Kryetarët e qeverive të Polonisë, Çekisë dhe Sllovakisë e vlerësojnë takimin e planifikuar vetëm si aksion ndihme në favor të kancelares gjermane, Merkel. Edhe kryeministri i Italisë ka problemet e tij me takimin.


Shtetet e të ashtuquajturit Grup i Vishegradit kanë protestuar me forcë kundër takimit të lartë të BE për politikën e refugjatëve, të planifikuar të mbahet ditën e diel. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki e quan takimin si “të papranueshëm”. “Ne nuk do të marrim pjesë në të, sepse ne nuk duam të merremi sërish me një propozim që e kemi refuzuar një herë”, tha kryeministri polak pas një takimi të mbajtur në Budapest me kolegët e tij nga Çekia, Sllovakia dhe Hungaria. Në të morri pjesë shkurt edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz.


Kryeminstri hungarez Viktor Orban tha se takimi i inicuar nga Gjermania është në kundërshtim me zakonet e BE. Formati i duhur është takimi i nivelit të lartë të BE që pritet të mbahet javën e ardhshme. “Ne e kuptojmë që ka vende që kanë probleme të politikës së brendshme, por kjo nuk duhet të shkaktojë panik mbarë evropian”, shtoi Orban. Orban nënkuptonte me këtë konfliktin e kancelares Angela Merkel, me ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer. Sipas mendimit të tij, ky konflikt ka bërë që të thirret një takim i nivelit të lartë në çështjet e azilit nga aleati i Merkelit, presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker.


Seehofer i ka dhënë Merkelit afat deri në fillim të korrikut për të gjetur një zgjidhje për çështjen e refugjatëve në nivel të BE. Përndryshe ai do japë udhëzime që të gjithë refugjatët e regjistruar një herë në një vend të Bashkimit Evropian duhet të dëbohen nga kufiri gjerman. Kurse Merkel këmbëngul që të gjendet një mënyrë të që aprovohet nga Bashkimi Evropian.


Orban theksoi mbas takimit të vendeve të Vishegradit, se kontrolli i kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian duhet të forcohet. Po ashtu refugjatët  duhet të presin jashtë kufijve të Bashkimit Evropian përgjigje për kërkesat e tyre të azilit. Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia ndjekin një linjë të ashpër në politikën e refugjatëve dhe refuzojnë vënien në jetë të kuotave të shpërndarjes së refugjatëve brenda BE.


22 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)