 3 borëpastruese dhe 3 fadroma.


Aksi Fushë-Dugagjin-Qafë Shllak është e qarkullueshme me zinxhirë deri në qendrën e njësisë administrative Malzi ndërsa pjesa tjetër deri në Qafë Shllak e Qafë Mali është e qarkullueshme me zinxhirë.


Gjihashtu akset rrugore Kukës-Krumë dhe Krumë-Qafë Prushi-Kam janë të qarkullueshme pjesërisht pa zinxhirë


Akset Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Luzhë-Kam dhe Dushaj – Lekbibaj janë të qarkullueshme me zinxhirë ndërsa aksi Bajram Curri-Qafë Morinë është i qarkullueshëm pa zinxhirë.


Akset rrugore rurale të njësive administrative Grykë-Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Zapod dhe Shishtavec, me fshatrat e tyre vijojnë të jenë të bllokuara nga dëbora.


Rrugët rurale të fshatrave Cahan dhe Mujaj-Dajç ,Brenogë, Domaj, Pogaj, Kishaj, Pusi i Thatë Selimaj, Lekurtaj, Shëngjergj, Peraj, Palcë, Brisë, Gjonpepaj, Curraj i Epërm dhe Myhejan për në qendër të Njësive Administrative janë të bllokuara.


Pa energji elektrike janë Njësitë Administrative Grykë-Çajë ,Arrën, Lekbibaj si dhe fshatrat Çam, Gjinaj, Pogaj dhe Kishaj


Grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për të sjellë energjinë elektrike në zonat problematike të qarkut.


QARKU DIBËR

Në bashkinë Dibër aksi rural Reç-Lurë dhe Peshkopi-Lurë janë të bllokuar dhe po punohet në secilin prej tyre. Akset e tjera kombëtare janë të qarkullueshme ndërsa firmat kontraktore vazhdojnë të duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë.


Akset rrugore Qafë Bualli-Peshkopi, Skuraj-Burrel, Ura e Qytetit-Zerqan dhe Burrel-Qafë Bualli qarkullimi bëhet pa zinxhirë. Në këto rrugë punojnë 9 borëpastruese.


Ndërkohë akset Peshkopi-Kala e Dodës Muhurr-Draj Reç, Qafë Bualli-Krastë, Burrel-Macukull, Ura e Çerenecit Steblevë, Ura e Çerenecit-Ostren-Trebisht, Klos-Xibër dhe Klos-Gurrë qarkullimi bëhet me zinxhirë. Në këto akse janë angazhuar 17 borëpastruese.


I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike


QARKU SHKODËR

Akset rrugore kombëtare janë të gjithë të qarkullueshëm, pjesërisht pa dhe me zinxhirë. Situata më problematike paraqitet në akset rurale si Shkodër-Shosh-Breg Lumi, i cili është bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit dhe Shkodër-Bogë-Theth i cili është bllokuar në Qafë Thore. Në këto dy akse trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Për pastrimin e tyre janë angazhuar 3 fadroma dhe një mjet me zinxhirë i ushtrisë.


Ndërkohë në akset Qafë Mali-Fierzë Fush Arrëz-Qafë Shllak dhe Qafë Qelëz-Pukë-Fushë Arrëz janë të qarkullueshme me zinxhirë


Probleme furnizimi me energji elektrike ka në disa fshatra të njësisë administrative Shalë, Shosh, Pult Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan


Grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve.


QARKU LEZHË

Aksi rrugor kombëtar Rrëshen-Tuneli i Kalimashit është i qarkullueshëm me zinxhirë në pjesë të veçanta. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në këtë aks rrugor për të siguruar kalueshmërinë e mjeteve.


Aksi rrugor Rrëshen-Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave.


Policia rrugore po monitoron qarkullimin e mjeteve në akset rrugore kombëtare të qarkut.


Akset rrugore rurale të njësive administrative Fan, Orosh dhe Selitë, janë hapura nga bora, e cila ka trashësinë nga 30-50 cm.


Në njësinë administrative Fan, Orosh dhe Selitë, mungon pjesërisht energjia elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të riparuar defektet.


QARKU ELBASAN

Akset rrugore kombëtare janë gjithë të qarkullueshëm normalisht nga mjetet.


Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë është i qarkullueshëm me zinxhirë pasi ka prezencë ngrice.


I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike.


QARKU KORÇE

Të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec-Lin, në të cilin duhet të përdoren zinxhirët.


QARKU VLORË

Në Qafën e Llogarasë firma kontraktore ka punuar duke hedhur kripë dhe skorje në aksin rrugor dhe qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë.


Në Qafën e Muzinës nuk kanë rënë reshje bore por ky segment rrugor mbahet në monitorim nga firma kontraktore.


Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente të krijuara nga kushtet e motit.


9 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)