Të gjithë emigrantët shqiptarë tani mund t‘i kryejnë të gjitha shërbimet konsullore vetëm nëpërmjet postës. Ministria e Jashtme ka vendosur dje një masë lehtësimi për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që kanë nevojë për dokumente të karakterit konsullor, apo legalizime për çështje të ndryshme. Shefi i diplomacisë, Lulzim Basha, urdhëroi dje të gjitha përfaqësitë shqiptare jashtë vendit, ambasadat dhe konsullatat shqiptare, që prej 26 janarit 2009, të gjitha veprimet konsullore në shërbim të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar dhe pagesat për të gjitha shërbimet e ofruara do të kryhen vetëm nëpërmjet sistemit bankar. Nga ky rregull përjashtohen vetëm aplikimet për pasaportë, nënshkrimi i prokurave dhe aplikimi për viza, për të cilat aktet normative në fuqi kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit. Kjo masë, duke shmangur kontaktin fizik me personelin e përfaqësive shqiptare jashtë vendit, ka për qëllim rritjen e transparencës, përmirësimin e cilësisë së shërbimit, si dhe eliminimin e çdo mundësie abuzimi, duke u gjendur kështu më pranë nevojave të shtetasve shqiptarë. Deri tani, emigrantët i kanë kryer veprimet vetëm pranë zyrave konsullore të përfaqësive tona në vendet e Evropës. Mirëpo për shumë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Perëndim, udhëtimi deri në kryeqytetet përkatëse, apo në qytetet ku ka konsullata, duke shtuar edhe radhët e gjata, përbënte një odise në vetvete. Prej 26 janarit, të gjithë emigrantët mund t‘i kryejnë këto veprime vetëm nëpërmjet postës. Por ky veprim do të kërkojë një korrektesë më të madhe nga ana e postës shqiptare, e cila duhet të ofrojë më shumë shpejtësi dhe precizion. Në fakt, ky institucion prej kohësh ka marrë përsipër disa nga shërbimet publike dhe deri tani kjo ka ecur mbarë. Të vetmet veprime që nuk mund t‘i bëjnë me korrespondencë emigrantët tanë janë aplikimi për kartat e reja të identitetit, apo edhe për pasaportat e reja biometrike. Para dy ditësh, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi se emigrantët do të duhet patjetër të bëjnë aplikimet për letërnjoftimet, përndryshe nuk do të lejohen të dalin nga vendi.